Blushi-Dvoranit: Ruaj qetësinë, videot nuk kanë nisur të publikohen akoma

Blushi-Dvoranit: Ruaj qetësinë, videot nuk kanë nisur të publikohen akoma

16:27, 12/12/2019
A+ Aa A-

Zëdhënësi i Presidentit Meta, i është përgjigjur kreut të KED, Ardian Dvoranit, pasi ky i fundit tha në një dalje publike tha se ‘i sjell në vëmendje “sqaruesit”, që çështjet e rendit të ditës së një mbledhjeje nuk janë kokrra mollësh që vetëm numërohen, por janë çështje që kuptohen dhe dallohen në përmbajtjen e tyre.

Blushi i kujton Dvoranit të mbledhë mendjen dhe të mos dëmtojë provat pasi do ta rëndojë më tej pozitën e tij.

‘Dvoran, ruaj qetësinë dhe mblidh mendjen!

Të lutem mos dëmto provat se do rëndosh më shumë pozitën tënde!

Më thonë gazetarët se paske publikuar dhe një video? Shumë mirë!

Vetëm ruaj qetësinë me videot, se publikimi i tyre nuk ka filluar akoma!

Ne e dimë që ty të kanë ngatërruar në anglisht, por do të sqarojmë edhe në shqip!

Ndaj bën mirë t’i publikosh vetë i pari të gjitha provat dhe videot!

Megjithatë, ne me shumë qetësi po presim hetimin!

Reforma në Drejtësi do ecë përpara dhe askush nuk mund ta ndalë dot!-shkruan zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi.

Më herët, në një deklaratë për mediat Ardian Dvorani, tha se nuk kishte deklaruar se, nëse ai vihet nën hetim, bllokohet puna e KED.

Më poshtë deklarata e tij:

Nëpërmjet medias, vij në dijeni të një ‘sqarimi’ të zëdhënësit të Presidentit të Republikës i cili, me këtë rast, paska vendosur pikat mbi ‘i’, duke qetësuar opinionin publik dhe këdo të interesuar se ‘alibia’ ime në komunikimin e djeshëm me median që nëse ndiqem penalisht bllokohet edhe veprimtaria e KED, nuk mund të ndodhë sepse ligji e ka të zgjidhur këtë situatë.

Gjatë gjithë kësaj kohe kam zgjedhur të jem i përmbajtur në komunikimin publik dhe të mos përfshihen në lojërat mediatike të cilat jo pak funksionarë publikë i kanë shumë përzemër, më shumë se sa kujdesin për të përmbushur detyrat që u ngarkon Kushtetuta e ligji, si edhe pritshmërinë e publikut. Kështu do të vazhdoj, të ushtroj deri në fund kompetencat, pa u shpërqëndruar nga të tilla fenomene. Ushtrimi i detyrës dhe dinjiteti i funksionit që kam, më kërkon të mos i përgjigjem këtyre lloj lojërave, nëse nuk është e domosdoshme për të mbrojtur autoritetin kushtetues të KED, të anëtarëve në përbërje të tij dhe figurën e dinjitetin tim në cilësinë e gjyqtarit.

Edhe në këtë rast mund të mos përgjigjesha, nëse nuk do të shikoja të njëjtën sjellje prej recidivësh në shfaqjen publike të të pavërtetave dhe gjysmë të vërtetave, me të cilat së paku vetëm transparencë nuk mund të bëhet.

Ndryshe nga sa paraqitet në këtë ‘sqarim’, unë jo vetëm nuk kam deklaruar, por as edhe nuk kam lënë të kuptohet se KED bllokohet nëse i nënshtrohem ndjekjes penale. Përkundrazi, në përgjigje të pyetjes së gazetares jam shprehur qartë, në gjuhën shqipe, se nëse ndiqem penalisht nuk mund të ushtroj më funksionin (në KED). I ndërprerë nga pyetja tjetër e gazetares, jam përgjigjur se KED, pra edhe ai i vitit 2020, do të vlerësojë situatën, duke u shprehur qartë se ka zgjidhje edhe për këtë lloj situate. Pa u menduar gjatë, kushdo e kupton se nuk bëhet fjalë për bllokim të KED. Kjo nuk mund të ndodhë.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco