Mashtrimi me formularin e dekriminalizimit/ Kume: Ligji është i qartë, Agim Kajmaku humbet mandatin

Mashtrimi me formularin e dekriminalizimit/ Kume: Ligji është i qartë, Agim Kajmaku humbet mandatin

17:28, 30/10/2019
A+ Aa A-

I ftuar në Syri TV, ish kryetari i KQZ, Kristaq Kume ka folur edhe rreth çështjes më të nxehtë të politikës shqiptare, atë të kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, i cili, edhe sipas Prokurorisë, rezulton se ka mashtruar me formularin e dekriminalizimit.

Sipas Kumes, ligji i dekriminalizimit është mëse i qartë në këtë pikë.

“Ka një procedurë të caktuar mirë në ligj. Si rregull, KQZ i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme se duhet informacion, që të verifikojë deklarimin dhe vetëdeklarimin e kandidatit përkatës. Pasi përfundon verifikimi dërgon përgjigjen në KQZ. Nëse Prokuroria ka dërguar në KQZ se, ky subjekt nuk ka treguar të vërtetën, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është i detyruar të marrë vendim për mandatin e tij.

Sipas ligjit të dekriminalizimmit, ky e humbet mandatin. KQZ nuk do të presë që të vihet në punë se ja kërkon dikush tjetër, veçse kur merr përgjigje nga Prokuroria e Përgjithshme”, u shpreh Kume.

Sa i përket çështjes së baskisë së Shkodrës, Kume deklaroi: “Kur ka një vakancë nga mosmarrja e mandatit, ligji për vetëqeverisjen vendore e plotëson përkohësisht duke i lënë detyrë mbajtësit të mandatit, në këtë rast Voiltana Ademit, të vazhdojë punën si kryebashkiake. Duhet njoftuar më pas prefekti që dërgon shkresë në Presidencë, Duhet të shprehet presidenti për zgjedhje të pjeshme. Askush tjetër nuk e bën dot këtë”.

Të premten, më datë 1 nëntor, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të mblidhet për të diskutuar rreth mandatit të Agim Kajmakut, kryebashkiakut të Ramës i cili, sipas Prokurorisë, rezulton se ka mashtruar me formularin e dekriminalizimit.

PD dhe opozita e bashkuar kërkon heqjen e menjëhershme të mandatit për Kajmakun dhe dërgimin e tij para drejtësisë, ndërsa mazhoranca ka zgjedhur të heshtë.

Edhe më herët, KQZ ka krijuar dy precedentë të ngjashëm me rastin e kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku.

Një nga rastet ka qenë heqja e mandtit të deputetit për Aqif Rakipin dhe rasti tejtër ishte heqja e mandatit të deputetit Gledian Rehovica.

Në të dyja rastet, Prokuroria provoi se ata kishin fshehur ndalime apo dënime jashtë vendit në formularin e dekriminalizimit dhe KQZ vendosi t’u heqë mandatin.

Sipas Ligjit të Dekriminalizimit, mashtrimi me formularin e dekriminalizimit dënohet nga gjobë deri në 4 vjet burg.

Neni 190 parashikon se, “Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.” /Syri.net

Intervista në Syri TV:

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco