‘Sa vite burg rrezikon Dvorani, si e shkeli ligjin me botimin në Fletoren Zyrtare’

‘Sa vite burg rrezikon Dvorani, si e shkeli ligjin me botimin në Fletoren Zyrtare’

18:11, 19/11/2019
A+ Aa A-

Presidenti Ilir Meta dorëzoi një padi ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore. Sipas portalit ABC News, Dvorani rrezikohet të dënohet me gjobë deri në pesë vite burg për shkak të bashkimit të dënimeve.

Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore parashikon dënim nga gjobë deri në 2 vite burg. Kurse shpërdorimi i detyrës. Kurse akuza tjetër mund të sjellë një dënim nga gjobë deri në shtatë vite burg.

Por çfarë thuhet në padinë e dorëzuar nga kreu i shtetit pikërisht për një nga momentet më të pasqaruara këto ditë, atë të botimit në Fletoren Zyrtare të listës, që më vonë u interpretua si njohje e emrit të Arta Vorpsit për anëtare të Gjykatës Kushtetuese?

Presidenti thotë se duke i dërguar dy lista, kreu i KED, pa një vendim kolegjial, tentoi ta vinte presidentin “në pamundësi kushtetuese”.

Pasi presidenti pezulloi procesin administrativ të shqyrtimit të listës, KED mbajti një mbledhje, ku anëtarët ranë dakord që të mos komentojnë përmbajtjen e letrës së presidentit. Por për habi, më pas, sipas padisë së presidentit, lista përfundoi në mënyrë të paligjshme në Fletoren Zyrtare. Dvorani e dërgoi me iniciativë personale listën në shkelje të ligjit.

"Dërgimi i vendimit për botim në Fletoren Zyrtare, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 115/2016 dhe ligjit nr. 78/2014, e për më tepër pa pasur një vendim kolegjial të Këshillit, përbën një shkelje të pastër të ligjit Nr. 115/2016,' thuhet në padi.

PJESE NGA PADIA

-Shprehja e vullnetit prej Presidentit publikisht dhe zyrtarisht se do të zgjedhë me dekret emërimin e gjyqtarit kushtetues dhe akti administrativ nr. 3535/1 prot, datë 05.11.2019, janë akte të cilat tregojnë se mekanizmi zhbllokues në këtë rast, i parashikuar në nenin 7/b, pika 4 të ligjit nr. 8577/2000, nuk mund të aplikohet. Nga fryma dhe gërma e ligjit, është e qartë se ky mekanizëm mund të aplikohet vetëm në ato raste kur organi i emërtesës nuk shprehet, pra qëndron në heshtje.

-Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pasi është njohur me aktin në datën 06 Nëntor 2019, ka njoftuar thirrjen e mbledhjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në datën 07 Nëntor 2019, në orën 13.00, me rend dite “Diskutim mbi qëndrimet e Presidentit të Republikës, lidhur me procesin e plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese“. Në këtë mbledhje u thirrën dhe kanë qenë të pranishëm përfaqësuesi i Presidentit të Republikës, Avokati i Popullit dhe përfaqësuesi i Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

-Pas diskutimit anëtarët e Këshillit të pranishëm në mbledhje u dakordësuan se nuk mund të komentojnë përmbajtjen e letrës së Presidentit me argumentin se nuk kanë autoritet që të diskutojnë vendimin e Presidentit ku, për më tepër, nëse do ta bënin ata do të përfshihen në ndërhyrje të kompetencave dhe, rrjedhimisht, në një konflikt institucional kompetencash. Këshilli dakordësoi vetëm përcjelljen e dokumentacionit të kërkuar shtesë në adresë të Presidentit. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në këtë mbledhje të datës 7 nëntor 2019 nuk diskutoi dhe nuk mori asnjë vendim për asnjë çështje tjetër.

-Ndërkohë, në Fletoren Zyrtare nr. 151, ditë e shtunë, datë 9 Nëntor 2019, është botuar në format elektronik vendimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nr. 132, i datës 21 shtator 2019 “Për miratimin e listës përfundimtare të renditjes së kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, vakancë e plotë, të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 04.03.2019”, pikërisht ky vendim që i është përcjellë Presidentit të Republikës që prej datës 8 tetor 2019 nga KED-ja.

-Në lidhje me botimin e këtij akti në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë ligji nr. 78/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare” dhe ligji nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, nuk e përcaktojnë këtë vendim në llojin e atyre akteve që mund të botohen në Fletoren Zyrtare.

-Ligji nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë” në nenin 232 përcakton, se aktet e vlerësimit dhe të renditjes publikohen në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë. Për më tepër, edhe vetë vendimi i KED-së nr. 132, datë 21.09.2019 që rezultoi se u botua qëllimisht dhe në kundërshtim me ligjin në Fletoren Zyrtare, në pikën 2 të tij, citon shprehimisht: “Ky vendim publikohet në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, në pjesën e përcaktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi”.

-Botimi i vendimarrjes së Këshillit në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë për këtë vendim dhe për vendimet e tjera të renditjes së kandidatëve për të 4 (katër) vakancat është përmbushur që prej datës 22 shtator 2019, sikurse neni 232 i ligjit nr. 115/2016 dhe vet vendimi i KED-së, urdhëron.

-Pra dërgimi i botimit në Fletoren Zyrtare është veprim në shkelje të hapur të ligjit dhe me dashje direkte.

-Presidenti ka arritur në bindjen se qëllimi i Kryetarit të KED-së Ardian Dvorani ka qenë mashtrimi i opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar mbi këtë çështje, për të krijuar idenë e rreme se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e ka diskutuar këtë çështje në mbledhjen e datës 7 nëntor 2019 dhe ka vendosur publikimin në Fletoren Zyrtare të vendimit të tij nr. 132, datë 21 shtator 2019 . Ky fakt është i pavërtetë pasi siç u përmend edhe më lart Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në datën 7 nëntor 2019, nuk ka marrë asnjë vendim të kësaj natyre dhe as ka diskutuar mbi këtë çështje.

-Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është titullar i KED-së dhe është e qartë sipas ligjit që përgjegjësia për dërgimin e paligjshëm për botim në Fletoren Zyrtare, të çdo akti bie vetëm mbi të. Me dërgimin e aktit për botim në Fletoren zyrtare në kundërshtim me kërkesat e ligjit dhe pa një vendim kolegjial të Këshillit është kryer një shkelje e rëndë e ligjit nr.115/2016, gjë e cila përbën shpërdorim të pastër të detyrës dhe që duhet të hetohet nga organi akuzës për të evidentuar përgjegjësitë konkrete.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco