Sula: Vështirësi për të verifikuar dosjet e klerit të martirizuar dhe gjetur eshtrat

Sula: Vështirësi për të verifikuar dosjet e klerit të martirizuar dhe gjetur eshtrat

07:18, 06/11/2019
A+ Aa A-

Nga veçoritë e dosjeve të klerit te një ftesë e hapur për historianët, kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit rrëfen në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” punën e bërë për hedhjen dritë mbi jetën dhe veprimtaritë e klerit katolik. Puna për kërkimin e eshtrave të të pushkatuarve, shënjimi i vendeve të kujtesës, Gentiana Sula flet edhe për projektet mbi të cilat po punohet si ai i përkthyesve e shkrimtarëve në kushtet e internimit e burgimit. Marrë me shkurtime nga GSH:

Me 5 nëntor shënohet 3-vjetori i Lumturimit të 38 martirëve të Kishës, të dënuar, pushkatuar ose vdekur nën tortura gjatë komunizmit. Sa prej dosjeve të tyre janë zbardhur nga studiuesit?

AIDSSH ka identifikuar deri tani mbi bazë kërkese, dokumente të natyrave të ndryshme sa i takon përndjekjes së klerit katolik në Shqipëri: dosje drejtimi mbi aktivitetin e klerit katolik, fashikuj disavolumësh me relacione për zbulimin e veprimtarisë së ish-klerit katolik; dosje të klerikëve të ndryshëm të përndjekur nga regjimi, si Dom Llazër Shantoja, Anton Harapi, Mark Harapi, Marie Tuci, Shtjefën Kurti, etj.

Materiali është voluminoz. Deri tani, 15 dosje janë hapur dhe vënë në dispozicion të studiuesve mbi bazë kërkese, ku shumë prej tyre janë trajtuar në mënyrë të thelluar në konferencat shkencore të mbajtura nga Autoriteti dhe institucionet homologe, të cilat mund të lexohen në faqen zyrtare të AIDSSH. Studiues e gazetarë të tjerë kanë bërë kërkesë për zbardhjen e dosjeve të klerit ortodoks, atij bektashi e mysliman.

    Është dashur një hulumtim pothuaj 10-vjeçar nga Kisha Katolike në Shqipëri për të arritur dokumentimin dhe vërtetimin e 38 emrave. Shumë të tjerë nuk u përfshinë në listë sepse nuk kishte dokumente për ta. Si kryetare e Autoritetit, me ç’vështirësi përballeni sa i takon dokumenteve të rasteve të përndjekjeve e dënimeve?

    Vështirësitë janë të shumta. Autoriteti është krijuar si institucion i pavarur në vitin 2017, dhe ushtron funksionet e veta në mbështetje të ligjit 45/2015. Në këtë kuadër, është bërë një punë e madhe për mbledhjen e grumbullimin e materialeve, në një arkiv të vetëm të dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit. Aktualisht, institucioni trajton materiale arkivore që mbahen në dy vendruajtje, pranë SHISH dhe IPQP. Edhe fizikisht, kjo e rrit kohën e trajtimit të informacionit dhe vënies së dosjeve në dispozicion.

    Materiali i identifikuar deklasifikohet, kalon për digjitalizim, në proceset e mbrojtjes së të dhënave personale dhe i jepet studiuesit apo të interesuarve të tjerë, në përputhje me ligjin 45/2015. Për zbardhjen e së shkuarës dhe nxitjen e dialogut shoqëror, duke përfshirë edukimin qytetar, AIDSSH ka nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi me institucione universitare, akademike e të kujtesës, bashkërendimi i punës me të cilët ndihmon në ridimensionimin e figurës së viktimave dhe të përndjekurve. E gjithë kjo është sipërmarrje e madhe që kërkon ndërveprimin e disa aktorëve për të pastruar baltën që është hedhur mbi personalitetet, për t’i trajtuar ata në mënyrë profesionale dhe për t’u njohur kontributin në shoqëri e t’i bërë të prekshëm për të rinjtë. Aktualisht, AIDSSH është në fillim të kësaj pune.

    Disa prej tyre janë ende të pagjetur, pasi trupat e tyre nuk dihet ku prehen. Meqë AIDSSH po bashkëpunon me ICMP, çfarë po bëhet për gjetjen e eshtrave?

    AIDSSH është një ndër institucionet që bashkë me Institutin për Integrimin e të Përndjekurve politikë dhe ICMP në Shqipëri luan rolin e vet në qartësimin e fatit të të zhdukurve. Aktualisht, në faqen zyrtare të AIDSSH gjenden dy aplikacionet që lidhen me të zhdukurit, të cilët i ndihmojnë familjarët të raportojnë të dhënat e tyre në një bazë të centralizuar të dhënash.

    Deri tani, nga raportimet në të tre institucionet e sipërpërmenduar, janë regjistruar 630 raportime dhe 37 vendvarrime të pretenduara nga familjarët. Puna po vazhdon e ne urojmë që institucionet të bashkërendojnë veprimet për t’u kthyer dinjitetin viktimave e familjeve të tyre.

    Në këtë kuadër, AIDSSH ndihmon në sigurimin e informacionit të kërkuar, ndërkohë që institucionet shqiptare ligjzbatuese, me ekspertizë

      n e ICMP-së, do të avancojnë kërkimet për gjetjen e eshtrave dhe zhvarrimin e të humburve.

      Nga ana tjetër, Autoriteti, në bashkëpunim me IIPP dhe ICMP në Shqipëri, i mbështetur nga Fondacioni Konrad Adenauer po punon për një ekspozitë për të zhdukurit, ku trajtohen profile të të humburve në diktaturë, mes tyre, edhe priftërinjtë e martirizuar. Është i njohur tashmë, nga përpjekjet e palodhura të familjarëve, kërkimi i eshtrave të Dom Shtjefën Kurtit dhe zbërthimi hap pas hapi i fatit të tij, deri te ndjesa e persekutorëve ndaj klerikut të nderuar.

      A keni hasur vështirësi me identifikimin e vendvarrimeve? Cilat janë vështirësitë kryesore?

      Me identifikimin e vendvarrimeve janë marrë kryesisht IIPP dhe ICMP. Autoriteti ka ofruar kontributin e vet në mundësimin e informacionit për të zhdukurit, kur ky ekziston, pikërisht për zbardhjen e sa më shumë pikëpyetjeve të lidhura me ekzekutimin. Në shumë raste, ky informacion nuk gjendet në dosjet që administronte Sigurimi i Shtetit; kjo është vështirësia më e madhe, sigurimi i informacionit sa më të plotë për familjarët e viktimave.

      Shumë prej klerikëve kanë qenë studiues, përkthyes, muzikantë. Në gjykimin tuaj sa njihen veprat e tyre dhe ç’thuhet në dosje për pasuritë e tyre intelektuale?

      Veprat e klerikëve nuk njihen ende në mënyrë shteruese. Besoj se duhen ende kohë e punë studimore për të bërë një paraqitje të plotë të veprimtarisë së tyre në të mirë të letërsisë, folklorit, artit e dijes. Në dosjet e Sigurimit trajtohet mënyra e përndjekjes, mungon njohja e përmasës njerëzore dhe artistike të tyre, sepse e tillë ishte qasja.

      Autoriteti po punon për një projekt të zgjeruar të përkthyesve e shkrimtarëve në kushtet e internimit e burgimit, i cili urojmë të hedhë dritë në punën kolosale të mendjeve të ndritura, punë që ende sot nuk është vlerësuar sa duhet.

        © SYRI.net

        Lexo edhe:

        Komentet

        Shto koment

        Denonco