Deklarata/ Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit sqaron incidentin me ndihmat në Ministrinë e Brendshme dhe rrëmbimin me forcë të aktivistes

Deklarata/ Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit sqaron incidentin me ndihmat në Ministrinë e Brendshme dhe rrëmbimin me forcë të aktivistes

23:05, 02/12/2019

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka reaguar në lidhje me ngjarjen e sotme ku aktivisja Adriana Kalaja, u tentua të rrëmbehej me forcë nga individë civilë të paraqitur si Policia e Shtetit.

‘DEKLARATË PËR MEDIA

Sot në datë 2 dhjetor, rreth orës 11 të paradites, në sheshin midis Teatrit Kombëtar dhe Ministrisë së Brendshme, është afruar automjeti tip Mitsubishi me targa TR 1564F, i cili ishte i ngarkuar me qese të paketuara, të dukshme nga xhamat e mbrapëm të automjetit. Aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, të pranishëm në hyrjen e teatrit i tërhoqi vëmendjen logoja “Fundjave ndryshe”, fondacion i cili ka shpërndarë ndihma humanitare. Automjeti u parkua pranë derës së ministrisë ku filloi shkarkimin. Aktivistët tanë, janë afruar për të pyetur se përse këto ndihma po shkarkohen në Ministri, duke e bërë transparente me anë të videos komunikimin me punonjësit që po shkarkonin. Polici sqaroi aktivistët se janë prova materiale. Reagimi i këtyre të fundit ishte, se përse këto prova materiale në referim të akteve ligjore në fuqi, shkarkohen në Ministrinë e Brendshme dhe jo në organet e caktuara nga shteti.

Pas publikimit të këtij lajmi, Ministri Lleshaj reagon në faqen e tij të facebook-ut duke i cilësuar aktivistët si “pisa të pander dhe padinjitet”, “me shumë përvojë në poshtërsira përderisa imagjinata perverse e tyre prodhon turpe të tilla” duke arritur deri në kërcënim qytetarëve të tij me fjalët “ose të provoni lajmin e rremë ose të jepni llogari para ligjit si mashtrues ordiner që shfrytëzoni gjendjen e rëndë për të bërë biznesin e ndyrë me lajme të rreme”

Ndërkohë, punonjës të Drejtorisë së Policisë Tiranë, kanë kontaktuar nëpërmjet numrave 0694102614 dhe 0694116555, aktivistet e Aleancës, duke i kërkuar “miqësisht” që të jepen deklarata për ngjarjen. Aktivistët kanë refuzuar të japin deklaratë për sa kohë pamjet filmike shpjegojnë qartësisht cfarë ka ndodhur nga njëra anë si edhe vetë institucioni i Ministrisë së Brendshme vëzhgohet me kamera 24 orë në 24 nga ana tjetër.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i kërkon Ministrit të Brendshëm, të tërheqë menjëherë deklaratën fyese dhe denigruese. Të kërkojë falje publike qytetarëve, të cilët shërbyen qysh në orët e para të tragjedisë që kaploi vendin, mëngjesin e 26 Nëntorit, duke i kthyer hapësirat e Keatrit Kombëtar në qendër grumbullimi ndihmash humanitare. Qytetarët e Tiranës, të bashkuar nën fatkeqësinë natyrore që mori 52 jetë njerëzish dhe plagosi mbi 900 të tjerë, dhanë ndihmën emergjente ndaj të mbijetuarve atëherë kur shteti dhe strukturat e tij dështuan. Qendra humanitare e krijuar në Teatrin Kombëtar ad hoc, mirëpriti me mijëra qytetarë pjesë të Aleancës qytetarë të Teatrit. Mbi 15 mijë qytetarë të Tiranës kanë sjellë të mirat e tyre materiale nga shtëpia, rrobat e trupit, ushqime dhe gjithcka kishin tek Teatri Kombëtar. Nëse ne jemi hajdutë dhe pisa, bashkë më ne janë edhe 15 mijë qytetarë të Tiranës që na besuan.

Aleanca për Mbrojten e Teatrit e konsideron deklaratën e Ministrit, presion të pastër politik duke e trajtuar demokracinë si diktaturë ushtarake.’

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco