OSBE: Projektligjet e medias ‘kanë nevojë për përmirësime të mëtejshme’

OSBE: Projektligjet e medias ‘kanë nevojë për përmirësime të mëtejshme’

13:15, 09/12/2019
A+ Aa A-

Përfaqësuesi i OSBE për Lirinë e Medias Harlem Desir deklaroi të hënën se projektligjet e qeverisë që synojnë të ‘disiplinojnë’ median online ‘kanë nevojë për përmirësime të mëtejshme’, duke hequr në këtë mënyrë alibinë e socialistëve se draftet ‘janë konsultuar’.

Një ekspert i thirrur nga Zyra e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias Harlem Desir ka rrëzuar sërish projektligjet e qeverisë së kryeministrit Edi Rama që synojnë ‘disiplinimin’ e medias online, duke i konsideruar amendamentet si jo në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të tilla që nuk ofrojnë garanci për lirinë e shprehjes në Shqipëri.

Deklarata e Desir të hënën, një ditë para se komisioni parlamentar i ligjeve të vijojë procedurën e ‘konsultimit’ të projektligjeve, merr rëndësi të veçantë për shkak se deputetja socialiste Klotilda Bushka ka deklaruar më herët se draftet e fundit në shqyrtim ‘janë konsultuar’ me zyrën e Desir.

Pas publikimit të opinionit të zyrës së Desir, rezulton se qeveria me të vërtetë është konsultuar, por draftet e prezantuara prej saj në parlament nuk kanë reflektuar vërejtjet e dhëna nga zyra e Desir dhe se ato vijojnë të mos jenë në përputhje me detyrimet që Shqipëria ka ndaj OSBE-së.

Eksperti Dr. Joan Barata Mir sugjeroi që projektligjet së paku të përfshijnë të drejtën që media të ankohet para gjykatës ndaj vendimeve të Këshillit të Ankesave, ndërsa roli i AKEP për të kontrolluar përmbajtjen e faqeve të internetit të eliminohet në tërësi.

Krahas publikimit të opinionit, Desir publikoi një deklaratë, në të cilën falënderoi qeverinë shhqiptare për bashkëpunimin si shprehu kënaqësinë që drafti i ri ka reflektuar një pjesë të vërejtjeve të mëparshme, por duke sugjeruar që projektligjet sërish ‘kanë nevojë për përmirësime’.

‘Bazuar në analizën ligjore, përfaqësuesi ka rekomanduar modifikime të tjera të shumta që duhet të inkorporohen në draftin ekzistues, në mënyrë që të qartësohen masat mbrojtëse për lirinë e shprehjes dhe të shmanget çdo rrezik për kufizime të papërshtatshme apo sanksione ndaj ofruesve të medias elektronike,’ deklaroi Desir.

Image

‘Ka rëndësi të jashtëzakonshme të vendoset një klauzolë që garanton që të gjitha vendimet e AMA mund të apelohen para një gjykatësi kompetent menjëherë pas miratimit të tyre,’ deklaroi Desir. Në projektligjin aktual, AMA vendos gjoba, të cilat duhet të paguhen menjëherë ose mblidhen me forcë nga përmbarimi pa pasur të drejtë që pala e prekur të ankohet në gjykatë.

 ‘Një pikë e dytë e rëndësishme në këtë çështje janë gjobat në rastet e shkeljes së ligjit. Neni 133 vijon të referojë gjoba ekonomike shumë të larta dhe eksesive në raste shkeljesh. Gjoba të tilla mund të sjellin mbyllje të medias dhe mund të shihen si presion indirekt,’ vijon më tej deklarata.

Qeveria shqiptare është përballur me një lumë kritikash në lidhje me projektligjet që Rama ka ndërmarrë me iniciativë të vet për atë që e quan ‘nevojë për të disiplinuar’ median online.

Projektligjet, të cilat janë sorollatur tashmë që prej një viti në procese të ndryshme konsultimesh, gjenden aktualisht në parlament, ku nuk është e qartë se cili variant është aktualisht në procedurë miratimi. /Reporter.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco