Gjykata Kushtetuese publikon emrat në faqen zyrtare/ Marsida Xhaferrllari konfirmohet anëtare

Gjykata Kushtetuese publikon emrat në faqen zyrtare/ Marsida Xhaferrllari konfirmohet anëtare

21:03, 19/11/2019

Marsida Xhaferrllari mund të quhet tashmë edhe ‘de facto’ anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Në orët e pasdites, faqja zyrtare e Gjykatës Kushtetuese ka konfirmuar emrat e anëtarëve të rinj të kësaj Gjykate, ku ndër të tjera është publikuar edhe përbërja, mënyra si zgjidhen anëtarët dhe kriteret që duhet të përmbushin.

Po kështu janë publikuar emrat e 5 anëtarëve: Vitore Tusha, Besnik Muçi, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji si dhe një CV e shkurtër e tyre.

Në këtë listë mungon Arta Vorpsi, e cila u betua te noterja.

Dr. Vitore Tusha, anëtare

Lindur më 26.11.1960 në Tiranë. Diplomuar në vitin 1983 në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, dega Drejtësi. Nga viti 1983 deri në vitin 1990 ka ushtruar detyrën e përmbarueses gjyqësore në Gjykatën e Rrethit Tiranë dhe më pas deri në vitin 1992 profesionin e avokatit. Në periudhën 1992-1994 ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Rrethit Tiranë dhe në vitet 1994-2001 atë të gjyqtares në Gjykatën e Kasacionit. Në vitet 1999-2001 ka qenë kryetare e Kolegjit Civil të kësaj gjykate. Në vitin 1997 ka marrë gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike”. Në vitin 2004 zgjidhet nënkryetare e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Nga viti 1986 e në vazhdim ka ushtruar mësimdhënien si lektore e së Drejtës Civile dhe Procedurës Civile pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës. Është bashkautore në hartimin e tekstit “Procedura Civile”. Ka marrë pjesë me cilësinë e ekspertes ligjore në hartimin e disa projektligjeve. Në mars të vitit 2008 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Prej vitit 2019 ushtron funksionin e zëvendëskryetares së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si dhe kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Besnik Muçi, anëtar

Lindur më 18.01.1973 në Pogradec. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1995. Në vitet 1999-2002 ka kryer studimet në Shkollën e Magjistraturës dhe ka marrë titullin “Magjistrat”. Nga viti 1995 deri në vitin 1998 ka ushtruar funksionin e oficerit të Policisë Gjyqësore dhe më pas deri në vitin 1999 profesionin e avokatit. Në periudhën 2002-2007 ka ushtruar funksionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nga viti 2008 deri në vitin 2019 ka qenë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ( në vitin 2013 drejtues i komanduar i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, në periudhën 2013-2014 zëvendësdrejtues i Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë dhe 2017-2019 drejtues seksioni). Në periudhën 2007-2014 ka qenë pedagog i jashtëm i së Drejtës Penale të Posaçme dhe i Procedurës Penale. Gjatë periudhës 2009-2018 ka qenë ekspert i trajnimit vazhdues pranë Shkollës së Magjistraturës. Në vitin 2011 ka marrë gradën “Master” në shkencat penale. Prej vitit 2014 është doktorant pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Me dekretin nr.11313, datë 15.10.2019 të Presidentit të Republikës është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Dr. Elsa Toska, anëtare

Lindur më 05.06.1976 në Kavajë. Diplomuar në vitin 2000 pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Në vitin 2005 ka marrë titullin “Master” në Studime Europiane në Rektoratin e Tiranës, ndërsa në vitin 2012 gradën shkencore “Doktore e shkencave juridike” në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Në vitet 2000-2006 ka punuar si ndihmëskomisionere/eksperte ligjore pranë institucionit të Avokatit të Popullit dhe në vitet 2006-2007 ka ushtruar profesionin e avokatit. Gjatë periudhës 2007-2019 ka ushtruar detyrën e këshilltares ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Prej vitit 2005 e në vazhdim është lektore e së Drejtës Administrative dhe Kushtetuese në universitete të ndryshme, si dhe trajnere e të drejtave të njeriut brenda dhe jashtë vendit. Prej vitit 2017 është eksperte e trajnimit vazhdues pranë Shkollës së Magjistraturës. Është autore e disa artikujve shkencorë dhe pjesëmarrëse në disa konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit për çështje të drejtësisë kushtetuese. Në muajin nëntor të vitit 2019 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Marsida Xhaferllari, anëtare

Lindur më 06.03.1975 në Tiranë. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1997. Në vitet 1997-2000 ka kryer studimet në Shkollën e Magjistraturës, në brezin e parë të të diplomuarve të kësaj shkolle, dhe është emëruar në detyrën e gjyqtares. Ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier gjatë viteve 1999-2007. Në dhjetor të vitit 2007 ka ushtruar në strukturat juridiko-profesionale të Ministrisë së Drejtësisë detyrën e këshilltares së ministrit, detyrën e drejtoreshës së përgjithshme të Drejtorisë së Kodifikimit dhe atë të drejtoreshës së përgjithshme të Çështjeve të Drejtësisë. Për shkak këtyre detyrave ka qenë pjesë e disa komisioneve apo këshillave drejtues, si Komisioni i Etikës së Konferencës Gjyqësore Kombëtare, Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore apo Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit.

Në janar të vitit 2013 është emëruar në detyrën e Kryeinspektores së Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Që prej vitit 2005 është angazhuar në vijimësi në aktivitete mësimdhënieje, duke përfshirë edhe Programin Fillestar dhe Vazhdues të Shkollës së Magjistraturës, si dhe ka qenë eksperte ligjore në projekte të lidhura me sistemin e drejtësisë. Në vitet 2015-2016 ka qenë pjesë e Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë të Reformës në Drejtësi, duke punuar për ligjet për gjyqësorin dhe financimin e gjyqësorit. Është autore e disa manualeve të punës për çështje të hartimit të legjislacionit, si dhe për ato të inspektimit. Në muajin nëntor të vitit 2019 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Dr. Fiona Papajorgji, anëtare

Lindur më 12.03.1976 në Vlorë. Diplomuar në vitin 2000 në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Barit, Itali. Në vitin 2012 ka marrë gradën shkencore “Doktore e shkencave juridike” në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Barit. Në vitet 2000-2008 ka ushtruar profesionin e asistent avokatit dhe me pas të avokatit pranë firmave ligjore në Bari. Gjatë periudhës 2009-2011 ka punuar si juriste pranë Drejtorisë së Kërkimeve, Studimeve dhe Botimeve në Gjykatën Kushtetuese. Në vitet 2011-2019 ka ushtruar detyrën e këshilltares ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Nga viti 2007 e në vazhdim ushtron mësimdhënien si lektore e së Drejtës Publike në disa universitete. Prej vitit 2018 ka qenë eksperte në disa projekte në Agjencinë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, në procesin e përafrimit të legjislacionit etj., si dhe autore e disa artikujve në fushën e së drejtës kushtetuese. Në vitin 2019 është angazhuar në Shkollën e Magjistraturës. Në muajin nëntor të vitit 2019 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco