Buxheti fals i 2020: Pagat nuk indeksohen, investimet ulen

Buxheti fals i 2020: Pagat nuk indeksohen, investimet ulen

07:39, 18/11/2019

Qeveria ka rritur dozat e optimizmit në buxhetin 2020, duke u përpjekur të shmangë rreziqet reale me të cilat arka e shtetit po përballet, duke fshehur 64 miliardë lekë detyrime. Argumentet për të rritur të ardhurat me 6 %, për të ulur borxhin në 62 % dhe deficitin në 1,6 % të PBB-së janë të diskutueshme. Në buxhetin 2020 ulen stimujt fiskalë që nxisin konsumin dhe prodhimin, kurse pagat nuk do të indeksohen dhe investimet publike vijnë me ulje. Përfitimet përqendrohen te bizneset e koncesioneve dhe shpenzimet e emergjencës, si paga, pensione dhe interesa për borxhin.

Në vitin 2020, ekonomia e vendit do të zgjerohet me 4.1 % sipas parashikimeve të qeverisë, që do të thotë se shtesa e prodhimit të brendshëm do të jetë 88 miliardë lekë, ose rreth 720 milionë euro. Qeveria synon që, në buxhetin 2020, të taksojë 31 % të kësaj shtese që prodhon relativisht 28 miliardë lekë.

Ministria e Financave thotë se rritja ekonomike, në 2.5 % të saj do të krijohet nga rritja e konsumit dhe pjesa tjetër, për 1.5 %, nga investimet në ekonomi. Në dy vitet e kaluara, konsumi nuk ka kontribuar më shumë 2 % në rritjen ekonomike, edhe pse stimujt fiskalë kanë qenë më të fortë. Konsumi privat nuk do të ketë nxitje fiskale vitin që vjen, ndërsa pagat, pensionet dhe investimet publike në terma realë janë parashikuar me rënie, pasi nuk janë parashikuar fonde buxhetore në dispozicion për rritjen e tyre. Nga ana tjetër, rritja e investimeve të diskutueshme, duke qenë se gjatë viteve të shkuara, projekti TAP dhe HEC-et mbi lumin Devoll kanë prodhuar gati gjysmën (2.5 %) të rritjes ekonomike.

Burimet e rritjes ekonomike, mbi të cilat qeveria ka projektuar buxhetin 2020, nuk janë shumë të sigurta. Duke mos i parashikuar qartë këto burime që gjenerojnë të ardhurat, qeveria prej vitesh harton një buxhet më optimist se zhvillimet reale. Kjo praktikë është bërë shkak për krijimin e detyrimeve të prapambetura, pasi qeveria kontrakton mallra dhe shërbime me planin e fillimit të cilin nuk e arrin ta realizojë.

Dështimi me parashikimet

Në fillim të këtij viti, qeveria nëpërmjet buxhetit 2019, mori angazhimin të grumbullonte 486,6 miliardë lekë të ardhura. Zhvillimet fiskale të këtij viti po tregojnë se nuk do të arkëtohen 13 miliardë lekë më pak. Gjatë vitit 2018, qeveria kishte parashikuar të grumbullonte 464 miliardë, kur në fakt mblodhi 14 miliardë lekë poshtë parashikimit fillestar. Në vitin 2017, qeveria gjithashtu mblodhi 6 miliardë lekë më pak se planifikoi.

E njëjta histori rrezikon të përsëritet edhe vitin e ardhshëm, madje me një diferencë më të madhe, pasi Ministria e Financave në projektbuxhetin 2020, ka programuar të ardhura në nivelin e 502 miliardë lekëve, të cilat janë 16 miliardë lekë më të larta se buxheti fillestar i këtij viti dhe 28 miliardë lekë më të larta se realizimi faktik që pret Ministria e Financave në fundvit.

Duke pretenduar se po ju ofron qytetarëve buxhetin më të madh në histori, qeveria e Shqipërisë ka rrezikuar edhe këtë herë duke treguar optimizëm të tepruar për vitin 2020, larg mundësive që po ofron ekonomia dhe, për më tepër, duke injoruar zhvillimet e viteve e fundit, ku të dhënat faktike sistematikisht kanë rezultuar poshtë parashikimeve të qeverisë. Por sërish si një nxënës i dobët dhe arrogant, qeveria po mundohet të lustrojë shifrat e buxhetit, duke tentuar që nëpërmjet tyre të fshehë borxhet reale në ekonomi, paaftësinë për të vënë fre mbi evazionin fiskal aty ku vërtet duhet, teksa po serviren si investime koncesionet abuzive që po vijnë vit pas viti me fatura të fryra, si gropa të zeza që nuk u dihet fundi.

Në hijen e premtimeve, që vështirë të realizohen edhe shifrat e servirura sikur të jenë të realizueshme, tregohet mungesa e produktivitetit të qeverisë. Edhe pse nga viti në vit, buxheti në vlera neto vjen në rritje, qytetarët po përjashtohen nga përfitimet, teksa është kufizuar dukshëm numri i bizneseve që përfitojnë nga rishpërndarja e taksave si investime publike.

Dy zërat më sensitivë në buxhet, pagat dhe investimet kapitale, që prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë qytetarët, përkeqësohen më tej gjatë vitit 2020. Fondi për rritjen e pagave në sektorin publik është programuar me zero. Gjatë vitit që vjen, pagat reale në sektorin publik rrezikojnë të ulen, pasi ato janë përjashtuar edhe nga indeksimi me inflacionin, ndërsa të ardhurat për rreth 650 mijë pensionistë do të rriten më pak se 2 %, edhe pse vendi ynë ofron nivelet më të ulëta të pagave dhe pensioneve në Europë dhe rajon. Investimet kapitale janë parashikuar së paku 3 % më të ulëta ose 30 milionë euro më pak se plani i këtij viti, duke lajmëruar më pak rrugë, shkolla dhe spitale në shërbim të komunitetit.

Sipas tabelave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave, të ardhurat buxhetore pritet me një rritje modeste prej 3.2 % në krahasim me buxhetin 2019. Por, në krahasim me Prodhimin e Brendshëm Bruto, që e zhvesh treguesin nga efekti i rritjes ekonomike dhe inflacionit, të ardhurat buxhetore pritet që të jenë në rënie, nga 28.5 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në 2019-n, në 28 % të PBB-së në vitin 2020. Kjo është hera e parë që ky tregues vjen në rënie në raport me PBB-në, që nga viti 2013./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco