Rama insiston për ligjin kundër medias: Shpifja në gjendjen e jashtëzakonshme duhet të dënohet

Rama insiston për ligjin kundër medias: Shpifja në gjendjen e jashtëzakonshme duhet të dënohet

07:40, 06/12/2019
A+ Aa A-

Kryeministri Edi Rama ka  këmbëngulur sërish sot në miratimin e  shpejtë në Kuvend të ligjit të shpifjes, lidhur me mediat, ligjin që është kundërshtuar me forcë nga organizatat e mediave dhe shoqëria civile.

Në 19 dhjetor, në seancën e fundit të Parlamentit, duhet të çojmë ligjin e posaçëm për rindërtim, se  rindërtimi nuk mund të bëhet me procedura normale dhe burokraci. Rindërtimin duhet ta koordinojë si agjenci, Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Mendoj se në këtë seancë,  duhet të përcaktojmë një klauzolë të veçantë në ligjin anti-shpifje, që besoj se do të hyjë në seancë në datën 19 më në fund, për Gjendjen e Jashtëzakonshme.

Shpifja në gjendjen e zakonshme është e dënueshme, shpifja në Gjendjen e Jashtëzakonshme duhet të jetë super e dënueshme.  Lajmet e rreme dhe lodrat mediatike në situata si kjo që kaluam janë kriminale. Mjafton rasti i Durrësit, një lajm kriminal i shpërndarë se “po bie spitali i Durrësit”, solli një të vdekur, pa llogaritur kaosin, pa llogaritur të plagosurit, në përpjekjen për të ikur nga spitali dynjaja, se doli nëpër “tendat” e medias lajmi se “po shembet spitali” dhe... spitali s’kishte asgjë! Këto janë gjëra që duhet të dënohen fort”, theksoi kryeministri.

Pse u kundërshtua ligji nga organizatat e mediave dhe OJQ?

Më 30 nëntor 2019, Këshilli Shqiptar i Mediave njoftoi se po ndiqte me shqetësim raportet e Qeverisë me median në situatën e rëndë të krijuar nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.  Në një deklaratë, KSHM ilustroi me fakte, presionin dhe dhunën që Qeveria po ushtron mbi to në këtë moment tragjik që po kalon vendi, si bllokimi në FB i një editoriali të Gazetës Dita.

Kritikat ndaj qeverisë nuk mund t’i dalojë askush, aq më tepër nën pretekstin e gjendjes së jashtëzakonshme, sidomos nëse janë të bazuara, tha KSHM.

Rasti i tretë ka të bëjë me bllokimin e aksesit në portalin JOQ në Shqipëri, një akt që bëhet në mënyrë të paligjëshme. Qeveria nuk mund të ndalojë qytetarët e as portalet të denoncojnë keq-menaxhimin e situatës (aty ku ka) dhe për më tepër, nuk mund të bllokojë një portal të tërë për një publikim të vetëm. Rasti i JOQ reflekton qartë se çfarë do të ndodhë me mediat në të ardhmen nëse Qeveria kalon ligjin famëkeq të ashtuquajtur “kundër-shpifjes”. Qeveria ka të drejtën të dërgojë për ndjekje penale këdo që ka shkelur ligjet, qoftë dhe në kuadrin e gjendjhes së jashtëzakonshme, por, nuk mundet të mbyllë me anën e AKEP-it dhe instrumenteve të tjerë, pa një vendim gjyqësor, asnjë media.

Mediat, duhet të përmban nga përhapja e lajmeve të rreme. Media ka për detyrë që sidomos në këtë situatë të ruhet nga publikimi i lajmeve të paverifikuara që mund të përhapin panik. Çdo lajm, në këtë periudhë, para se të përcillet si i vërtetë duhet të verifikohet me shumë saktësi. Jo çdo citim, qoftë dhe nga sizmiologë, duhet publikuar, nëse fjalët e thëna përhapin panik.

Gjithashtu, media duhet të evitojë të përdorë gjatë raportimit terminologji bombastike si “frikë”, “tmerr”, “apokaliptik”, etj, terma që nuk shprehin fakte por thjesht opinione të gazetarëve raportues.

Nga ana tjetër, Qeveria nuk duhet ta përkthejë gjendjen si një arsye për të ushtruar censurë mbi mediat, siç ishte rasti i Gazetës Dita dhe mbyllja e JOQ.

Por, për sa kohë që Qeveria lejon vetëm kamerat e ERTV të raportojnë mbledhjet e Qeverisë, kjo do të thotë që ajo bllokon aksesin e të tërave mediave në raportimin e saktë e të vërtetë të gjendjes e të situatës.

Bllokimi i informacionit dhe zëvendësimi i tij me propagandë nuk ndihmon as në qetësimin e publikut e as në menaxhimin e panikut. Ndaj, faji nuk duhet kërkuar te qytetarët që drejtojnë sytë kudo munden për t’u informuar, për sa kohë qeveria e tyre nuk ua mundëson këtë."

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco