Lajmi i fundit

LIVE/ PD, aktivitet për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Paketa me 5 pika për rimëkëmbjen e biznesit të prekur nga tërmeti/ Basha: Ndihma më e mirë për ruajtjen e mijëra vendeve të punës

Paketa me 5 pika për rimëkëmbjen e biznesit të prekur nga tërmeti/ Basha: Ndihma më e mirë për ruajtjen e mijëra vendeve të punës

16:37, 07/12/2019
A+ Aa A-

Tërmeti i 26 nëntorit nuk ka shkaktuar vetëm dëme materiale në godina dhe makineri për bizneset e Durrësit. Sipërmarrësit lokalë iu ankuan kryetarit të PD, Lulzim Basha se kanë humbur edhe punëtorët si pasojë e largimit të qytetarëve nga Durrësi.

Të tjerë punonjës duhet të punojnë me orare të reduktuara për shkak se kanë humbur shtëpitë dhe strehohen në distance më të largëta.

Kreu i PD, Lulzim Basha u njoh nga afër me gjendjen e bizneseve të prekura nga tërmeti i datës 26 nëntor në Durrës. S

hqetësimi që sipërmarrësit lokalë i shprehën kreut të PD është se janë me qindra bizneset që janë dëmtuar jo vetëm në godina, por edhe në forca pune, si pasojë e largimit të qytetarëve nga Durrësi, duke shkaktuar rënien e prodhimit.

Për këtë arsye, lideri i opozitës propozon edhe 5 pika, të cilat sipas tij, janë masa me efekt të menjëhershëm.

Sot inspektova disa prej sipërmarrjeve në Durrës, ndërsa pasditen e djeshme u takova me përfaqësues të Asamblesë së Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë së Durrësit.

Tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar pasoja të rënda ekonomike dhe sociale. Ndërprerja dhe reduktimi i aktivitetit ekonomik, dëmet në struktura, makineri dhe inventar, fatura financiare, pezullimi i punës nga një numër jo i vogël të punësuarish banesat e të cilëve janë shkatërruar apo dëmtuar rëndë; këto janë problemet kryesore me të cilat po ballafaqohet sipërmarrja.

Ndërkohë duhen paguar taksa, tarifa dhe fatura, kontratat me palët e treta, jashtë dhe brenda vendit mbartin detyrime kohore dhe financiare, sikundër bizneset përballen me pagesat e kësteve të kredive bankare. Sipërmarrësit nuk kanë ndërprerë pagat për të goditurit nga tërmeti edhe kur këta të fundit nuk kanë mundur të vijnë në punë prej 10 ditësh, shumë prej sipërmarrësve po kontribuojnë për riparimin e dëmeve në banesat e punëtorëve të tyre si dhe po ndihmojnë me sa munden në forma dhe mënyra të tjera.

Njësitë e hoteleri-turizmit po përballen me rënie dramatike konsumi dhe i tremben rënies apo anulimit të prenotimeve.

Pas një konsulte me përfaqësuesit e Asamblesë së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit, me ekipin ekonomik të Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar dhe ekspertë të fushës, si dhe bazuar mbi përvojat e ngjashme në vende fqinje, me qëllim për të shmangur futjen e Durrësit në një “dimër” ekonomik dhe social me pasoja të rënda për të gjithë vendin, në emër të Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar propozoj këto masa me efekt të menjëhershëm:

1. Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore gjatë periudhës së rindërtimit për të gjithë operatorët ekonomikë me aktivitet në zonat e prekura.
2. Përjashtimin nga tatim fitimi për të gjitha subjektet që e ri-investojnë fitimin për të rikuperuar dëmet e tërmetit.
3. Pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën deri në rikuperimin e dëmeve dhe pagesat e shtyra të kryhen me këste pas periudhës së rikuperimit.
4. Përjashtimin nga tvsh për të gjitha materialet, lëndët e para, mjetet kapitale që përdoren për rikuperimin e dëmeve.
5. Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit gjatë kohës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Gjithashtu i bëj thirrje sistemit bankar të riskedulojnë këstet e kredive në periudhën e rindërtimit për operatorët ekonomikë në zonat e prekura.

Kjo paketë e thjeshtë dhe realiste është ndihma më e mirë që mund ti jepet sipërmarrjes për rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë në zonat e goditura. Nga kjo varen mijëra vende pune dhe të ardhurat e dhjetëra mijëra familjeve.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco