Gjashtë shqiptarë, kandidatë për Parlamentin e Zvicrës më 20 tetor

Gjashtë shqiptarë, kandidatë për Parlamentin e Zvicrës më 20 tetor

09:43, 16/10/2019
A+ Aa A-

Zgjedhjet për Parlamentin e Zvicrës mbahen më 20 tetor. Janë disa faktorë, të cilët kanë bërë që komuniteti i këtushëm shqiptar të shikojë kësaj here me më shumë interesim drejt kupolës së Parlamentit në Bernë. Këto zgjedhje janë së paku të tretat me radhë, në të cilat kandidojnë edhe shqiptarë.

Në zgjedhjet e vitit 2011 kishin kandiduar dy shqiptarë, të dy nga Partia Socialdemokrate (SP). Krejtësisht ndryshe ka qenë gjendja në vitin 2015: Pra, vetëm katër vjet me vonë kishim një rritje të thuash spektakulare të numrit të kandidatëve: ishin mbi 30 të tillë. Përveç rritjes së numrit, kësaj here kishte edhe zgjerim të spektrit partiak që përfaqësonin këta kandidatë.

Ndryshe nga të gjitha zgjedhjet e deriatëhershme (përfshirë edhe ato komunale dhe kantonale), ku kishte pothuajse vetëm kandidatë socialdemokratë, në zgjedhjet e vitit 2015 pati një përfaqësim të papritur të kandidatëve të CVP-së (Partia Popullore Kristiane).

Kjo parti pati nisur një fushatë të përfshirjes së kandidatëve shqiptarë në listat e saj, që nuk u pati shpëtuar mediave zvicerane. Ato e patën vënë në fokus këtë dukuri si një hapje jo shumë tipike, sidomos për një parti të njohur si konservatore, për çfarë perceptohet CVP-ja. Kandidaturat e shumta shqiptare të saj vinin  nga një marrëveshje që CVP kishte lidhur me LDK-në dhe PSHDK-në, degët e tyre përkatëse në Zvicër, njofton albinfo.ch.

Sidoqoftë, 15 kandidatë me prejardhje shqiptare sa i kishte CVP-ja për zgjedhjet e përmendura, nuk është se sollën ndryshimin e pritur. Për më tepër, rezultatet e tyre ishin fare modeste. Kjo në një mënyrë e kishte edhe një shpjegim: Pothuaj të gjithë kandidatët shqiptarë të kësaj partie, përballjen e tyre të parë politike po e përjetonin në ato zgjedhje. Që do të thotë se u mungonte përvoja politike.

Ndërsa për kandidatët e SP-së, rreth 10, nuk mund të thuhet kjo. Të paktën tre prej tyre kishin një përvojë solide, duke qenë asambleistë komunalë gjegjësisht deputet(e) në nivel kantoni dhe ishin më të njohur për publikun. Por as kjo nuk mjaftoi. Ndonëse ata (ato) arritën të grumbullonin një numër impresionues votash, ndenjësja në Parlamentin Nacional të Zvicrës vazhdonte të ishte e paarritshme për “takatin” e politikanëve shqiptarë. Prandaj, rezultatet në shpërputhje të madhe me numrin e kandidatëve, lanë një shije të hidhur. U dëgjuan dilema të shprehura edhe publikisht se mos këto kandidatura shërbenin vetëm për të grumbulluar vota për partitë përkatëse, gjegjësisht për politikanët tjerë të tyre, që kishin më shumë gjasa për t`u zgjedhur…

Tani jemi në prag të zgjedhjeve të radhës për Parlamentin e Zvicrës. Rezultatet dhe dështimet nga garat e mëparshme duhet tu kenë shëbyer si mësim, si partive zvicerane që i kanë kandiduar shqiptarët “e tyre” ashtu  edhe vetë kandidatëve shqiptarë, që kanë pranuar t`i përfaqësojnë ato parti. Nga kjo perspektivë, duket se përvoja ka rezultuar me një qasje më “esull” të të dyja palëve në raport me zgjedhjet e sivjetme.

Kështu, nga informacionet që kemi mundur të sigurojmë, në garë për një vend në Parlamentin e Zvicrës kësaj here janë  6 (gjashtë) politikanë me prejadhje shqiptare. Fjala është për kandidatët në vijim: Ylfete Fanaj (SP, Luzern), Arber Bullakaj (SP St.Gallen), Islam Alijaj (SP, Zürich), Eduard Muqaj (JCVP Baselland), Valentina Milici (JCVP, Luzern) dhe Luan Bardi ( jeunes libéraux-radicaux, VD).

Pesë nga këta janë prezantuar me kohë nga platforma albinfo.ch, përmes intervistave ose portretimeve të bëra. Shikuar nga fuqia mbështetëse që kanë në elektorat dhe në partinë e tyre, kemi dy kandidatura që konsiderohen me gjasa më serioze për të zënë vend në kupolën e legjislativit të Zvicrës. Por sigurisht, rezultati varet edhe nga faktorë tjerë.

Në radhë të parë nga konkurrenca e ashpër dhe nga limitet që kanë partitë dhe kantonet përkatëse: në të dy rastet kemi të bëjmë me SP-në dhe me kantonet në të cilat kjo parti tradicionalisht “nxjerr” jo më shumë se nga dy deputetë nacionalë.

Në këtë gjendje, faktor jo shumë shpresëdhënës është indiferenca e shqiptarëve me të drejtë vote në Zvicër. Është dëshmuar tashmë sa herë se shumica e madhe e tyre nuk tregojnë gatishmëri për pjesëmarrje aktive në jetën e këtushme politike. Si rrjedhojë, ata i neglizhojnë të drejtat që kanë mundësi t`i shfrytëzojnë. Prandaj është koha, sot më shumë se dje, që komuniteti ynë t`i hapë sytë dhe të ushtrojë të drejtat e veta. Ndryshe, ankesat që mund t`i bëjmë pas 20 tetorit për mungesën tonë në Bernë, do të mbeten të pabaza.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco