Përse ndërkombëtarët hezitojnë të derdhin para në `arkën e Ramës`?

Përse ndërkombëtarët hezitojnë të derdhin para në `arkën e Ramës`?

13:22, 12/12/2019
A+ Aa A-

I vetmi rast i bujshëm, i cili u dokumentua me video nga qytetarët dhe media e më pas, edhe nga policia për vjedhjen e ndihmave për të goditurit nga tërmeti, ishte ai i një zyrtari të lartë të shtetit; shefit të Rendit në komisariatin e Rinasit.

Frika, dyshimi, mosbesimi e madje bindja se kjo qeveri dhe struktura e saj administrative nuk e ka integritetin e duhur për të menaxhuar fondet dhe ndihmat post-tërmet shfaqet hapur, brenda dhe jashtë vendit.

Kështu fondacionet e bamirësisë të drejtuara nga Arbër Hajdari, Elvis Naçi dhe Marin Mema refuzuan prerë që të bashkojnë fondet e mbledhura me ato të qeverisë. Prej saj kanë kërkuar vetëm, që të koordinohen për vendin ku do të ndërtojnë banesat për të pastrehët. Mosbesimi i tyre ka shkuar deri aty sa që edhe sigurimin e konstruksioneve po i negociojnë vetë, siç është rasti i shtëpive antisizmike dhe ekologjike që prodhohen në Turqi me çmime të pranueshme.

Mjafton që të shohësh diferencën e jashtëzakonshme të shumave që shqiptarët kanë derdhur te fondacionet bamirëse, me ato në llogarinë e qevrisë `e-Albania`, për të kuptuar se deri ku shkon mosbesimi.

Po frikën se kjo qeveri të vjedh edhe në këto kohë tragjedish, duket se nuk e kanë vetëm shqiptarët, të cilët e kanë provuar në kurriz të tyre gjatë këtyre 7 viteve.

Edhe ndërkombëtarët po shfaqen mosbesues dhe të kujdesshëm. I pari që ofroi ndihmë reale në emër të vendit të tij Turqisë, presidenti Erdogan, e bëri këtë në një mënyrë që injoron rolin e qeverisë Rama, edhe pse ky i fundit deklaron se e ka “vëllamë”.

Turqia do të ndihmojë me 500 banesa, por qeveria jonë do të përcaktojë vetëm terrenin në Laç, kurse me të tjerat nga fillimi deri në përfundim do të merren specialistët turq. Edhe disa vende anëtare të Konferencës Islamike që kanë deklaruar ndihma, nuk e kanë përcaktuar ende se në çfarë forme do të jenë ato.

Për sa i përket vendeve të BE-së, ndoshta është një rekord historik-global skepticizmi i tyre për të ndihmuar pas një katastrofe të tillë, një vend që mëton të bëhet anëtar i Klubit.

Bashkimi Europian, nëpërmjet KE-së, ka akorduar ndihmën prej 15 milionë eurosh, shumë më e vogël kjo se ajo e dhënë nga të gjithë shqiptarët nëpërmjet fondacioneve të bamirësisë.

Por edhe për këto para, ende nuk dihet nëse do të jepen kesh që t’i menaxhojë qeveria, apo nënkuptojnë ndihmë me specialistë të fushës së rindërtimit. Komisioneri i KE e sqaroi se kjo shumë jepet me një kusht të fortë: Transparenca e faturës.

Nga ana tjetër, duke nisur me SHBA, Gjermaninë dhe të gjitha qeveritë e vendeve perëndimore, ende nuk ka referime konkrete për ndihma financiare. Deri më tani ka qenë e pakursyer asistenca me specialistë të fushës që po veprojnë në terren, por për sa i përket asaj që kërkon Edi Rama (para të thata) ende asnjë gjë.

Qeveritë e këtyre vendeve kanë deklaruar njëzëri, se gjenden pranë popullit shqiptar dhe do ta ndihmojnë atë për të tejkaluar këtë situatë katastrofike, ndërkohë që pritet edhe një konferencë ndërkombëtare donatore.

Përse gjithë kjo stepje për të akorduar financat e duhura për qeverinë e Tiranës në këto kohë të vështira, pas katastrofës së 26 dhjetorit?!

Përgjigjen e gjen te të gjitha raportet e Departamentit të Shtetit për korrupsionin dhe ato të BE-së.

Por mjafton që të citojmë vetëm pikët 4 të dokumentit-kusht që prodhoi parlamenti gjerman së fundmi, me rastin e hapjes së negociatave, pak kohë më parë.

“Kërkohen përparime solide në luftimin kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe zyrtarë dhe politikanë të lartë. Këtu hyjnë hetime proaktive gjegjësisht ndjekje penale dhe dënime për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar”, shkruhet tekstualisht në këtë dokument.

Pra qeveria Rama, prej kohësh nga të gjitha kancelaritë ndërkombëtare ka në ballë damkën e korrupsionit, në nivelet më të larta të saj.

Si mundet SHBA (për shembull) të ketë besim, kur shohin që Vangjush Dako të cilit i është ndaluar përjetë hyrja në vendin e tyre (`për korrupsion domethënës`), shfaqet si protagonist në krah të kryeministrit Rama dhe brenda ambienteve të baskisë, e cila do menaxhojë situatën në Durrës?!

Edhe aktivisti shqiptaro-amerikan, Ekrem Bardha deklaroi dje për VOA se 'paratë e grumbulluara edhe mund të keqpërdoren'.

Çfarë garancie kanë paratë e ndërkombëtarëve kur në krye të Komitetit të Rindërtimit Rama vendos pikërisht ish-ministrin e Financave Arben Ahmetaj, i cili njihet si `tigri` i koncesioneve abuzive dhe u largua nga detyra nga presioni i tyre?!

E gjitha kjo mund të përmblidhet tek ajo që deklaroi së fundmi përfaqësues i Diasporës, Flori Haçkaj, i cili mban edhe titullin `Ambasador i Kombit`, në një lidhje nga Zvicra për emisionin "Tempora”: “Nëse Arben Ahmetaj, që ishte Ministër i Financave për gjithë këto vite, vendosi ta marrë kryeministri si menaxhues të këtyre fondeve, kjo është e tmerrshme. Nëse nuk ka ndëshkueshmëri, nuk ka si të ketë besim për mirëmenaxhim të fondeve. Prishjet duhet të ishin ndaluar, ndërsa prishjet ishin e para gjë që u bë”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Arberi12/12/2019 21:00

Arben Ametaj eshte Arsen Lypeni shqiptar hajdut me Çizme dhe i pari qe do shkoj ne Burg eshte ky njeri.

Shto koment

Denonco