'Festivali i Grabockës', Diana Ziu sërish letër Ramës: Kontrolloni shkeljet, këngët janë rrugëve

'Festivali i Grabockës', Diana Ziu sërish letër Ramës: Kontrolloni shkeljet, këngët janë rrugëve

10:23, 15/11/2019
A+ Aa A-

Nga Diana Ziu.

Letra nr. 2 për Kryeministrin, se ndoshta të parën nuk ia kanë përkthyer dot.

E treta do të jetë për” Eurosong” - un dhe jo vetëm nga unë, por nga një grup i madh krijuesish shqiptarë të bashkuar rreth kësaj kauze.

Pra: Kur do të ngrihet një ekip kontrolli për shkeljet në RTSH?

Përgatitjet e festivalit nuk po fillojnë dot, sepse këngët nuk kanë mbërritur ende, një pjesë po shkruhen tani e një pjesë jane ende rrugëve ...

1- Festivali i Këngës është institucion. Ai ka rregulla. Ku janë rregulloret e miratuara?

2- Një grup autorësh kanë dërguar një kërkesë në RTSH për të mundësuar arsyet profesionale të skualifikimit të krijimtarive të tyre! Asnjë përgjigje! (Detyrim ligjor ky.)

3 - Asnjëherë gjer më sot nuk ka ndodhur që në jurinë përzgjedhëse të jenë vetëm 3 vetë! Një nga të cilët nuk ka as diplomimin dhe formimin e duhur për të gjykuar elementët e krijimtarisë. Është njësoj sikur në një tender rrugësh të jetë në komisionin e vlerësimit një person vetëm e vetëm se di t’i japë makinës.

Një këngë ka disa komponentë, prej të cilëve tre janë themeloret: Kompozimi, Poezia dhe Këndimi! Asnjë nga këto elemente nuk ka qenë kriter për përzgjedhjen e materialeve.

4- Përzgjedhja e këngëve është bërë absolutisht mbi baza preferenciale të Vera Grabockës, duke përdorur për fat të keq, tre anëtarë jurie! Kjo është për gjynah!

Kjo argumentohet fare lehtë: Si ka mundësi që nuk pranohet një këngë e kompozitores Erjona Rushiti, e cila vjet fitoi çmimin e parë dhe përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision?

Dje ishte emblema e kombit për të na përfaqësuar dhe sot nuk është më askush...?!!!

Le të themi se na qenka rastësi! Po si ka mundësi që edhe krijimi i kompozitorit Enis Mullai, fitues i çmimit të dytë dhe orkestrues i të parit, vitin e shkuar, nuk u pranua në festival?

Vazhdojmë më tej.

Si ka mundësi dhe a është rastësi që këngëtari fitues i të rinjve, vitin e kaluar, Marko Strazimiri, skualifikohet sivjet?

Kush i gjykoi, mbi cilat kritere dhe bazuar në cilën rregullore të miratuar nga kush?

Mund të vazhdonim dhe më tej, por si për t’i vënë “kapak” këtyre “rastësive”, vjen dhe ky fakt: Nuk pranohet as krijimi i fundit i Agim Prodanit, babait të muzikës së lehtë shqiptare!

Ky është thjesht turp!

Bota vendos në kupolën e mendimit intelektual të kombit, njerëzit me thinja, ndërsa ne, njerëz me push ...

5 - Nuk ka ndodhur kurrë që të ketë kaq shumë rrëmujë në organizimin e një Festivali!

Nuk kuptojmë çfarë është ky konspiracion zyrtar? Kush shkel çdo ligj apo princip e për llogari të kujt? Apo gjithmonë ai, 400-milionshi, që po ndahet tashmë në shumë duar ...

6- Kompozitorët e huaj. Pse?

Kjo është fyerje për të gjithë krijuesit shqiptarë! Pritet që shoqja Vera dhe shoku filan të heqin dhe gjuhën shqipe si kriter për pjesëmarrje dhe ta marrë lumi krijimtarinë kombëtare, se në kulturë mejhanesh tashmë e kanë kthyer.

7- E fundit.

Ky nuk është një shqetësim i një njeriu. Jo. Ky është shqetësim për një kauzë, për një kulturë, për një model, për një përgjegjësi që kemi ndaj brezave.

Nga faktet dhe gjithçka po ndodh, Kryeministri që po hesht, kryeparlamentari që po hesht, Këshilli Drejtues që po hesht, nuk po bëjnë asgjë më pak se po krijojnë precedentin e kriminalizimit edhe shkatërrimit të institucionit të vetëm mbetur ende në këmbë për stimulimin e krijimtarisë kombëtare, siç është Festivali i Këngës në RTSH.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco