Kryemadhi: Dyert e LSI të hapura, ftojmë të gjithë profesionistët që duan të kontribuojnë

Kryemadhi: Dyert e LSI të hapura, ftojmë të gjithë profesionistët që duan të kontribuojnë

13:41, 18/01/2020

Nga fjala e Kryetares së LSI, Monika Kryemadhi, në takimin me strukturat e LSI në Korçë:

"Fuqia e LSI ka qëndruar dhe qëndron gjithmonë tek bashkimi. Fuqia për ta bërë Shqipërinë vend të BE, për ta kthyer Shqipërinë në shtëpinë e shqiptarëve qëndron duke u bashkuar LSI me fuqinë e qytetarëve për të luftuar për kauzat e drejta, për të luftuar për ato vlera për të cilët shqiptarët në 1990 u ngritën për të përmbysur diktaturën dhe për të patur lirinë dhe demokracinë e vërtetë, për të patur atë të cilën shqiptarët meritojnë.  Ndaj për t’u bashkuar me qytetarët ne kemi një rrugë, hapjen e dyerve të LSI.

Të hapim dyert për të gjithë të rinjtë dhe të rejat. Në emër të LSI, në emër të Shqipërisë, në emër të Dekadës së Re, e cila do të jetë dekada e ndryshimit e shpresës ndhe dekada e integrimit evropian të Shqipërisë. Sepse LSI 15 vitet e saj, ku investimi i të gjithë atyre burrave dhe grave, i gjithë atyre të rinjve dhe të rejave, i gjithë asaj forcë intelektuale e cila ka qenë e përfshirë, i ka vënë në funksion të të gjithë atyre që duan të përfshihen në politikë, për të marrë vendime, për të qenë pjesë e vendimmarrjes jo vetëm që të lërë partitë politike, por të jenë ata që të marrin fatet e tyre në dorë, fatet e rinisë shqiptare, për t’u dhënë shqiptarëve shansin dhe mundësinë për të qenë të barabartë.

Në emër të dekadës së re, në emër të një politike të re që LSI ofron sot ftojmë të gjithë pedagogët e rinj, me plot energji dhe dije, që së bashku me LSI me të rinjtë dhe të rejat, me studentët tanë të ndryshojmë sistemin arsimor, që e ka kthyer studentin në klient dhe nuk e konsiderojnë studentin si një e ardhme e ndritur për të rimëkëmbëur më tej kombin dhe Shqipërinë.

Ftojmë mjekët e rinj, së bashku me humanizmin dhe përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm ndaj qytetarëve. Të afrohen dhe të ndryshojmë politikat, të ndryshojmë arrogancën e qeverisjes, të ndryshojmë atë metodë korruptive që Edi Rama instaloi në shëndetësinë shqiptare, ku i mashtroi shqiptarët me shëndetësinë falas dhe sot ato kanë shëndetësinë më të shtrenjtë në Europë.

Me këta mjekë të rinj, t’iu ofrojmë shqiptarëve të jetë të sigurt dhe shëndet të plotë. Sepse vetëm kështu ne do të konsolidojmë një familje të shëndoshë, me djem dhe vajza të shëndoshë dhe të fuqishëm, që e lartësojnë kombin tonë, që lartësojnë popullin tonë, të cilët me një familje të shëndoshë ne do të kemi dhe një shtet të fortë, me integritet dhe dinjitet.

Të ftojmë ekonomistët e rinj, të cilët së bashku me idetë e tyre novatore që kanë dëshirën për të reformuar ekonominë shqiptare, për të krijuar hapësira, për të ndryshuar klimën e biznesit, për të lejuar që ekonomia dhe biznesi të eci përpara, për t’iu dhënë të rinjve mundësinë që të krijojnë bizneset e tyre dhe të ndërtojnë familjet e tyre këtu.

Për të ulur taksat për biznesin, për të ulur të gjitha taksidarët në tokë dhe jo t’i shikojnë shqiptarët dhe biznesin si një lopë për ta mjelur. Por duhet ta kenë biznesin partner dhe jo armik. Sepse biznesi i vogël dhe i mesëm është e gjithë ekonomia shqiptare, që mban shqiptarët me punë, me bukë dhe me shkollë. Sepse ato biznese të vogla që ropëtohen nga mëngjesi deri në darkë, duke konkurruar në mënyrë të drejtpërdrejtë me oligarkët, që me metoda manipuluese, duke përdorur instrumentet e shtetit, i gjobisin dhe i çojnë drejt falimentimit. Dhe ata me shpirt nëpër dhëmbë, mezi paguajnë taksat e larta të Edi Ramës, mezi paguajnë faturën e kripur të energjisë elektrike, mezi paguajnë faturën e ujit, mezi paguajnë shkollën e fëmijëve të tyre.

E pra, duke çliruar ekonominë, duke angazhuar këta ekonomistë të rinj, duke angazhuar djemtë dhe vajzat tanë, të cilët kanë dëshirë për ta bërë Shqipërinë, një vend i Bashkimit Europian, atëherë afrohuni në LSI, bëhuni pjesë e saj dhe ndryshoni këtë realitet kriminal dhe anti biznes për Shqipërinë që ka instaluar Rilindja.

Ku më mirë se në Korçë, të ftojmë agronomët, fermerët dhe blegtorët. Fusha e Korçës, një mrekulli. Mollët e saj, qepët e saj, produktet e saj, agroturizmi i saj. Si mundet Korça e cila ka mbajtur Shqipërinë gjallë me shekuj me produktet e saj, sot po varfërohet çdo ditë e më shumë?! 

Fshatrat e saj po zhvishen nga të rinjtë dhe të rejat, po largohen, por zbrazen, po ngelen vetëm të moshuarit dhe ata me lot në sy qajnë sesi pemët e mollëve thahen do ditë ose shkulen nga tokat sepse nuk ka njeri kush t’i punojë.

Si mundet Korça të hedhë në kanal qepët e mrekullueshme të saj, që edhe kur i pret nuk të nxjerrin lot nga sytë, por të falin dashuri?! 

Si mundet Korça e mikpritjes, Korça që me hotelet e saj, me restorantet e saj, me duart e arta të grave korçare, të ketë shitjet e produkteve në tavolina, produkte të skaduara që vijnë nga e gjithë bota, kur ne kemi produktet tona më të mira më të ëmblat dhe më të dashurat?! 

E ku më mirë se në Korçë mund të hahet dhe mund të gëzosh. Ku më mirë se në Korçë mund të jetohet. Pra ne sot kemi nevojë për ju agronomë dhe ju fermerë të ndryshojmë këtë politikë anti-shqiptare kundër bujqësisë shqiptare që ka instaluar rilindja.

Të ndryshojmë këtë politikë anti-shqiptare që ka instaluar rilindja kundër të rinjve tanë sepse ajo që është shumë e rëndësishme është që vetëm shqiptarët mund ta bëjnë Shqipërinë, nuk e bëjnë dot të tjerët.

Vetëm dashuria për tokën, dashuria për vendin e lidh të riun me shtëpinë e tij. Dhe kjo dashuri, nëse nuk e organizojmë, nëse ne nuk e stimulojmë, nëse ne nuk e flasim dhe e tregojmë me njëri tjetrin, kjo dashur do të venitet.

Misioni ynë është një mision shumë i qartë. Është një mision që ka të bëjë me besimin dhe shpresën që ky vend bëhet sepse ka njerëz që e duan këtë vend.

Ne sot jemi një vend i vogël dhe të varfër për shkak politikave qeverisëse, por ama jemi një vend i pasur dhe jemi një popull me një zemër të madhe dhe me një dashuri të madhe dhe vetëm kjo zemër dhe dashur do ta bëjë popullin më të pasur në botë për shkak të atyre që na ka falur Zoti, por dhe për shkak të dashurisë dhe të angazhimit të të gjithë të rinjve dhe të rejave shqiptar.

Sot jemi në Korçë. Unë para 2 muajsh isha në SHBA dhe kam takuar shumë miq tanë që jetojnë atje dhe që kanë ikur nga Shqipëria në këto vite.

Kemi takur Ervisin, i cili na merr çdo ditë në telefon dhe thotë do të vijmë, do të kthehemi. Na jepni shansin dhe mundësinë të vijmë, të rikthehemi në Shqipëri dhe ta ndërtojmë vendin tonë.

Si Ervisi janë me qindra dhe me mijëra të rinj dhe të reja, të cilët kanë energjinë, forcën, mendjen për të punuar dhe për ta zhvilluar biznesin e tyre. Prandaj është detyra jonë që të lëvizim, të zgjohemi, të ngrihemi kudo dhe të krijojmë mundësitë për të gjithë djemtë dhe vajzat tanë që jetojnë në Amerikë, në Gjermani, në Francë, në Angli. Për të gjithë ata të rinj dhe të reja që kanë shkuar si azil-kërkues në Francë dhe që qeveria shqiptare nuk morri asnjë masë edhe pse prej 3 vitesh e kishte një nga kushtet kryesore për hapjen e negociatave.

T’iu krijojmë infrastrukturën që të kthehen në Shqipëri, t’iu kthejmë besimin që ata nuk janë vetëm, por jemi shumë. Këtu sot jemi 600 vetë, nesër do të jemi akoma më shumë sepse secili nga ne do të komunikojë më shokun, me mikun, me komshiun, me familjarin e tij. Vetëm ne mund ta ndryshojmë këtë realitet. Jo ne politikanët si individ, por ne si qytetarë të thjeshtë.

Si motër, si vëlla, si vajzë, si bijë, si bashkëshorte, si nënë, si baba. Vetëm të gjithë bashkë mund ta ndryshojmë këtë realitet sepse Shqipëria ka nevojë për mbështetjen e qytetarëve.

Prandaj ju ftoj të gjithëve të ndryshojmë realitetin, të flasim dhe të vazhdojmë dhe të ecim përpara sepse përballja drejtpërdrejt me atë të cilën po i merr shpirtin dhe po i pi gjakun shqiptarëve është e vetmja rrugë. Nuk ka rrugë tjetër. As rrugën e kompromisit, as rrugën e dialogut, por është e vetmja rrugë. Me shqiptarët për të ndërtuar Shqipërinë. Kjo është e vetmja mundësi për të shëruar Shqipërinë nga sëmundja."
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco