Kush është Besnik Muçi, anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese? Ngjitja në karrierë

Kush është Besnik Muçi, anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese? Ngjitja në karrierë

11:29, 16/10/2019
A+ Aa A-

Presidenti i Republikës Ilir Meta, pasi shqyrtoi praktikën dhe dokumentacionin e përcjellë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në përfundim ka vendosur të dekretojë, kandidatin Besnik Muçi për t’u emëruar gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. 

Arsyet e dekretimit janë evidentuar dhe janë vlerësuar edhe më hollësisht nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në vendimet e tij, thuhet në relacionin që shoqëron dekretin.

"Zoti Besnik Muçi është diplomuar në vitin 1995 “Jurist”, në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, me rezultate të shkëlqyeshme.

Në vitin 2001 zoti Muçi ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës dhe është diplomuar “Magjistrat Prokuror” me rezultat “Shumë mirë”.

Zoti Besnik Muçi ka ndjekur studime pasuniversitare për Master të Nivelit të Dytë në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti I Tiranës, si dhe aktualisht është Kandidat Doktorant pranë këtij Fakulteti. Ai është botues i disa artikujve shkencor në fushën e së drejtës, si dhe botues i një libri në fushën e veprave penale të narkotikëve.

Zoti Muçi ka një eksperiencë pune prej më shumë se 20 vitesh (20 vite e 8 muaj), si Prokuror, Avokat dhe Lektor i së Drejtës. Ai ka një veprimtari profesionale si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, Drejtor i Drejtorisë kundër Krimit Financiar, në Departamentin e Hetimit të Krimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ekspert i programit për trajnimin vazhdues të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shkollën e Magjistraturës, Petagog i Jashtëm i lëndës “E Drejta Penale”, në një nga Universitetet e vendit.

Zoti Besnik Muçi në karrierën e tij si Prokuror ka përvojë të konsoliduar në hetimin e krimit të organizuar dhe organizatave krimimale, fakt ky që përbën një vlerë të shtuar për trupën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, e cila në praktikën e saj përballet me shqyrtimin e çështjeve të nivelit kushtetues që lidhen me fushën e drejtësisë penale.

Përgjatë periudhës së punës së tij në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda janar 2014 – gusht 2019 ai ka hetuar gjithsej 275 procedime penale objekt i hetimit dhe veprimtarisë së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, një tregues i lartë ky i angazhimit dhe vendimmarrjes profesionale.

Për shkak të karrierës së tij si Prokuror, zoti Besnik Muçi ka përfituar një përvojë të vlerësueshme në fushën e marrëdhënieve juridiksionale me autoritetet e huaja gjyqësore në kuadër të kryerjes së veprimeve hetimore proaktive dhe të përbashkëta, të cilat kanë perfeksionuar aftësitë e tij profesionale në fushën e drejtësisë penale, respektimit dhe garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në procesin penal.

Zoti Besnik Muçi ka qenë ekspert i Komitetit MONEYVAL të Këshillit të Europës, si përfaqësues i Ministrit të Brendshëm. Gjithashtu, prej vitit 2014, ai është Ekspert i Konferencës së Palëve të Këshillit të Europës për zbatimin Konventës së Varshavës, si përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme. Gjithashtu zoti Muçi përgjatë viteve 2015-2018 ka qenë dhe Anëtar i Bordit të Konferencës së Palëve të Këshillit të Europës për zbatimin e Konventës së Varshavës, si përfaqësues i Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë.

Zoti Besnik Muçi gëzon integritet të lartë moral, etik dhe cilësi të larta profesionale, të cilat janë kërkesa të domosdoshme dhe në koherencë me besimin që kërkon publiku për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Ai, përgjatë karrierës së tij ka reflektuar aftësi vendimmarrëse dhe bashkëpunimi. Në lidhje me këto kushte dhe kritere që duhet të plotësojë një kandidat për të qenë aanëtar i Gjykatës Kushtetuese, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për kandidaturën e zotit Besnik Muçi është shprehur qartë dhe ka bërë vlerësimet përkatëse në Vendimin nr. 72, datë 24.07.2019 për “Lejimin e kandidimit të zotit Besnik Muçi në vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018” dhe në Vendimin nr. 123, datë 10.09.2019, për “Vlerësimin dhe pikëzimin e kandidaturës së zotit Besnik Muçi për vendet vakante për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese..”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

E di Rama16/10/2019 12:00

Dhe vete zoti mucaj nuk do guxonte te thosh fjale kaq te mira per veten. So ate fletelavderimet ne kohen e monizmit. Late nam me karriere nga 2014 deri tani dihet cfare mall rilindjes do jete.

Shto koment

Denonco