'Heronjtë e Metropolit'/ Gazetari gjerman i rikthehet edhe një herë temës së mbrojtjes së Teatrit Kombëtar

'Heronjtë e Metropolit'/ Gazetari gjerman i rikthehet edhe një herë temës së mbrojtjes së Teatrit Kombëtar

15:50, 04/12/2019
A+ Aa A-

Gazetari gjerman Tom Mustroph i kthehet edhe një herë temës së mbrojtjes së Teatrit Kombëtar, këtë herë me një artikull në revistën "Theater der Zeit".

Luftën për Teatrin që zhvillohet në Tiranë përmes qëndresës sonë ai e ka pasuruar me shumë finesë me luftën e teatrit e me mjete teatrore në Prishtinë kundër keqbërjes së mafies së ndërtimit nëpërmjet analizës së pjesës "Pesë stinët e armikut të popullit" nga Jeton Neziraj.

Një ndërthurje e bukur që Mustroph e ka sjellë nën titullin "Helden den Großstadt - Heronjtë e metropolit".

Nga artikulli është shkëputur pjesa që ka të bëjë me qëndresën tonë dhe me pjesën e Jeton Nezirajt që më 6 dhjetor vjen në skenën e Teatrit Kombëtar.

Heronjtë e metropolit

Në Tiranë artistët mbrojnë teatrin e tyre përballë investuesve lakmitare, në Prishtinë një pjesë teatrale fajëson mafien e ndërtimit – dy aksione jo tërësisht të parrezikshme

“Monument kulture, mbrohet nga populli” qëndron e shkruar në një banderolë të madhe në hapësirën e lirë mes Ministrisë së Brendshme dhe Teatrit Kombëtar nga qendër të Tiranës. Pikërisht këtu, në pikëprerjen mes këtyre dy institucioneve, policët në korrik 2019 goditen fizikisht aktorë dhe regjisorë (shih gjithashtu TdZ 09/2019). “Ishte absurd: Policët që paguhen nga taksat tona, sulmuan qytetarët, që donin të mbronin nga shembja një monument kulture si Teatri Kombëtar”, thotë Neritan Liçaj, pjesëtar i trupës së Teatrit Kombëtar në kryeqytetin shqiptar dhe asokohe në mes të trazirave. Liçaj bashkë me kolegët e trupës së tij zhvillon shfaqje në një skenë rezervë sepse Teatri është larguar nga ndërtesa e teatrit e ndërtuar në vitin 1939 nga një arkitekt italian.

“Por Teatri im është këtu”, thotë ai dhe tregon për nga ndërtesa historike, që ai tani, bashkë me rreth pesëdhjetë aktivistë të tjerë, e ruan në një sistem me turne. Per ta është me rëndësi ruajtja e ndërtesës së vjetër të teatrit, por para së gjithash është me rëndësi qëndresa ndaj shndërrimit të plotë të bërthamës së qytetit në një parajsë tregtare dhe ndaj shitjes së pronës publike. Kulla prej 17 dhe 21 katesh janë parashikuar në planin e zhvillimit të zonës. Më shumë se 8000 m2 duhet të privatizohen.

Në shkurt 2018 nisi protesta. “Fillimisht zhvillonim një herë në javë takime para Teatrit, shpejt për shkak të mbështetjes së madhe nisi të zhvillohet në ritëm të përditshëm. Por kur në korrik 2019 policia deshi të sulmonte Teatrin, ne e morëm dhe prej atëherë e ruajmë ditë e natë”, tregon Lindita Komani, shkrimtare dhe një nga organizatorët e qëndresës. Për çdo mbrëmje artistë e qytetarë mblidhen para Teatrit. Janë sajuar mundësi për t’u ulur, është krijuar një arenë e vërtetë për debate politike. “Njerëzit flasin për probleme të përditshmërisë si papunësia, korrupsioni dhe mbi atë sesi shumë njerëz të rinj në moshë ende largohen nga vendi”, raporton Komani.

Më 28 tetor debatet u ndoqën nga monologu për teatër “Amerika”, një shfaqje e Teatrit Thalia Hamburg me regjinë e Bastian Kraft. “Duam t’i sigurojmë kolegët dhe koleget për mbështetjen dhe solidaritetin tonë”, thotë aktori Bekim Latifi, i lindur në vitin 1994 në Durrës. Ai shpreson që të tjerë do të ndjekin shembullin e tij. “Nëse këtu ka artistë ndërkombëtare, për policinë do të jetë e vështirë që të sulmojë ndërtesën”, mendon ai teksa sheh për nga ndërtesa e Ministrisë së Brendshme që nuk do të preket nga planet e shembjeve.

Disa ditë më vonë në Teatrin Kombëtar kosovar të Prishtinës aktori Armend Smajli sulmohet me shkumë të bardhë nga shuarëset e zjarrit. Një vdekje metaforike. Sepse Smajli luan në “Pesë stinët e armikut të popullit”, një përshtatje e “Armikut të popullit” nga dramaturgu kosovar Jeton Neziraj për urbanistin Rexhep Luci, i cili në vitin 2001 u vra në rrugë. Për kryeqytetin e Kosovës së pasluftës Luci kishte planifikuar parqe dhe transport lokal. Me këtë gjë, sikurse tregohet në pjesën teatrale, ai i kishte zënë rrugën mafies së ndërtimit. Në skena të përqendruara tregohet sesi një investues prototip josh sindikalistët - fjala kyçe: vende pune dhe sesi ai lidh pas vetes mediat përmes fushatave të reklamave. Urbanisti në fund është i izoluar – dhe vritet.

Me figurën e Rexhep Lucit, që ndërthuret me atë të heroit Stockmann nga drama “Armiku i Popullit” i Ibsenit, Neziraj arrin në një tjetër dimension të shkrimtarisë së tij. Përmes figurës tragjike të Lucit/Stockmann-it ai krijon çaste empatie. Arkitektura e tërësishme e kësaj përshtatjeje është më e pasur, shkon përtej humorit sardonik, që ishte tashmë shumë i theksuar edhe në pjesët mbi tendencat homofobike në shoqëri (“55 hijet e Gay”) ose për trafikun e organeve dhe korrupsionin në shëndetësi (“Hipokritet ose Pacienti anglez”).

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Afel04/12/2019 16:37

ARTISTE TË TË GJITHA KOMBEVE BASHKOHUNI ...SIDOMOS TANI PAS TERMETIT MOS LEJONI GJARPËRIN ME 7 KOKE TJU PREKË TEATRIN...ska çfarë tju bëjë.

Shto koment

Denonco