Kurti dhe Osmani pas takimit: Numërimi do të tregojë kush do të bëhet Kryeministër nga të dy!

Kurti dhe Osmani pas takimit: Numërimi do të tregojë kush do të bëhet Kryeministër nga të dy!

13:59, 10/10/2019

Vetëm një votë më shumë në fund të numërimit total të votave në Kosovë do të jetë përcaktuesja për emrin e Kryministrit të ri të Kosovës. Këtë e kanë shprehur në përfundim të takimit midis tyre, dy kandidatët për kryeministër, fituesi Albin Kurti nga Vetëvendosja dhe Vjosa Osmani nga LDK-ja.

Ata kanë uruar njeri-tjetrin për bashkëqeverisjen që tashmë do të realizohet, por kanë theksuar se cili prej tyre do të jetë Kryeministri i ri do të mësohet vetëm kur të përfundojë numërimi i gati 20 mijë votave të emigrantëve dhe 20 mijë votave me kusht.

Albin Kurti tha për mediat: “ Kemi rënë dakord që të kemi një dysheme prej 30% të përfaqësimit gjinor minimalisht. Pra do të jenë 30% gra edhe në mesin ministreve dhe zëvendës ministreve. Do të kemi shumë më pak ministri, shumë më pak zv.ministra, por do të kemi shumë më tepër punë.

Ekipet tona profesionale dhe të LDK, dhe të VV, do të takohen për të harmonizuar programet tona dhe rakorduar për projektet tona. E uruam njeri – tjetrin.”

Vjosa Osmani, nga ana e saj tha: “ Në bashkëqeverisje duhet të pranojmë se kushdo që ka fituar, merr pozitën e kryeministrit. Sa i përket ku do të jem unë, këtë do ta marr unë si vendim bashkë me partinë që përfaqësoj. Do të presim rezultatin final të numërimit, janë rreth 20 mijë vota të mërgatës dhe mbi 20 mijë vota me kusht dhe që, në bashkëqeverisjen tona, ne do t’ia urojmë njeri-tjetrit kushdo që e ka marrë një votë më shumë."

Albin Kurti shtoi: "Ne do të qeverisim bashkë, rezultatin preliminar e kemi...Ne e uruam njeri tjetrin dhe kur të kemi rezultatin final do ta shihni. Tani për tani ju e dini, unë nuk besoj se ai do të ndryshojë. Për korrektësi, dakordim, fjala e fundit për çertifikim është nga KQZ-ja. Pra, PDK është në opozitë, LDK dhe VV janë në qeverisje. Por shumëçka për të mos thënë gjithçka, është qartë.“/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco