Berisha: Mirënjohjen më të thellë Lui Zangës, ngushëllimet më të ndjera familjes

Berisha: Mirënjohjen më të thellë Lui Zangës, ngushëllimet më të ndjera familjes

12:52, 05/12/2019
A+ Aa A-

Nga Sali Berisha.

Ditë më parë ka mbyllur sytë përgjithmonë gazetari, publicisti dhe analisti i mirënjohur shqiptaro - amerikan, Nderi i Kombit, Loui Zanga.

Me ndarjen e Loui Zangas nga jeta, kombi ynë ka humbur njërin nga bijtë e tij të shquar, që i kushtoi jetën dhe energjitë e tij mbrojtjes së lirive të shqiptarëve të shtypur në Shqipëri nga diktatura hoxhiste dhe të atyre të pushtuar në Kosovë dhe viset e tjera në Jugosllavi.

Në dekada si bashkëpunëtor i “Zërit të Amerikës” dhe më vonë të “Radios Europa e Lirë”, Lui Zanga ishte një nga zërat e fuqishëm më të urtë, më të vlerësuar për komentet, analizat e tij, për gjendjen e shqiptarëve nën diktaturën staliniste dhe pushtimin serb.

Duke ndjekur me vëmendje dhe pasion të jashtëzakonshëm, zhvillimet në Shqipëri, Loui Zanga do të publikonte në vitin 1990 broshurën “Avokatët e Demokracisë në Shqipëri” me qëllimin fisnik që t’i nxiste intelektualët shqiptarë që të ndiqnin rrugën e grupeve intelektuale të vendeve të tjera ish-komuniste.

Unë kam patur fatin ta njoh dhe ta pres e ta takoj Lui Zangën në Shqipëri, por dhe në Mynih dhe ruaj përjetë në mendjen time, përshtypjet e thella të një burri fisnik, intelektuali të urtë dhe të mençur patrioti të vërtetë.

Ndaj ju ftoj të dashur miq, të shprehim mirënjohjen më të thellë për kontributin e çmuar të Lui Zangës për lirinë e shqiptarëve, ngushëllimet më të ndjera familjes së të ndjerit dhe lutemi që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar. Ngushëllime!

Ps: Për mungesë të një fotoje, po vendos foton e tij familjare ditën e akordimit të “Nderi i Kombit” në të cilën Lui është në krah të majtë të Presidentit Nishani.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco