Drogë, vrasje me pagesë, tritol.../ Ish- oficeri Nuhu tregon për Syri TV ‘CV’-në e Rrajave: Policia nuk i hetonte

Drogë, vrasje me pagesë, tritol.../ Ish- oficeri Nuhu tregon për Syri TV ‘CV’-në e Rrajave: Policia nuk i hetonte

19:24, 05/11/2019
A+ Aa A-

Redjan Rraja, 34-vjeçari i arrestuar ditën e sotme si një prej të dyshuarve në atentatin e së premtes ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoja, nuk është emër i panjohur për organet ligjzbatuese në vend.

Ai  ka qenë proceduar edhe për ngjarjen e ndodhur në zonën e Ish-Bllokut në Tiranë, ku mbeti i vrarë Elton Çiço. Aso kohe, ai u akuzua si person që fshehi armën e viktimës.

Por emri i tij, i cili është edhe familjar me deputetin e PS, Rrahman Rraja, do të përmendej edhe në rastin “Xhisiela”.

Ish-oficeri i Policisë Gjyqësore në Komisariatin e Fushë Krujës, Emiliano Nuhu, tashmë azilant në një prej shteteve të Europës, do ta akuzonte si një prej personave që e kishin kërcënuar brenda zyrës së tij.

Por, në një intervistë për Syri TV, ish-oficeri Nuhu zbuloi edhe të dhëna të tjera nga aktiviteti kriminal i Rrajas.

Sipas tij, ky grup, që e cilëson shumë të rrezikshëm, është i përfshirë në disa aktivitete kriminale, por që nuk janë hetuar nga policia.

“Ky është një grup shumë i rrezikshëm kriminal, i përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e drogërave në zonën e Fushë Krujës. Ka informacione për këtë grup në vrasjet me pagesë, në vendosjet e tritolit. Këtë informacion ia kam nisur me e-mail zyrtar si drejtorit të Policisë ashtu edhe Prokurores së Përgjithshme, dhe në disa drejtime të tjera. Por institucionet treguan një neglizhencë të theksuar duke mos e hetuar këtë person”, u shpreh Nuhu për Syri TV.

Sa i përket vetë Redjan Rrajas, Nuhu thekson se e njihte si një person me tendenca të theksuara kriminale dhe shumë i rrezikshëm.

“Unë Redjan Rrajan e njihja si një person me tendenca  të theksuara kriminale. Një person shumë të rrezikshëm dhe që lëvizte me automjet të blinduar dhe me armë. Si mund të lëvizi një person, i njohur si dentist, me automjet të blinduar dhe me pistoletë? Vetëm në Shqipëri ndodhin këto veprime. Por në informacionet që kam patur, ka qenë pjesë e një grupi që kryente vrasje me pagesë në të gjithë Shqipërinë. Kush ka nevojë për vrasës me pagesë, kontaktojnë me këta persona në Fushë Krujë dhe kundrejt pagesave bëjnë çdo lloj krimi.”, u shpreh ish-oficeri. /SYRI.net

Intervista e plotë e Emiliano Nuhu dhënë gazetares Armela Ferko:

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco