Si po tenton Edi  Rama që  të kapë SPAK, sipas skemës që realizoi me Arta Markun

Si po tenton Edi Rama që të kapë SPAK, sipas skemës që realizoi me Arta Markun

14:10, 21/10/2019

Edi Rama duke përdorur si gjithmonë, levën `juridike` Ulsi Manja dhe me mbështetjen e disa anëtarëve që ka emëruar vetë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, po tenton që të kapë SPAK (Struktura e Posaçme Antikorrupsion) me të njëjtën skemë siç uzurpoi prokurorinë e Përgjithshme, me anë të Arta Markut.

Por plani ka dështuar (tani për tani) ditën e sotme gjatë mbledhjes së KLP, pas ndërhyrjes së anëtarit Besnik Cani. Kjo mbledhje e Këshillit të Lartë të Prokurorisë kishte si objekt krijimin e SPAK, edhe pse ende nuk është plotësuar numri i nevojshëm i prokurorëve që do të jenë pjesë e tij, sipas Kushtetutës së re të vitit 2016, miratuar me 140 vota në parlament.

Sipas një propozimi të kreut të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, kërkohet që kjo strukturë e rëndësishme të nisë punën me vetëm 8 prokurorët të cilët kanë kaluar aktualisht vettingun, ndërkohë që Kushtetuta e thotë qartë se SPAK nuk mund të ngrihet nëse nuk ka të paktën 10 anëtarë të verifikuar. Puçi që po tentohet për kapjen e SPAK po përdor të njëjtën skemë identike, si ajo me zgjedhjen e Arta Markut.

Kërkohet që numri 10 i anëtarëve që kërkon minimalisht Kushtetuta të plotësohet me 2 prokurorë të `përkohshëm`, ose të `komanduar`.

Duket qartë plani dhe tentativa e Edi Ramës për të shndërruar, edhe SPAK njësoj si prokurorinë e Arta Markut, e cila u inflirtua edhe ajo si e `komanduar` dhe `e përkohshme` por vazhdon ende pas 3 vitesh që të kontrollojë në shërbim të atyre që e votuan, organin e akuzës.

Por pas një debati të ashpër, mbledhja e KPL për të marrë një vendim përfundimtarë mbi këtë propozim të Ulsi Manjës u shty për një datë tjetër pas kërkesës së anëtarit Besnik Cani.

Arsyeja formale që paraqiti ai ishte fakti, se nuk ishte njohur me projekt-aktet të paraqitura në rendin e ditës në kohën e përcaktuar në ligj, 7 ditë para njoftimit te datës së mbledhjes plenare. Besnik Canit deklaroi se i kanë mbërritur materialet ditën e premte pasdite, jashtë orarit zyrtar.

Ndërkohë kryetari Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja i ka kërkuar kreut të KLP, Gent Ibrahimit, që të shfrytëzojë kuadrin ligjor, pasi sipas tij, SPAK mund të ngrihet me 10 prokurorë, 8 që kanë kaluar vetting-un dhe 2 të jenë të përkohshëm ose të komanduar. Por nga burime brenda mbledhjes, mësohet se anëtarët e KLP-së kanë qenë të ndarë tek kjo pjesë. Disa prej tyre ishin pro planit të Manjë për të ngritur SPAK me këtë formulë, kurse të tjerë absolutisht kundër duke e quajtur këtë tentativë, krejtësisht anti-kushtetuese.

Aktualisht 15 prokurorë janë kualifikuar për t’u bërë pjesë e SPAK, por nga këta kanë kaluar vetting-un vetëm 8 prej tyre. Vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për dy prokurorë të tjerë janë ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ndërsa pesë prokurorë nuk i janë nënshtruar ende procesit të vetting-ut.

Pikërisht në këtë situatë Manja njësoj si atëherë kur zgjodhën Arta Markun, fshehurazi ka përgatitur pasditen e të premtes në emër të Komisionit të Ligjeve një projekt-akt, të cilin Ibrahimi me po të njëjtën shpejtësi e futi ditën e sotme në rend të ditës.

Nuk dihet se si do të shkojë mbledhja e ardhshme për këtë çështje madhore, por duket qartë se Edi Rama e ka një plan për të kapur organin e drejtësisë te i cili i kanë sytë dhe shpresat të gjithë shqiptarët; SPAK.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

t21/10/2019 16:48

Spak me keta prokurore qe kemi eshte :shto miell e shto uje

Shto koment

Denonco