Gazetari grek: Tërmeti shpërtheu flluskën e ndërtimit në Shqipëri

Gazetari grek: Tërmeti shpërtheu flluskën e ndërtimit në Shqipëri

19:39, 02/12/2019

Një nga pyetjet që është shtruar në median shqiptare dhe të huaj ka qenë nëse gjithë ky investim në tregun imobiliar do të rezultonte një flluskë. Kjo nisur nga fakti se fuqia blerëse e shqiptarëve është tejet e ulët, ndërkohë që tre vitet e fundit po ndërtohej masivisht në Tiranë dhe Durrës.

Në një analizë të publikuar nga Televizioni pa Kufinj në Greqi, një media pranë qendrës së majtë, thuhet se tërmeti në Shqipëri shpërtheu flluskën e ndërtimeve.

Gazetari George Stamkos thotë se pasojat e këtij tërmeti janë të krahasueshme me atë të një lufte të vogël, edhe pse deri më tani nuk janë publikuar të dhëna për humbjet financiare në Tiranë dhe Durrës.

Sipas tij, shumë godina u ndërtuan me nxitim, me materiale të lira dhe pa specifikimet anti-sizmike për të mundësuar fitime të mëdha në një kohë të shkurtër.

Shkrimi ka tone tepër të zymta, megjithatë frika se tërmeti ka goditur një sektor jetik si turizmi, është e dukshme.

“Përpara tërmetit, pasuritë e patundshme në Shqipëri ishin vlerësuar nga ekspertët si të paktën 30 përqind të mbivlerësuara. Një flluskë me një ekonomi të tillë si Shqipëria, ku paga bazë është 150 euro, nuk është një çështje lehtësisht e menaxhueshme,” shkruan ai.

Në fund ai thotë se ekonomia shqiptare mund të përjetojë recesion pasi ky tërmet ishte një goditje fatale për ndërtimin dhe turizmin.

Gazetari shton se ekziston frika që kriza politike në vend të shpërthejë sërish, ndërkohë që nuk lë pa përmendur mundësinë e një tjetër vale largimi të shqiptarëve nga vendi. Sipas tij, kjo vjen në një kohë kur Shqipëria ka një problem demografik, me popullsinë që po plaket dhe lindjet gjithmonë në ulje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco