Rama ka gati projektin për aeroportin e Vlorës, por 'nuk ka gjetur' vendin e ndërtimit

Rama ka gati projektin për aeroportin e Vlorës, por 'nuk ka gjetur' vendin e ndërtimit

10:54, 18/09/2019
A+ Aa A-

Para dy ditësh Kryeministri Edi Rama prezantoi atë që ai e quajti projektin e aeroportit të ri.

Në mënyrë të çuditshme ky lloj projekti është hartuar pa u vendosur paraprakisht vendndodhja e aeroportit.

Projekti është ndërtuar nga studio italiane Archea e arkitektit Marco Casamonti, ndër të preferuarit e kryeministrit Rama. Për më tepër, kjo studio nuk ka asnjë eksperiencë në hartimin e projekteve për aeroporte.

Gjithashtu, nuk dihet se si do ta financojë qeveria shqiptare ndërtimin e aeroportit, duke qënë se ka deklaruar në mënyrë të vazhdueshme se nuk ka para për të ndërtuar ndërtesën e Teatrit të ri Kombëtar, Stadiumit të ri, apo për të ndërtuar shkolla e rrugë.

Historia e ndërtimit të aeroportit të Vlorës

Më 10 tetor 2017, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli fituesin e tenderit për bërjen e studimit e bëshmërisë për aeroportin e Vlorës. Tenderi u fitua nga Seed Consulting, me një ofertë sa 98.6 për qind e buxhetit maksimal të vënë në dispozicion.

Seed Consulting është në pronësi të pronarëve të Atelier 4, një studio arkitekture që ka qenë e përfshirë ngushtë me projektet e rilindjes urbane të Ramës, që kur ai ishte kryetar i bashkisë së Tiranës.

Më 17 janar 2018, kryeministri Edi Rama njoftoi se kishte marrë një “kërkesë zyrtare” për ndërtimin e një aeroporti pranë Vlorës nga konsorciumi turk. Të tre kompanitë në konsorcium, Cengiz Construction, Kalyon Construction dhe Kolin Construction, kanë lidhje të ngushta me regjimin e presidentit turk Erdo?an.

Kërkesa erdhi para se të publikohej studimi i bëshmërisë së aeroportit dhe pas vizitës së kryeministrit Rama në Turqi, gjatë së cilës ai njoftoi se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do ta “ndihmonte” me krijimin e një kompanisë ajrore shqiptare. Sipas Ramës, puna për ndërtimin e aeroportit do të fillonte në qershor 2018.

Më 11 prill 2019, konsorciumi turk u tërhoq nga koncesioni për zhvillimin e Aeroportit të Vlorës. Ministria e Infrastrukturës njoftoi se do të zhvillohet një konkurs ndërkombëtar për të zgjedhur kompaninë e re:

“Konfirmojmë zyrtarisht se do të ketë një garë ndërkombëtare për ‘Vlora International Aeroport pasi interesi është i madh nga investitorët. Dhe ky proces do të përmbush të gjitha kushtet ligjore dhe elementët e transparencës.”

Më 15 shtator 2019, Kryeministri lajmëroi zyrtarisht se konsorciumi turk është larguar dhe studio e preferuar e kryeministrin, Archea ka kryer projektin e ri.

“Pas negociatave tejzgjatura, por si përfundim të pasuksesshme me konsorciumin që shprehu interes për realizimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, u angazhuam drejtëpërdrejt në bërjen e projektit për të mos humbur tjetër kohë të çmuar.

Falë një pune voluminoze në bashkëpunim me një skuadër ndërkombëtare ekspertësh nën drejtimin e studios së famshme ARCHEA, kemi në dorë një projekt ambicioz të standarteve më të larta teknike e arkitektonike.”

Më 16 shtator 2019, Kryeministri prezantoi projektin në Vlorë dhe tha se ende nuk e kishte vendosur nëse do ta ndërtonte ndonjë firmë ndërkombëtare apo me paratë e buxhetit të shtetit.

“Po studiojmë paralelisht dy opsione, ose qysh në fazën e ndërtimit me një kompani serioze ndërkombëtare ose do ta ndërtojmë vetë, me buxhetin e infrastrukturës dhe pastaj do të përzgjedhim operatorin ndërkombëtar. Sepse s’kemi më kohë për të humbur dhe në pranverë duam të hapim kantierin.

 Ai tha se pista e aeroportit të Vlorës do të jetë më e madhe se e Tiranës, dhe do të kthehet në një qendër ekonomike:

“Vlora do ketë një pistë 3.2 km, kur Tirana e ka më të vogël.Do mundësojë edhe transportin e mallrave… Do ketë dhe një funksion të tretë, për mirëmbajtjen dhe riparimin e avionëve. Këto e bëjnë aeroportin e Vlorës një qendër ekonomike, pasi kontributi në ekonomi do jetë shumë i ndjeshëm.”

Kryeministri lajmëroi se qeveria do të ndërtojë edhe një aeroport të ri në Sarandë.

“Kemi filluar ndërtimin e a aeroportit të Kukësit. Njëkohësisht po punojmë për aeroportin e Sarandës. Qoftë Kukësi apo Saranda do kenë aeroporte me një tjetër profil”/exit.al 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Gramoz18/09/2019 15:08

Gjithmone kur e ndjen veten ne veshtirsi ose kur afrohen zgjedhjet, kryekaragjozi Edver Taqi Komiku, riciklon premtimet budallaqe te para 6 vjeteve kur erdhi ne pushtet, dhe mbi te gjitha, keput mufken se po ndertojme aeroportin e Kuksit, nderkohe qe ky aeroport ka kohe qe eshte ndertuar dhe pritet vetem te vihet ne pune.

Shto koment

Denonco