Denaj flet për rritje ekonomike në 2020, PD: Mashtrim, s'ka rritje pagash dhe as investimesh

Denaj flet për rritje ekonomike në 2020, PD: Mashtrim, s'ka rritje pagash dhe as investimesh

14:04, 08/11/2019
A+ Aa A-

Partia Demokratike i është kundërpërgjigjur menjëherë Ministres së Financave Anila Denaj, e cila prezantoi sot Projekt-Buxhetin 2002 në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend, analizoi situatën aktuale dhe bëri prognozën për vitin e ardhshëm; sipas Denajt, rritja ekonomike e vendit parashikohet të jetë mbi 4% gjatë viteve 2020-2022.

"Rritja ekonomike e parashikuar 4.1% do të përkthehet në më shumë punësim, ku synohet krijimi i rreth 35 mijë vendeve të reja pune, si dhe një ulje e mëtejshme e shkallës së të papunësisë poshtë nivelit 11%. Investimet publike janë planifikuar në nivelin e 4.7% të Produktit të Brendshëm Bruto ose rreth 84 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 4% kundrejt të pritshmit të këtij viti. “Sigurimi i një niveli të lartë të investimeve publike prej 4.7% e Produktit të Brendshëm Bruto, do të jetë mbështetës për rritjen ekonomike dhe punësimin”, deklaroi Denaj.

Por, Dorian Teliti, në një deklaratë nga selia e PD, e cilësoi Buxhetin e 2002-ës, si buxhetin e mashtrimit:

"Buxheti 2020 i qeverisë së Edi Ramës nuk është buxheti që rrit mirëqenien e qytetarëve, por është buxheti që pasuron akoma më shumë oligarkët dhe klientët e qeverisë së Edi Ramës. 

Buxheti nuk ka rritje pagash, nuk ka rritje pensionesh, nuk ka rritje të investimeve publike.

Bashkë me paketën fiskale, ky është buxheti që rëndon shqiptarët me taksa të larta, me të cilat do të paguhen miqtë, klientët, financuesit dhe oligarkët e Edi Ramës.

Deklarata e Dorian Telitit, Drejtorit të Kabinetit të PD

"Propaganda e qeverisë me buxhetin nuk mund ta fshehë kolapsin ekonomik. Buxheti 2020 është pasqyra e paaftësisë së kësaj qeverie, e krizës ku e ka zhytur ekonominë e shumicës së familjeve dhe e mungesës së vullnetit për të punuar për qytetarët.

Mund te quhet buxheti i mashtrimit, pasi nga njëra ane  pretendohet rritje ekonomike prej 4.1%, por nga ana tjetër të ardhurat nga TVSH, qëështë treguesi kryesor i konsumit të popullatës, parashikohet me rënie reale.

    Pa asnjë dyshim, ky buxhet mund të quhet buxheti i varfërimit, pasi asnjë qindarkë nuk parashikohet për rritje rrogash për mjekët, infermierët, arsimtarët dhe punonjësit e administratës publike.

    Asnjë qindarkë për shpërblimin e pensionistëve dhe familjeve në nevojë.

    Ulen me 10% fondet për dëmshperblimin e ish pronarëve.

    Ulen fondet për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë, duke e çuar në 3 dekada afatin kohor të shlyerjes së plotë të faturës financiare për këtë shtresë të përvuajtur të shoqërisë.

    Me rënie planifikohen edhe investimet publike, ku rënien më të madhe e kanë projektet në rrugë dhe ujësjellësa.

    E ndërsa nuk ka asnjë qindarkë për rritje pagash, si lum vërshojnë fondet buxhetore për të paguar PPP e klientëve të qeverisë.

    120 milionë euro apo 30 milione euro më shumë sesa viti aktual, do të shkojnë për të paguar 12 kontrata PPP – të gjithë këta miq dhe klientë të Kryeministrit.

    Është hera e parë në 30 vjet, madje rast unik në histori, që një projekt-buxhet ndërtohet duke patur prioritet absolut vetëm një grusht oligarkësh.

    Sikur të mos mjaftonin të gjithë këto, këtë vit nuk kemi as edhe një paketë të duhur fiskale.

    Politika fiskale është në shërbim të një koncesioni të vetëm, atë tëfiskalizimit, i cili ka kosto të fshehura prej të paktën 500 euro në vit për 120 000 bizneset e vogla e të mesme.

    I bindur se ky është buxheti i tij i fundit, Edi Rama  e ka shndërruar këtë në buxhetin KÇK- (Kap Ça t’Kapësh) nga taksat e rritura të shqiptarëve, nga mundi dhe djersa e tyre.

    Për të kapërcyer këtë gjendje ku është zhytur vendi, nevojitet vizion, gjithëpërfshirje dhe menaxhim me dorë të hekurt ndaj çdo abuzimi.

    PD e ka programin e saj të nxjerrjes së vendit nga kolapsi, të rikthimit të shpresës në vend, ku secili të ketë mundësi të barabarta. Bashkë me shqiptarët, pasi të kemi siguruar zgjedhje të lira e të ndershme, ne do ta zbatojmë këtë plan që rimëkëmb dhe zhvillom ekonominë dhe prodhon mirëqenie për shqiptarët."

     

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Gramoz08/11/2019 14:42

    Po kur paskemi gjith ket rritje ekonomike, pse nuk perkthehet ne rritje rrogash dhe pensionesh moj tyryfylja ekonomiste e ridhjerjes edviniste?!

    Shto koment

    Denonco