Politologu serb: Gëzuar ditën e Pavarësisë, Kosovë dhe paç fat!

Politologu serb: Gëzuar ditën e Pavarësisë, Kosovë dhe paç fat!

08:29, 17/02/2020
A+ Aa A-

Ndërsa Kosova hyn në një fazë më të pjekur, lideri i saj i ri, Albin Kurti, s’duhet të përsërisë gabimet e së kaluarës dhe të krijojë një marrëdhënie më të barabartë me Serbinë dhe botën.

Nga Milos Ciric

Milos Ciric është një politolog, edukator, mësues dhe aktivist serb i të drejtave të njeriut. Ai ka diplomë në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti i Beogradit, master në Politikë Kulturore nga Universiteti i Arteve, Beograd, dhe Lumiere University Lion 2, Francë, dhe master në Studimet e Medias nga The New School University, Nju Jork.

E hëna e ardhshme shënon 12 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pas një lufte të gjatë me Serbinë, dhe tashmë për Kosovën fillojnë vitet e adoleshencës, me shpresa të mëdha tani që Albin Kurti është zgjedhur kryeministër.

Kurti, edhe pse një fytyrë e njohur, përfaqëson një fillim të ri për Kosovën. As ai e as partia e tij, Vetëvendosja, nuk kanë pasur ndonjëherë pushtet në nivel shtetëror.

Ai u zgjodh me një axhendë që shumë prej mediave kryesore serbe e kanë quajtur “nacionaliste” dhe “populliste”. Por, në kontekstin e historisë së fundit të Kosovës, kjo nuk është vetëm e gabuar, por është edhe poshtëruese për kosovarët që me përfundimin e zgjedhjeve të 6 tetorit e çuan partinë e tij në vend të parë.

“Nacionalizmi” i Kurtit nuk duhet të barazohet me nacionalizmin e presidentit serb Vuçiç. Kjo vetëm ushqen narracionin që Serbia dëshiron të vazhdojë: që të gjithë duhet të fajësohen për atë që ndodhi gjatë viteve 1990. Jo të gjithë “nacionalizmat” në Ballkanin Perëndimor janë të njëjta, shumë prej tyre – të paktën fillimisht – ishin një reagim ndaj agresioneve të Serbisë dhe katër luftërave që ajo drejtoi nën Sllobodan Milosheviçin.

Në fjalimin e tij të parë në Parlament, kryeministri Kurti me të drejtë tha se qeveria e tij është “e gatshme të padisë Serbinë për gjenocidin dhe krimet e luftës të kryera gjatë luftës në Kosovë.” Ai gjithashtu premtoi “reciprocitet të plotë në marrëdhëniet me Serbinë” dhe njoftoi se ai ishte gati për të “udhëhequr dialogun”.

Tani që Kurti drejton qeverinë, presidenti Thaçi më në fund mund të kufizohet në detyrat e tij të parashikuara në Kushtetutë, të cilat janë kryesisht ceremoniale. Thaçi është parë prej kohësh si Alfa dhe Omega i politikës së Kosovës, veçanërisht kur bëhet fjalë për dialogun me Serbinë. Shpresojmë që, për hir të Kosovës, kjo do të ndryshojë.

Me qeverinë e re, Kosova ka një mundësi që të shpëtojë nga sundimi i atyre që kanë krijuar mbështetje publike për politikat vdekjeprurëse dhe trashëgiminë që nga vitet 1990, siç është rasti me shumë shtete fqinje të Kosovës. Kjo për faktin se Kurti është i veçantë në krahasim me figurat kryesore publike publik të Ballkanit – si një person që vuajti gjatë luftës, jo një kriminel i dyshuar lufte, një përkrahës i luftës ose një hajdut i rëndomtë.

Në anën tjetër, kryeministri i ri i Kosovës nuk duhet të bëjë premtime të cilat nuk mund t’i mbajë. Qeveria e tij e re ka obligim moral të bëjë saktësisht atë për të cilën ai është zotuar, ose Kurti do të bëhet një tjetër lider i Kosovës që pështyn në fytyrat e shumë jetëve vetëm për të shënuar pikë të vogla politike, si presidenti aktual Thaçi, i cili gjithashtu premtoi proces gjyqësor në shumë raste. Dërgojeni Serbinë në gjyq për gjenocid dhe krime lufte kundër popullit tuaj, zoti kryeministër! Procesi është vonuar shumë.

Siç kam shkruar për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, për më shumë se 50 vite qytetarët e Kosovës i janë nënshtruar racizmit, diskriminimit, poshtërimit dhe degradimit sistematik nga Serbia me miratimin e heshtur të të gjitha ish- republikave të tjera jugosllave.

Kjo pastaj u pasua me një fushatë gjenocidiale në tërësi, e organizuar nga Serbia e Millosheviçit, e cila u përpoq të shkatërronte tërë kombin. Nëse nuk do të ishte për fushatën e NATO-s në 1999, popullsia e Kosovës do të ishte edhe më e vogël sesa është sot. Kosovarët brez pas brezi duhej të pranonin fatin e tyre të pashmangshëm: të ishin subjekt i mëshirës së të tjerëve.

Ndërsa festojmë 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, dhe argumentojmë pse Kurti ka të drejtë të padisë Serbinë për krimet e saj, le të kujtojmë të paktën dy nga shumë prej atyre që me dëshirë dhe pa dëshirë kanë vdekur për Pavarësinë e Kosovës – 20-vjeçari Asllan Pireva dhe shoku i tij 19 vjeçar Naser Hajrizi.

Pireva dhe Hajziri ishin dy studentë të vrarë nga policia serbe më 2 prill 1981, gjatë demonstratave kundër politikave shtypëse serbe ndaj Kosovës. Në ditën e vdekjes së tyre, Albin Kurti ishte gjashtë vjeç. Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë ai përsëriti të njëjtën parullë si Hajrizi dhe Pireva – “Kosova Republikë!” – në një demonstratë tjetër studentore kundër Serbisë.

Por, pavarësisht shumë vështirësive të cilat ai hasi nga regjimi i Millosheviçit, Kurti u burgos nga viti 1999 deri në 2001 dhe rrihej dhe torturohej rregullisht – ai mbijetoi. Dhjetëra mijëra kosovarë nuk ishin aq “me fat”, ndërsa të luhet fatin e tyre tragjik duke ngritur çështje si ajo e padisë për Serbinë dhe më pas të mos vazhdohet tutje, do ta diskreditonin Kurtin dhe do të nënvlerësonin tërë axhendën e tij.

Mijëra shqiptarë të Kosovës u vranë, u përdhunuan ose u detyruan të largohen nga atdheu i tyre dhe të jetonin në internim gjatë viteve 1990. Shumëvazhdojnë të rezultojnë ende të zhdukur. Kjo përfshin fëmijë, gra dhe burra – civilë, të cilët u vranë pa dallim, por në mënyrë metodike.

Ne e dimë kush e ekzekutoi këtë, skuadrat e vdekjeve të Serbisë, të cilat përfshinin formacione ushtarake, policie dhe paraushtarake. Ne e dimë se kush e parashikoi dhe e organizoi këtë, udhëheqja e Serbisë nën Millosheviçin. Ne e dimë se kush e mbronte këtë, shumë prej zyrtarëve aktualë të Serbisë, përfshirë presidentin Vuçiç.

Ne gjithashtu e dimë se kush i mbështeti të gjitha këto. Shumica e popullatës së Serbisë, e cila i dha mbështetje Millosheviçit në çdo hap të rrugës, ashtu siç ata bëjnë sot me Aleksandër Vuciçin. Në zgjedhjet presidenciale të shtatorit 2000, në pikën e tij më të ulët, Millosheviçi mbështetej ende nga pothuajse 2 milion votues.

Nënvlerësimi i përgjegjësisë së qytetarëve të Serbisë për mbështetjen e këtyre politikave vdekjeprurëse për dekada duhet të shuhet. Thuhet se serbët janë detyruar disi të marrin këto vendime, se ata janë të informuar keq, të varfër dhe të shantazhuar – se asnjë përgjegjësi nuk i përket kolektivit.

Ky këndvështrim relativist është i turpshëm dhe i dëmshëm për viktimat dhe familjet e tyre, përfshirë serbët që pësuan gjatë luftës. Serbia kurrë nuk u mbajt përgjegjëse për mizoritë e kryera, kjo është arsyeja pse zyrtarët dhe qytetarët e Serbisë vazhdojnë të shprehin lirshëm racizmin e tyre ndaj kosovarëve.

Ngacmimi i Kosovës nga Serbia vazhdon vazhdimisht nga Vuçiçi, media e tij, qeveria e tij dhe opozita e tij. Ndoshta më e rëndësishme, helmi ekziston në shkollat serbe, është një pjesë e pandashme e jetës publike serbe, që shfaqet kudo nga kultura deri në sport.

Këto qëndrime raciste ndaj kosovarëve akoma shprehen hapur si nga qeveria ashtu edhe nga qytetarët e Serbisë. Ju mund t’i shihni ato çdo ditë në faqet e para të gazetave, në librat shkollorë, dhe në çdo predikim në Kishat Ortodokse Serbe, shtylla e kohës së luftës të Millosheviçit. Për shkak të kësaj, nuk është për t’u habitur që serbët e Kosovës, gjithashtu viktima të këtyre politikave të njëjta, vazhdojnë ta ushqejnë këtë trashëgimi dhe të mbështesin pasardhësit e Millosheviçit.

Dikur argumentova se politikat naziste të Serbisë ndaj Kosovës në thelb kanë qëndruar të njëjta për tre dekadat e fundit: Kosova është koloni e Serbisë, nuk janë kryer krime (përveç krime kundër serbëve), nuk ka nevojë për pendim, drejtësi, dëmshpërblim apo kërkim-falje të çfarëdo lloji nga Serbia ose njerëzit e saj.

Por në Serbinë bashkëkohore, të thuash të vërtetën rreth shkatërrimit që shteti serb u ka sjellë miliona njerëzve jo-serb konsiderohet si propagandë anti-serbe. Sjellja zyrtare e Serbisë mbetet e njëjta, dhe ndjekë rrugën e regjimit të Millosheviçit: Nuk do të ketë përjashtime kur bëhet fjalë për krimet që ka bërë Serbia.

Të gjithë serbët duhet të pajtohen me këtë narrativë të fabrikuar: që serbët, dhe vetëm serbët, janë viktimat, se të drejtat e serbëve janë të kërcënuar në çdo kohë, në Kosovë, në Bosnje, në Kroaci dhe së fundmi, në Mal të Zi. çdokush që thotë ndryshe është një tradhtar, një mercenar i huaj, një anti-serb.

Gjithë kjo është problem i Serbisë, jo i Kosovës. Por Kosova nuk duhet ta bëjë Serbinë të ndjehet më mirë duke falur dhe harruar viktimat e saj të panumërta.

Kurti ka të drejtë të mos i mbulojë plagët ende të hapura duke i kthyer një sy të verbër asaj që u është bërë njerëzve që ai drejton sot. Përkundrazi, Kosova, siç ka sugjeruar Kurti, duhet të jetë në të njëjtën kohë me Serbinë, dhe me të gjithë të tjerët. Kosova nuk është më koloni e askujt.

Kjo gjithashtu duhet të pranohet nga përkrahësit e Kosovës, veçanërisht nga BE-ja dhe SHBA-ja, të cilët duhet të ndalojnë poshtërimin e Kosovës me kërkesat e tyre të pafund, të cilat kërcënojnë të bllokojnë njerëzit e Kosovës brenda një getoje edhe një herë. Ka ardhur koha që Perëndimi ta respektojë Republikën e Kosovës ashtu siç do të ishte çdo shtet tjetër sovran, ashtu siç ata respektojnë shtetin e tyre.

Le të vazhdojmë të shpresojmë se fëmijëria e gjatë e traumatike e Kosovës do të përfundojë se shpejti, duke uruar që vitet e ardhshme të Kosovës të jenë pa ankth dhe me një rritje të vazhdueshme, që do ta çojnë të gjithë popullin e Kosovës drejt një shoqërie të hapur, të shëruar, të bashkuar dhe me prosperitet shoqëror. (Gëzuar ditën e Pavarësisë, Kosovë, dhe paç fat!)/BIRN

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco