Krerët e bandave që u liruan nga burgu nën qeverisjen e Edi Ramës

Krerët e bandave që u liruan nga burgu nën qeverisjen e Edi Ramës

16:38, 14/01/2020
A+ Aa A-

Gjykata e Krujes ka liruar sot nga burgu ish kreun e bandës së Durrësit, Endrit Dokle.

Dokle kishte marrë dënim me burgim të përjetshëm për krime të rënda të kryera në kuadër të të ashtuquajturës Banda e Durrësit. Dokle ishte i vetmi nga anëtarët e bandës së Durrësit i dënuar përjetësisht.

I akuzuar për një sërë krimesh të rënda, i forti i Durrësit nga sot do të jetë i lirë.

Image

Akuzat që rëndojnë mbi Endrit Doklen

“Krijim të organizatës kriminale”, sipas nenit 333/1 të Kodit Penal.

Kryerjen në kuadër të organizatës kriminale të veprave penale si më poshtë:

 “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Dritan Disha, ndodhur më datë 09.07.2000;

“Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Erion Lame, ndodhur më datë 14.01.2002;

 “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, ngelur në tentativë, në dëm të shtetasit Lulëzim Berisha, ndodhur më datë 05.04.2005;

 “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, ngelur në tentativë, në dëm të shtetasit Lulëzim Berisha, ndodhur më datë 05.05.2005;

“Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, ngelur në tentativë, në dëm të shtetasit Lulëzim Berisha, ndodhur më datë 30.08.2005;

 “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, ngelur në tentativë, në dëm të shtetasit Lulëzim Berisha, ndodhur në muajin gusht të vitit 2005;

-“Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Avni Gashi, ndodhur më datë 12.05.2005, vepra penale këto sipas neneve 79/d e 334/2 të Kodit Penal.

“Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, kryer në kuadër të organizatës kriminale, sipas neneve 109/1 -25 e 334/2 të Kodit Penal.

 “Moskallëzimit të krimit”, të kryer në kuadër të organizatës kriminale, sipas neneve 300 e 334/1 të Kodit Penal.

“Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, të kryera në kuadër të organizatës kriminale, sipas neneve

“Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, të kryera në kuadër të organizatës kriminale, sipas neneve 278/4 e 334/2 të Kodit Penal.

Por ky nuk është i vetmi personazh i botës së krimit që le qelitë e burgut gjatë qeverisjes së Edi Ramës.

Më herët janë liruar nga burgu edhe Lulzim Berisha, dikur mik e më pas armik i Endrit Dokles.

Image

Berisha u lirua në vitin 2016 në një proces larg vëmendjes së mediave dhe duke marrë liri me kusht për 5 vitet e mbetura të dënimit.

Në vitin 2014, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë rrëzoi dënimin me burg përjetë dhënë ndaj Lulzim Berishës duke lënë në fuqi dënimin me 25 vite burg.

Po kush është Lul Berisha?

Lulzim Berisha njihet si truri i “Bandës së Durrësit”, një organizatë kriminale përgjegjëse për disa krime të rënda në vend. 

Banda e Durrësit e ka nisur aktivitetin e saj që prej vitit 1998, ku Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.

Historiku i krimeve të Bandës së Durrësit
 
17 tetor 1998
Organizata kriminale e drejtuar nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet për vrasjen e shtetasit Dritan Sallaku, më 17 tetor të vitit 1998.

29 tetor 1998
Pa kaluar as dy javë nga vrasja e parë, mbi bandën e Durrësit rëndon akuza e dy vrasjeve të tjera. Bëhet fjalë për ekzekutimin e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja më 29 tetor 1998. Në këtë ngjarje u plagos edhe Marsel Sotiri.
 
22 gusht 1999
Një vit më vonë, i vetmi person që arriti t’i mbijetojë atentatit të 29 tetorit 1998. Ai që mbeti i plagosur një vit më parë, Marsel Sotiri, më u ekzekutua në një pritë, në lagjen Plazh të qytetit të Durrësit.
 
9 korrik 2000
Prokuroria akuzon bandën për një tjetër vrasje. Këtë herë për atentatin ndaj Dritan Dishës. Kjo vrasje ka ndodhur më 9 korrik 2000 në fshatin Shënavlash të Durrësit.
 
