Dhe pastaj habitemi: Pse ikni xhanëm?!

Dhe pastaj habitemi: Pse ikni xhanëm?!

08:49, 17/02/2020
A+ Aa A-

Nga Artan Fuga.

Shoqëria piramidale nuk lejon që Shqipëria të shihet me të gjithë larminë, pasurinë, diversitetin e saj. Politika ka thjeshtuar qytetërimin shqiptar dhe marrëdhëniet e tij me botën!

Ky është dëmi më i madh i përqëndrimit të shoqërisë te politika.
Ky është dëmi më i madh i përqendrimit të politikës në tre ose katër duar.
Ky është dëmi më i madh i thjeshtëzimit të kulturës te diplomat që disa i shesin me parà!

Territori? Mbledhur te Tirana! Rretherrotull Lanës.

Demokracia! Hajdeni votoni pesë sekonda dhe ikni thyeni qafën! Ose ngrohuni në diell!

Tërmeti? E do këtë çadrën o arixhi të futësh kokën apo do një hu në prapanicë?

Marrëdhëniet shoqërore? Hajde luajmë polici-hajduti!

Lufta kundër korrupsionit? Shikoni more mos i nxirrni ato veturat se do ua sekuestrojmë! Paratë ose fshihini mirë ose mos i ekspozoni kështu si pa të keq! Po këtë pallatin e madh këtu afër bllokut kush e ka? Ik ore ti!

Mediat dhe informacioni? Hajdeni na dëgjoni në darkë se do të bëjmë gallatë duke bërë sikur do të zihemi për astarin e xhaketës!
Europa? Hahahaha! Ja mo do hapim negociatat sesi të negociojmë që kur të negociojmë të shohim sesi negociatat do të na mundësojnë negociata të tjera që të negociojmë për negociata!

Ore Shqipëria është vend me histori europiane, duhet ta tregojnë muzetë, kultura, bizneset, shkëmbimet tregtare, shkëmbimet kulturore dhe artistike! Jo, me jo, Europa jam unë nëpër mbledhje ku rrihet ujë në havan!

Sporti? Ja mo ky stadiumi me këtë penisin e gjatë mbi të. Stadiumi i rrumbullakët dhe ky huri i gjatë që bie mbi të! Cfarë sporti kërkon apo nuk do penis ti, do tenis!

Shqiptari? Hahahahaha! Të ikin nga sytë këmbët, këtu të mbeten vetëm ca si ata te varka e Noes si specje në zhdukje! Si majmunët, pinguinët, breshkat e ujit në Galapagos!
Kultura, teatri, opera? Ik ore qelbësirë shtrihu në divan dhe shih televizorin tënd rrangall.

Dije universitare? Hahahahaha, hihihihi! Cili je ti mo? Sa bëjnë 2 plus 2? Sa të dojë shefi, pronari? Shumë mirë, ulu poshtë : 6!
Të drejtat e njeriut? Ja mo merrni frymë, na shihni në televizor, krruani kokën, mbajuni erë çorapeve, lexoni webin e gazetës më të madhe në Ballkan që në fakt matet vetëm me fletë - rrufetë e revolucionit kinez!

Marrëdhëniet politike me jashtë? Pse nuk vjen asnjë kryeministër i asnjë vendi të na vizitojë? Ja mo vijnë këta të seksionit të Firences a të Lesh Sapiences, çfarë do ti? Do të na ndihmojnë nëse munden për të ndarë shapin nga shapi!

Dhe pastaj habitemi: Pse ikni xhanëm! Hajdeni! Rrini!

Moda? Ke sa të duash këpucë NIKE të përdorura te Gabi!

Shqipëri e thjeshtëzuar! Piramidale!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco