Pompeo i shkruan Kurtit: Hiq taksën, koha për njohje të ndërsjellltë me Serbinë

Pompeo i shkruan Kurtit: Hiq taksën, koha për njohje të ndërsjellltë me Serbinë

10:52, 13/02/2020

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i ka thënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në një letër se shpreson që prioritete të liderit të ri të jenë heqja e tarifës 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës, dhe njohja e ndërsjellë me Serbinë.

“Heqja e tarifave në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës do të jetë e rëndësishme për kthimin e palëve në tavolinën negociuese. Ne shpresojmë dhe presim që ju do ta bëni këtë gjë prioritet dhe do të përfitoni nga momentumi i krijuar pas dy letrave të qëllimit për të krijuar lidhje ajrore dhe hekurudhore në mes të Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Pompeo në letrën, të cilën Zyra e kryeministrit ka konfirmuar ta ketë pranuar.

Ai me këtë rast u është referuar dokumenteve të nënshkruara nga zyrtarë të Kosovës dhe Serbisë, në Berlin, me ndërmjetësim të të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, ambasadorit amerikan në Berlin, Richard Grenell.

Sa i përket njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, Pompeo ka thënë:

“Tani është koha që të realizoni marrëdhënie normale me Serbinë, që kanë qendër njohjen e ndërsjellë, dhe e cila është thelbësore për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës. Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë afër jush për t’iu mbështetur në këtë proces”.

Sekretari amerikan ka uruar kryeministrin Kurti për formim të qeverisë së re, duke thënë se Departamenti i Shtetit do të punojë së bashku me të për të përparuar në qëllimet e përbashkëta siç janë: rritja ekonomike dhe sundimi i ligjit.

Letra e Pompeos vjen pak pas formimit të Qeverisë së Kosovës më 3 shkurt.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 7 shkurt se taksën 100 për qind synon ta zëvendësojë me masë të reciprocitetit. /REL/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

liu13/02/2020 12:42

nuk po e mor vesh a osht rusia mikja e serbise apo ameriks se ruset si kom nigju nojher me thone hiqni taksen.

Shto koment

Denonco