14 janar 2002
Një tjetër vrasje i është faturuar organizatës kriminale Berisha-Saliu. Më 14 janar të vitit 2002 i kanë zënë pritë dhe më pas është ekzekutuar shtetasi Ervin Lame në lagjen numër 3 të Durrësit
 
2003
Në vitin 2003, si pasojë e kontradiktave të brendshme, organizata është ndarë në dy organizata të tjera, të kryesuara respektivisht nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Të dyja këto organizata tashmë janë bërë rivale të njëra- tjetrës duke filluar një luftë ndërmjet tyre.
 
26 shkurt 2005
Pas kësaj ndarjeje, organizata e kryesuar nga Lulzim Berisha ka marrë hak ndaj rivales së saj duke organizuar atentatin për vrasjen e Klodian Saliut. Një nga ish-bashkëpuntorët më të ngushtë të Lul Berishës, Saliu u vra 26 shkurt të vitit 2005, pranë fshatit Maminas të rrethit të Durrësit.
 
13 tetor 2005
9 muaj më pas ka ardhur edhe kundërpërgjigja e ish- organizatës së Klodian Saliut. Tashmë ajo drejtohet nga Indrit Dokle, i cili akuzohet se ka kryer vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005 në Tiranë. Pas vrasjes, trupi i Gashit është hedhur në fshatin Romanat të Durrësit.
 
30 tetor 2005
Hakmarrja e grupit të kryesuar tanimë nga Indrit Dokle nuk është ndalur me kaq, por 27 ditë më vonë ai ka organizuar vrasjen e Ilir Kolgjinit, mik i Lul Berishës.

Vrasja ka ndodhur më 30 tetor të vitit 2005 pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Seriali i vrasjeve u bë edhe më i qartë kur në pranverën e vitit 2006 u arrestuan shtatë persona, mes të cilëve katër të akuzuar si vrasës me pagesë.
 
6 prill 2006

Data e mësipërme do të shënontë goditjen e një prej bandave më të rrezikshme në vend në Tetovë. Lulzim Berisha, njeriu që e drejtoi për 10 vjet me radhë “bandën e Durrësit” mes vrasjesh e trafiqesh droge dhe armësh do të arrestohej në Maqedoni pas një urdhëri ndërkombëtar arresti të lëshuar nga Shqipëria.

Pas tij rradhën e kishte Nehat Kulla i njohur gjatë vitit famëkeq 1997 si ‘gjenerali’.

Image

Kulla ishte i dënuar me 20 vite burg për vrasjen e Halim Gjuzit shoferit të Halit Shamatës, ish-ministër i Brendshëm i Shqipërisë gjatë periudhës 1 korrik 1996 - 1 mars 1997.

Kulla u arrestua në vitin 1999 dhe u dënua me burg për vrasjen e kryer.

Pas 20 vitesh ai ka lënë qelitë, duke përfunduar dënimin e marrë.

Nehat Kulla është arrestuar për një vrasje të ndodhur më 23 korrik 1998. Ngjarja ka ndodhur në autostradë në afërsi të Golemit. Referuar dosjes së akuzës Halim Gjuzi ka qenë duke udhëtuar në një automjet bashkë me familjen e tij.

Dëshmitarët kanë pohuar se Halim Gjuzi është qëlluar me armë zjarri në prani të familjes së tij, ku bënin pjesë edhe dy fëmijët. Gjuzi ishte duke udhëtuar drejt qytetit të Durrësit i shoqëruar edhe nga dy miq të tij italianë.

Policia në raportin e saj për ngjarjen e 20 viteve më parë ka shënuar se autori i krimit ndodhej në një ‘Shevrolet’ me targa ushtarake shtetërore.

Ndërsa pas “gjeneralit”, rradha do ti vinte të fortit të Beratit Lulzim Caka.

Image

Caka,i njohur  për krimet gjatë viteve 1997-1999, ka lënë sot ambientet e burgut të Fushë-Kosovës, pasi ka përfunduar dënimin. Caka doli në skenë pas vitit 1997, kur krerët e bandave kriminale nuk fshiheshin më dhe sfidoi drejtësinë, pasi është liruar nga burgu disa herë për mungesë provash.

Ai ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Pëllumb Eminit, si dhe për tentativën për vrasje të Gani Malushit dhe Ilir Ngresit.

KUSH ËSHTË LULZIM CAKA:

Lulzim Caka, një nga krerët e bandave kriminale që ka vepruar gjatë viteve 1995-2000 në zonën e Beratit, Fierit dhe Lushnjës, i akuzuar për disa vrasje dhe i dënuar me 25-vite burg i është drejtuar për “prishje të vendimeve” Gjykatës Kushtetuese në dt. 19.12.2012,Gjykatës së Apelit në Vlorë në dt.28.04.2015 dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë në vitin 2017.

Gjykata e Apelit Vlorë, në 19 Dhjetor të vitit 2012, e dënoi Cakën me 25 vjet heqje lirie për veprat penale të “vrasjes me dashje”, “vrasjes në rrethana cilësuese, mbetur në tentativë” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.

Ngjarja për të cilën u dënua Caka ka ndodhur në muajin Mars të vitit 1998, ku Caka i ka bërë rezistencë forcave të policisë.

Caka,i sapo liruar nga burgu me një manipulim dokumentesh, i ishte kthyer aktivitetit të tij kriminal. Pas një informacioni për vendndodhjen e tij në fshatin Pobrat në Berat, është angazhuar për kapjen e tij e gjithë Drejtoria e Policisë së Beratit. Forcat e policisë, të kryesuara nga Gani Malushi dhe Ilir Ngresi (që kanë humbur jetën nga atentate më pas), rrethuan Cakën së bashku me dy bashkëpunëtorë të tij, por të armatosur me kallashnikov, ata i bën për rreth gjysmë ore qëndresë policisë.

Caka u kap i plagosur, ndërsa bashkëpunëtori i tij,Xhevahir Çela,mbeti i vrarë. Pas kësaj ngjarjeje, Lulzim Caka akuzoi shtetin që dha urdhër për eliminimin e tij, ndërsa nga hetimet rezultoi se Lulzim Caka i njohur ndryshe si “i forti” i Beratit kishte qëlluar edhe ndaj shokut të tij.

Lulzim Caka do të mbahet mend për sfidat e tij ndaj drejtësisë shqiptare. Ai u arrestua dhe më pas u lirua për mungesë provash disa herë. Cakaj i shpëtoi burgosjes së përjetshme falë mbrojtjes së kualifikuar, por edhe për faj të gjykatave që i hapën rrugën drejt lirisë me rishikim vendimi. Lulzim Caka u soll në Shqipëri në vitin 2003,pas një marrëveshjeje ekstradimi me Italinë dhe pas 16-viteve burgim,tashmë konsiderohen të shlyera 25-vitet e dënimit.

Ndaj Lulzim Cakës rëndojnë një sërë ngjarjesh të frikshme, ku ngjarja më e tmerrshme është ajo e nënës së tij, Xhevrie Caka,pasi ajo kishte shkuar për të takuar të birin që ndodhej i arrestuar në Fier. Mamaja e Cakës u rrëmbye në derën e Komisariatit të Policisë në vitin 1999 dhe u gjet e masakruar në pyllin e Semanit dhe Caka u betua për hakmarrje. Ai u arratis nga burgu dhe në mes të fshatit Samaticë vrau dy nga autorët e vrasjes së nënës së tij Valter Bega dhe Mariglen Cami, piramidën e krimit në fillim të viteve ’90 për  të Beratit. Në vitin 1995 ai u përfol për vrasjen e arkëtarit të Kutallisë,ndërsa më pas si friksoi këdo që udhëtonte në aksin nacional Berat-Fier,pasi shpesh postblloqet e tij me njerëz të armatosur sulmonin automjetet. 

Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presim të fortin e rradhës që do të lerë qelinë e burgut... /Syri.net

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Daj Jaku16/01/2020 23:46

Gjithmonë para zgjedhjeve lirohen kriminelët, punësohen në bashki, përdoren si kontigjent paraushtarak për grabitjen, përdhunimin e votave. Bëni reformë/mashtrim zgjedhor me E Dramën/Rubiba Hajdaren/Damian Gjiknurin dhe kaloheni në Pirdhament. Në fund fituesin e vendosin banditët dhe kriminelët. Modeli i E Dramës e ktheu Shqipërinë në kohën e Haxhi Qamil Dum Babës. Prandaj edhe të gjithë shajnë Esad Pashën sepse vari Haxhiun.

Altjer Xhaferi14/01/2020 18:50

Gjynaf nxirrni keta legenat cerrat dhe lini ne bueg Zani Caushin dhe GaXhain (gazmend braken), late nam

Shto koment

Denonco