Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

‘Syri’ i përgjigjet gjobës së Edi Ramës

‘Syri’ i përgjigjet gjobës së Edi Ramës

10:56, 11/12/2019
A+ Aa A-

Gjykata e Tiranës, e frymëzuar nga sulmet frenetike të Kryeministri Edi Rama ndaj medias dhe e frikësuar nga kërbaçi i vetingut, ka dhënë një vendim të shëmtuar që paralajmëron përkeqësimin e lirisë së shprehjes në vend.

Konkretisht, Gjykata e Tiranës, në bazë të padisë së bërë nga thjeshtra e shefit të qeverisë shqiptare, Rea Xhilllari, ka dënuar në mënyrë të qëllimshme dhe selektive 7 portale informacioni, mes të cilave edhe SYRI.net.

Bëhet fjalë për një lajm të publikuar nga SYRI.net dhe 6 portalet e tjera me titullin 'Rea Xhillari, vjaza e Linda Ramës bashkëjeton me Gent Cakajn' në 17 prill të 2019-ës.

Për sqarim të opinionit publik, lajmi i publikuar në portalet SYRI.net, JETAoshQejf, FaxWEB.al, BoldNews.al, 360grade.al, Telegrafi.al, Standard.al ka ripublikuar mot a’mot (fjalë për fjalë) një artikull të publikuar më parë në median GazetaImpakt.com.

E sjellim në vëmendje këtë fakt sepse ajo që bie në sy që në nisje të aksionit ligjor nga zonjusha Rea Xhillari, është se padia nuk e përfshin median (GazetImpakt.com) që është burimi fillestar i publikimit, por është e përqendruar vetëm tek mediat që e kanë ripublikuar këtë material.

Dhe që të 7-a mediat e mësipërme rezulton të jenë qartazi në opozitë me qeverisjen e kryeministri Edi Rama. Për më tepër, në materialin e ripublikuar nga 7 mediat e mësipërme, fjalët “bashkëjetues”, “dashuri e fshehtë” dhe “konspiracion” janë të gjitha në thonjëza. Ky vendim injoron atë që njihet si kodi i vjetër i medias që thotë se “përpara se të shkojë në gjykatë, paditësi duhet të kërkojë heqjen dhe përgënjështrimin e një lajmi”.

Fakti që thjeshtra e Ramës ka shkuar direkt e në gjykatë duke mos tentuar të kontaktojë asnjë redaksi për përgënjeshtrimin e lajmit, ashtu siç kanë bërë gjithmonë politikanë të tjerë apo familjarë të tyre, tregon se qëllimi nuk ka qenë nxjerrja në dritë e të vërtetës, por përdorja nga ana e njerkut për të goditur financiarisht mediat opozitare me të.

Një tjetër fakt që e bën qesharak dhe të qëllimshëm vendimin e Gjykatës së Tiranës, është edhe selektiviteti i dënimit financiar të disa portaleve në krahasim të disa të tjera, kur në fakt materiali i ripublikuar është me përmbajtje të njëjtë. Vendimii Gjykatës së Tiranës vjen fiks në kohën kur Kryeministri Edi Rama e ka krahasuar punën e medias si më të dëmshme se efektet tragjike të tërmetit që goditi vendin në 26 nëntor.

Gjatë periudhës post-tërmet, dy media online u sulmuan në mënyra të ndryshme sipas urdhërave publike të Edi Ramës, ku fillimisht portali JetaoshQejf u mbyll pa afat dhe administratorët e saj u shoqëruan me forcë në polici me pretendimin se hapnin panik, ndërsa pak ditë më pas edhe portali Dosja.al u bllokua për 24 orë duke përdorur mekanizma banalë, por që dukshëm janë në vazhdën e represionit të telekomanduar qeveritar.

Po ashtu ky vendim vjen në një kohë kur me procedurë të përshpejtuar kryeministri Edi Rama ka futur në komisionet kuvendore projektligjin Anti-shpifje, draft i cili është kritikuar gjerësisht nga organizatat ndërkombëtare si OSBE, Këshilli i Europës dhe së fundi edhe nga dy federatat kryesore të medias ndërkombëtare dhe asaj europiane.

‘Syri’ do të denoncojë me forcë të gjitha përpjekjet për shtypjen e fjalës së lirë sikundër do mbetet gjithmonë i hapur për këdo që kërkon të shprehë të vërtetat e tij apo të përgënjeshtrojë ato të Syrit, por kurrë nuk do të përkulet përballë presionit të një kryeministri që pasi ushqen familjarët e tij me fonde publike, pasi i nginj me para që vijne nga kompani offshore, kërkon që t’i majmë dhe me gjoba ndaj atyre pak mediave që kanë vendosur t’i bëjnë oponencë.

Ky vendim do të apelohet e më pas, nesë do lindë nevoja, do dërgohet dhe në Strasburg aty ku drejtësia jo e kapur dhe jo e nënshtruar do të vendosë nderin e gjithësekujt në vend.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

t11/12/2019 13:31

Syri deri tani eshte ne rregull,por L.Bashen nuk do ta kete kurre avokat mbrojtes

Shto koment

Denonco