Krim dhe drogë/ Si po bien një e nga një kryebashkiakët e Rilindjes

Krim dhe drogë/ Si po bien një e nga një kryebashkiakët e Rilindjes

09:57, 23/01/2020
A+ Aa A-

Një video e publikuar dje nga gazetari Artan Hoxha, denoncon kryetarin e Bashkisë së Bulqizës duke konsumuar kokainë. PD kërkon hetim nga SPAK, dhe e akuzon Allën për moskallëzim krimi. Kryebashkiaku mohon gjithçka. Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, është kreu i 6-të i Rilindjes, pas 30 Qershorit, që rrezikon të humbë detyrën

MAPO

Kryetari i Bashkisë së Bulqizës Lefter Alla rrezikon dënimin deri në tre vjet burg, për veprën penale moskallëzim krimi, në rast se vërtetohet se personi që konsumon kokainë në ambientet e një lokali është ai. Kjo sepse sipas juristëve droga që ai konsumon është shitur apo servirur nga dikush që e shpërndan, ose është i lidhur me trafikantët. Sipas tyre është e njëjta situatë që ndodh dhe me krerët e njësive administrative apo dhe inspektorët e policisë kur evidentohet se në zonat e tyre është kryer aktivitet i paligjshëm dhe ata nuk e kanë kallëzuar atë. Vetë denoncuesi, gazetari Artan Hoxha pretendon se video është xhiruar pas marrjes së mandatit si kryebashkiak, pra pas 30 qershorit 2019. “Moskallëzimi në organet e ndjekjes penale, në gjykatë, në organet e rendit publik, të pushtetit ose të administratës, i një krimi që është duke u kryer apo që është kryer, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet” thuhet në nenin përkatës. Gjithsesi, konsumimi i drogës në ambiente private nuk përfshihet në ligjin e dekriminalizimit, por në rast se provohet nga organet përkatëse konsumimi i veprës penale, atëherë nuk është çudi që Alla të pasojë të njëjtin fat me Shukri Xhelilin e Dibrës, i cili u shkarkua asokohe në urgjencë me vendim qeverie nga Kryeministri, pas përfshirjes në një skandal seksual.

Video

Ka qenë gazetari investigativ Artan Hoxha i cili ka shfaqur ditën e djeshme një filmim të bërë nga kamerat e sigurisë së një lokali, ku ai pretendon se është vetë kreu i Bashkisë Bulqizë ai që shfaqet në të dhe kjo është lehtësisht e identifikueshme. “Kamerat e sigurisë të ambientit në fjalë nuk kanë punuar aq sa kemi filmuar dhe po publikojmë ne. Aty është filmuar me orë të tëra, është filmuar se kush ka qenë aty, periudha, data, ora, sekonda dhe pamje të tjera, ku gjërat duken më qartë dhe pa dyshime. Kjo video është filmuar pas datës 30 qershor, d.m.th. pasi ai ka marrë mandatin e kryebashkiakut të Bulqizës. Nuk vihet fare në dyshim identiteti i tij, për më tepër kjo video është pasi ka marrë mandatin dhe ka bërë betimin. Ky njeri ka përgjegjësi, sepse në radhë të parë është një njeri i zgjedhur për t’iu shërbyer qytetarëve të tij, dhe ndërsa shihet duke marrë lëndë narkotike, ai nuk e kryen dot më këtë funksion që i kanë besuar qytetarët”, tha Hoxha. Deklarata e tij u mbështet më pas dhe nga ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, i cili identifikoi Allën si personin që shfaqet në video. Vetë PD në një deklaratë të orëve të vona kërkoi shkarkimin urgjent nga detyra të Allës, duke shtuar se përgjegjësia për zgjedhjen e individëve të tillë në krye të pushtetit lokal është direkte e Edi Ramës. Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi u shpreh se SPAK, duhet të marrë në hetim rastin.

Të gjitha akuzat për të zgjedhurit e Ramës

Lefter Alla është kryebashkiaku i gjashtë i cili denoncohet nga Partia Demokratike, dhe kërkohet ndjekje penale për të. Valdrin Pjetri do të ishte i pari, i cili pas denoncimit të Sekretarit të Përgjithshëm të PD Gazment Bardhi dha dorëheqjen për shkak se kishte fshehur një dënim për trafik drogë në Itali në fillim të viteve 2000. Më pas listës do i shtohej Agim Kajmaku, i Bashkisë së Vorës, i cili fshehu një dënim të marrë në Greqi për falsifikim monedhash. Kajmaku aktualisht prej nëntorit është në kërkim, pasi mbi të nuk rëndon vetëm akuza e falsifikimit të formularëve të dekriminalizimit, por edhe akuza e ushtrimit të paligjshëm të detyrës shtetërore. Por PD nuk u ndal me kaq. Bardhi do dilte në konferencë për shtyp në datë 16 shtator, këtë herë për të denoncuar kreun e Bashkisë së Vaut të Dejës Mark Babani, i cili sipas tij kish fshehur një dënim në Itali në vitin 1994. Në dhjetë janar në rrjetën e opozitës do të binte një tjetër i zgjedhur pa garë më 30 qershor. Bëhet fjalë për Qerim Ismailajn e Bashkisë Mallakastër i cili sipas PD ka fshehur një dënim prej tri vitesh burg në Greqi për përdorim dhune. Për ta mbyllur me kreun e Bashkisë Mat, i cili megjithëse e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit një dënim të marrë në vitin 1998, për armëmbajtje pa leje dhe plagosje, sërish kjo është një vepër penale, që sipas sekretarit Bardhi, e ndalon për të kandiduar në listat e të zgjedhurve vendorë. Sipas PD listës së të denoncuarve i shtohen dhe rreth 17 raste të tjera që janë në proces verifikimi.

Akuzat e PD për kryebashkiakët

– Lefter Alla Bulqizë, moskallëzim krimi
– Valdrin Pjetri Shkodër, trafik droge
– Agim Kajmaku Vorë, falsifikim monedhash
– Mark Babani Vau i Dejës, vjedhje
– Qerim Ismailaj Mallakastër, Përdorim dhune
– Agron Malaj Mat, armëmbajtje pa leje, plagosje

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco