Nevojiten sytë e opozitës për të përfytyruar Shqipërinë pas çmontimit të regjimit

Nevojiten sytë e opozitës për të përfytyruar Shqipërinë pas çmontimit të regjimit

12:42, 23/09/2019
A+ Aa A-

Nga Vehap Kola/

Me fillimin e vjeshtës, mendjet e bukosura të shumë prej nesh nisën të kërkojnë një mrekulli, një përballje titanike dhe një ngadhënjim spektakolar të opozitës mbi regjimin si të vetmen provë për ta quajtur të suksesshëm Lulzim Bashën.

Këto janë mendjet e ngecura në gardhin që ndan botën arkaike të veprimeve me epokën e re të imazhit.

Në botën e produkteve elektronike është e domosdoshme të shtrohen pyetje të pazakonta, të merren përgjigje pa kuptim dhe të priten rezultate që më parë nuk funksiononin. Kjo, pra, është bota virtuale, ku kufijtë mes fantashkencës dhe realitetit fizik pothuajse janë fshirë.

Realiteti virtual është rendi i ri i ‘ekzistencës’, ku ‘bota’ është prodhim i manipulimit elektronik teksa imazhet shfaqen në ekranin e pajisjeve elektronike.

Ujdia për ekzistencën e vetëm një realiteti është prishur.

Në shoqërinë shqiptare, ekzistencën e më tepër se një mundësie për realitet duket se e ka kuptuar më mirë pushteti, me dy udhëheqësit emblematikë Edi Rama dhe Erion Veliaj.

Në garën e zhurmshme ndërmjet realitetit të këtyre dyve dhe atij të shqiptarëve, duket se realiteti i Edi Ramës dhe Erion Veliajt është ngadhënjyes. Të paktën deri sot.

Kjo nuk do të thotë se ai do të vazhdojë të ngadhënjejë doemos dhe pafundësisht, sepse kjo do të rrëzonte vetë pikëpamjen e tyre: ekzistencën e rivalitetit mes shumë realiteteve.

Në pritshmërinë politike tradicionale, keqqeverisja e Edi Ramës do të duhej të shkaktonte një valë zemërimi popullor aq të papërmbajtur, sa nuk do ta qetësonte dot as një fund si i Gruevskit. Por në realitetin tonë sundues, që është realiteti virtual i përpunuar nga Rama, ndodh ndryshe.

Shqiptarët nuk zemërohen, të paktën jo aq sa të cenojnë pushtetin e Partisë Socialiste. Ata nuk i urrejnë aq fort Ramën dhe Veliajn sa të shkojnë në revoltë si ajo e maqedonasve apo ukrainasve.

Shqiptarët zgjedhin të ikin.

Ata pa kurajë për të migruar, nënshtrohen dhe presin që zgjidhja të vijë vetë.

Pritja për një revoltë duket se është pjesë e rëndësishme e realitetit tonë virtual.

Ajo që i bashkon ikjen dhe pritjen si forma reagimi është mosrivalizimi i realitetit virtual të Ramës dhe Veliajt me një realitet alternativ.

Nga çdo këndvështrim bashkëkohor, politikat ekonomike të Edi Ramës do t’ia shpejtonin fundin e pushtetit. Reaksioni që nis me rritjen e taksave për sipërmarrësit dhe profesionistët, vijon me bastisjet e bizneseve të vogla dhe të mesme dhe zgjerohet me thithjen e të gjithë likuiditetit nga konsumatorët, me argumentin se nuk kanë shlyer borxhet ndaj korporatave shtetërore, do të duhej të përfundonte me një kolaps të përgjithshëm të ekonomisë. Rënia e fuqisë blerëse do të falimentonte biznesin në një periudhë afatshkurtër.

Por në realitetin virtual të Ramës dhe Veliajt nuk ndodh kështu. Jo se ekonomia nuk rrënohet, apo se bizneset lulëzojnë, por efekti fundor i reaksionit – shpërthimi i zemërimit antiqeveritar, që u fal një fat të tmerrshëm udhëheqësve politikë, – nuk vjen në jetë.

Sekreti është gjetkë: për të prodhuar këtë rend virtual, Rama dhe Veliaj nuk ndjekin një metodë që ka kuptim, por një rrugë që në fund të fundit funksionon.

Këtu ndahen ata nga Lulzim Basha, dhe krijojnë një dallim, jo vetëm të shkallës, por edhe të rendit. Avantazhi i Rama-Veliajt qëndron pikërisht në aftësinë e tyre për të qëndruar lakuriq dhe për t’i bërë njerëzit t’ua ‘besojnë’ rrobat e tyre të bukura.

Si në një film fantastiko-shkencor, shqiptarët jetojnë në një realitet që u duket i vërtetë për sa kohë qëndrojnë brenda tij, duke e njohur Shqipërinë vetëm nga informacioni i medias në shërbim të pushtetit.

Opozita e Lulzim Bashës duhet të zhvillojë një rrugë alternative të përpunimit të informacionit, që i shpëton shqiptarët nga perspektiva e ngushtë e softuerit manipulues të Rama-Veliajt.

Më shumë sesa një program qeverisjeje, Bashës i nevojitet një strategji komunikimi, që t’u japë shqiptarëve një lexim të çmagjepsur të jetëve të tyre në këtë vend.

Abc-ja e kësaj strategjie duhet të jetë zbardhja e qëllimeve manipulative të propagandës së pushtetit.

Barazimi moral mes regjimit kriminal në pushtet dhe opozitës është një qëllim i rëndësishëm i kësaj propagande.

Tërheqja e opozitës në debate rreth tezave të Ramës është një tjetër qëllim. Shembulli më i spikatur i kësaj është kompleksimi i Bashës, që u vu re në përgjigjet ndaj akuzave të regjimit se përplasjet me policinë gjatë protestave po prishnin imazhin e Shqipërisë dhe po kërcënonin procesin e integrimit.

Rama-Veliaj ia kanë dalë ta tërheqin opozitën në debatimin e kësaj teze, që shkon në drejtimin se imazhi i vendit është më i rëndësishëm se jetët e njerëzve. Për rrjedhojë, opozita është detyruar të argumentojë se imazhin e vendit e ka prishur kanabizimi dhe kriminalizimi i politikëbërjes.

Opozita e Bashës mund t’ia kishte prishur këtë truk regjimit, duke u përgjigjur se mirëqenia e shqiptarëve e zhvillimi i vendit, dhe jo fasada mashtruese e pushtetit, janë prioritet i saj. Shqiptarët nuk jetojnë më mirë, as nuk punojnë më shumë në botën e çudirave të imazhit të rremë të Rama-Veliajt. Shqipëria e zhvilluar dhe me qeverisje demokratike është ajo që duhet dhe mund të bëjnë shqiptarët për vete. Çdo synim tjetër përtej kësaj nuk është në dorën e shqiptarëve dhe nuk ka asnjë gjasë të ndodhë pa u plotësuar këto kushte.

Debati mbi vetë opozitën dhe Lulzim Bashën është një tjetër qëllim i strategjisë së regjimit për manipulimin e opinionit publik. A është opozita e gatshme të vijë në pushtet? A ka një program që i bind shqiptarët ta votojnë? A është reformuar dhe pastruar nga politikanët e korruptuar dhe të paaftë?

Të gjitha këto janë cytjet djallëzore të propagandës qeveritare për të maskuar planin e përçarjes së kundërshtarëve të saj realë: opozitës politike të udhëhequr nga Basha dhe qytetarëve të revoltuar me regjimin.

Në të vërtetë, për të ardhur në pushtet opozitës së këtij regjimi nuk i duhet asgjë përveç zgjedhjeve të lira. Basha nuk ka nevojë të hartojë asnjë program më të mirë se programi i pushtetit, pasi ky i fundit nuk ekziston. I vetmi program që i duhet Lulzim Bashës dhe shqiptarëve është programi i çmontimit të regjimit me të gjitha gjymtyrët e tij: mafia, oligarkia dhe shpura e oborrit të Rama-Veliajt.

Shqipëria nuk ka nevojë për një program qeveritar që të zhvillohet. Ajo ka nevojë të çlirohet nga regjimi kriminal i qeverisjes, që ndan përditë copa atdheu me mafian dhe oligarkët.

Zhvillimin dhe pasurimin shqiptarët do ta arrijnë me vetë sipërmarrjen e tyre të lire, pasi tregjet të kenë shpëtuar nga monopolet dhe gjobat e mafias.

Infektimi i mendjes së shqiptarëve me tezën e bashkëpunimit të fshehtë mes Bashës dhe Ramës është jo më pak i rëndësishëm për matricën propagandistike të regjimit. Propaganda qeveritare shfrytëzon dyshimin e krijuar te njerëzit pas vendimit të gabuar të Bashës për të bërë marrëveshje me Ramën në 2017, pasi kishte ngritur një rezistencë të gjatë popullore për rrëzimin tij.

Duke e shfrytëzuar në mënyrë djallëzore këtë premisë, shumë veprime të opozitës interpretohen si konspiracion mes Bashës dhe Ramës për zgjatjen e jetës së regjimit. Ndihmesën kryesore në këtë drejtim e japin ish-drejtues dhe funksionarë të PD-së, që dështuan të marrin drejtimin e partisë dhe janë gati të flenë me Ramën për inat të Bashës.

Heshtja e PD-së për korrupsionin e ish-funksionarëve të saj do të vazhdojë t’i kushtojë asaj politikisht. Nëse ka një mënyrë për ta bërë PD-në të besueshme, kjo është shkëputja nga trashëgimia korruptive e kriminale e të gjithë ish-drejtuesve të saj. Lulzim Basha ka detyrimin moral ta shpëtojë PD-në nga njerëzit e shantazhueshëm.

Zbërthimi për publikun i qëllimeve dhe mënyrës së paketimit të propagandës çorientuese mund të sjellë vetëm vetëdijësimin e asaj pjese të opinionit publik që kërkon t’ia heqë mbulesën fuqisë ‘magjike’ të regjimit – ashtu si protagonist në një film fantastiko-shkencor, që zbulon sesi përpunohet truri i njerëzve dhe nis të kërkojë rrugët për ta luftuar këtë kurth.

Opozitës dhe Lulzim Bashës i bie barra të prodhojnë një strategji komunikimi, që t’i ndihmojë shqiptarët të shohin rrugët se si opozita do ta çmontojë regjimin dhe si do të zhvillohet Shqipëria e çliruar nga mafia, oligarkia dhe tirania.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Ajo23/09/2019 13:38

Ju lumte Z. Kola! Ju jeni nga te paktet njerez qe jepni ide te sakta dhe te detajuara se si duhet te veprojne PD dhe Basha per ta mundur Ramen brenda njeres prej kolonave te tij te manipulimit te masave, propogandes dezinformuese. Ndryshe nga disa “ analiste” si puna e Kokes, Dyrnajes, Curit qe gjoja ia qajne hallin PD se nuk po ditka te ngrihet ne lartesine e duhur per te mundur Ramen ( a thua qellimi i tyre nuk eshte zgjatja e jetes se pushtetit te Rames ), por ama me gjithe vetsigurine e tyre se e dine mire sec duhet bere, kurre nuk na treguam asnje rruge apo taktike qe duhet te ndjeke opozita qe te jete e suksesshme! Atehere perse e hapin gojen? Kush ka nevoje per ” gjenine” e tyre boshe, pervec Rames?

Shto koment

Denonco