Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Çfarë mendonin Manja, Xhafa, Sadushi dhe Vorpsi kur hartuan radhën e zgjedhjes së anëtarëve të GJK?

Çfarë mendonin Manja, Xhafa, Sadushi dhe Vorpsi kur hartuan radhën e zgjedhjes së anëtarëve të GJK?

16:12, 14/11/2019
A+ Aa A-

Këto ditë i gjithë debati politik dhe juridik është përqendruar në interpretimin e nenit 179 të Kushtetutës dhe nenit 7 të Ligjit Nr. 8577, datë 10.2.2000, ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’, nene këto që lidhen drejtpërsëdrejti me procedurën që duhet të ndiqet për zgjedhjen/emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Normalisht të dyja këto nene (produkt i Reformës në Drejtësi) sqarojnë fare qartë që në procedurën e zgjedhjes/emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka një radhë rotacioni ndërmjet Presidentit, Kuvendit dhe Gjykatës së Lartë dhe kushdo që i lexon ato nuk ka asnjë dyshim as për ekzistencën e një radhe të tillë dhe as për rëndësinë proceduriale të zbatimit të saj.

Fatkeqësia qëndron tek ‘manja-teoricinët’ e pushtetit dhe qëllimet e tyre të errëta për kapjen totale të pushtetit gjyqësor. Manja teoria më e fundit kushtetuese është që radha e rotacionit nuk ka asnjë rëndësi. Rëndësi ka që në total Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë të zgjedhin/emërojnë secili nga tre anëtarë.

Kë duhet të besojmë?

Presidentin apo manja-teoricienët?

Kushtetutën apo manja-analizat e pushtetit në lidhje me të?

Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese e cila do të mund të ndërhynte me interpretimin e saj në këtë debat idiot dhe të sforcuar kushtetues, zgjidhja vjen nga vetë ‘interpretimi autentik/origjinal’ i hartuesve të neneve objekt diskutimi (intepretim ky i konsideruar nga GJK me Vendimin e saj nr. 19, datë 3.05.2007 si interpretimi fillestar që i bëhet normës).

Po cilët janë hartuesit dhe ‘interpretuesit autentik/origjinal’ të nenit 179 të Kushtetutës dhe nenit 7 të Ligjit Nr. 8577, datë 10.2.2000, ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’?

As më shumë dhe as më pak por vetë anëtarët e ‘Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë’:

Fatmir Xhafaj,

Vasilika Hysi,

Pandeli Majko,

Ulsi Manja dhe

Vexhi Muçmata,

Me ndihmën e ekspertëve:

Sokol Sadushi dhe

Arta Vorpsi

    Në Procesverbalin e datës 28.09.2016, evidentohen diskutimet e bëra nga Komisioni i Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, në lidhje me projektligjin ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8577, datë 10.02.2000 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’.

    Mbledhja drejtohej nga Fatmir Xhafaj (Kryetar i Komisionit) dhe në të merrnin pjesë Vasilika Hysi, Pandeli Majko, Ulsi Manja, Petrit Vasili dhe Vexhi Muçmata.

    Në këtë mbledhje ishin të ftuar në cilësinë e ekspertëve të lartë edhe Sokol Sadushi dhe Arta Vorpsi.

    Po çfarë është diskutuar në këtë mbledhje në lidhje me radhën e rotacionit për zgjedhjen/ emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese?

    Në faqen 4 të Procesverbalit, eksperti i nivelit të lartë Sokol Sadushi (aktualisht kandidat për Gjykatën e Lartë) shprehet:

    Sokol Sadushi: Më lejoni ta shpjegoj se çfarë qëllimi ka kjo dispozitë. Këtu bëhet fjalë për një kandidaturë nga Presidenti, sepse kandidatura nga Kuvendi dhe nga Gjykata e Lartë është në nenet pasuese, por mund të ndodhë në një rast eventual, që mund të jenë katër kandidatura, katër vende bosh. Jemi duke folur për një moment që nëse janë dy vende bosh, atëherë njërën e merr Presidenti, Kuvendi dhe të tretin e merr Gjykata e Lartë. Ky është rast kur janë katër vende bosh.

    Arsyet pse janë katër vende bosh mund të jenë të ndryshme, si dorëheqja e të tjera. Nëse do të kemi katër vende bosh, atëherë do të ndodhë që në katër vende bosh një e ka Presidenti, një e ka Gjykata e Lartë dhe një e ka Kuvendi, vendi i katër si radhë i përket Presidentit. Mund të jenë pesë vende bosh, vendi i pestë i përket Kuvendit, mund të jenë gjashtë vende bosh, vendi i gjashtë i përket Gjykatës së Lartë.’

    Po cili ka qenë qëndrimi i anëtarëve të ‘Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë’ në lidhje me mendimin dhe sqarimet e dhëna nga Sokol Sadushi?

    Në fq. 20 të Procesverbalit, Fatmir Xhafaj (Kryetar i Komisionit) dhe Pandeli Majko (relatori i Projektligjit) shprehen:

    ‘Fatmir Xhafaj – [...]

    Kush është dakord në tërësi me të gjitha ndryshimet që iu bënë projektit bazuar në sugjerimet që u sollën nga Gjykata Kushtetuese dhe ato që u panë të arsyeshme për harmonizimin me ligjet e tjera? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka. Miratohet.

    Faleminderit!

    Falënderoj zotin Devil dhe ekipin e tij!

    Falënderoj zotin Sadushi, zonjën Vorpsi, dhe përkthyesit!

    Një falënderim i veçantë shkon edhe për relatorin  projektligjit zotit Majko!’

    Pandeli Majko: I cili u ndihmua nga Sokoli dhe Arta, sepse po të mos kisha pasur ndihmën e tyre, vështirë se do të isha kaq kompetent sot.

    Pra sipas ‘interpretimit autentik/origjinal’ të nenit 7 të Ligjit Nr. 8577, datë 10.2.2000, ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’ dhe për rrjedhojë edhe të nenit 179 të Kushtetutës, jo vetëm që paska një radhë rotacioni në zgjedhjen/emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë por rëndësia e respektimit të kësaj radhe qenka e rëndësishme jo vetëm për situatën aktuale të ngritjes nga e para të Gjykatës Kushtetuese por edhe për rastet e mëvonshme kur numri i vendeve vakante në këtë gjykatë mund të jetë dy, katër, pesë, gjashtë a më shumë.

    Nëse prishet dhe nuk respektohet që tani radha e zgjedhjes/emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese atëherë çfarë radhe do zbatohet në të ardhmen në plotësimin e vendeve vakante të Gjykatës Kushtetuese?!

    Ata të cilët për arsye indoktrinimi nuk denjojnë të bien dakord me logjikën normale dhe arsyetimin juridik të Presidentit të Republikës të paktën të bien dakord me arsyetimin dhe logjikën e vetë hartuesve dhe përfituesve të Reformës në Drejtësi.

    Të bien dakord me arsyetimin dhe ekspertizën e Sokol Sadushi (kandidat për Gjykatën e Lartë) dhe atë të Arta Vorpsi (kandidate e vetëbetuar para Noterit për anëtare e Gjykatës Kushtetuese).

    Ulsi Manja ashtu siç nuk figuron të ketë thënë as edhe një fjalë në këtë Procesverbal të KPRSD do të bënte mirë të mos ndërhynte më me manja-teoritë e tij në çështjet ligjore dhe kushtetuese.

    Ky do të ishte shërbimi më i madh që ai do ti bënte Reformës në Drejtësi.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco