Analistët/ Diaspora e kuptoi mesazhin: Pa votën e tyre nuk arrihet ndryshimi

Analistët/ Diaspora e kuptoi mesazhin: Pa votën e tyre nuk arrihet ndryshimi

19:08, 17/09/2019 Nga A.V.
A+ Aa A-

Fletëvotimet e shumta të cilat po vijnë nga diaspora kosovare për zgjedhjet e 6 tetorit, po shihen si një përcaktues i mirë se kush do të jetë fituesi potencial i këtyre zgjedhjeve në Kosovë.

Janë mbi 42 mijë fletëvotime deri tani që kanë aplikuar për të votuar me 6 tetor në këto zgjedhje, që krahasaur me vitin 2017 del si një rritje e madhe dhe entuziazëm pikërisht nga mërgata jonë në këto zgjedhje.

Por si e shohin njohësit e çështjeve politike në vend, këtë paralele dhe a vlerësojnë se diaspora mund ta përcaktojë fituesin në këto zgjedhje?

Sociologu Fadil Maloku e politologu Albinot Maloku kanë jep vlerësimet e tyre lidhur më këtë temë për Syri.net Kosova.

Profesor Fadil Maloku thotë se padyshim që diaspora për dallim nga zgjedhjet e fundit, që ishte mobilizuar për ta ndryshuar dhe permbysur keqqeverisjen e atëbotshme, sivjet ajo duket shume me e interesuar dhe më e mobilizuar për ta përmbysur të keqen. 

"Keshtu qe ajo tani ka kuptuar se pa involvimin e saj ne “lojën” zgjedhore, nuk mund të ndihmohet dhe as të arrihet ajo pika kritike e ndryshimit të pritur, ose thënë më thjeshtë, diasporën në keto zgjedhje e shoh si shumë më relevante dhe më të organizuar për ta bërë ndryshimin e pritur", thekson Maloku.

E derisa mund ta bëjmë dallimin se në vitin 2017 kanë qenë vetëm 15.118 votues, në këtë vit deri tani janë 42 mijë e 300 fletëvotime.

Kjo paralele sipas sociologut Maloku dëshmon qartë interesimin dhe vullnetin për ta ushtruar ndikimin e vetë në zgjedhjet e sivjetme.

"Rritjen dhe interesimin e shtuar e shoh edhe si një lloj "hakmarrje" të butë ndaj qeveritarëve që atyre u “ndihmuan” të katapultohen sikur ishte arratisja e padëshiruar përmes rrugëve abnormale në botën e kampeve te azilit gjatë vitit 2015 që ikën mbi 160.000 të rinj kosovar!", shprehet ai.

Kurse politologu Albinot Maloku vlerëson se shprehja e vullnetit të diasporës tonë për të votuar, ndër tjera është edhe një kallëzues se ata duan të aktivizohen, siç kanë ditur ta bëjnë gjithnjë, e të bëjnë ndryshimin në vend. 

"Përcaktues për ndryshimet e kërkuara nga qytetari është çdo qytetar me të drejtë vote në vend", thotë Maloku.

Por a mund të jetë kjo edhe një sinjal se duke e parë diasporën, kësaj radhe edhe qytetarët në vend mund të ekzaltohen dhe të dalin në votime në një përqindje më të madhe?

Pyetjes së Syri.net Kosova, sociologu Fadil Maloku i përgjigjet kështu: Realisht edhe nga kontigjentët e reja supozohet që diku rreth 35.000 votues të rinj "rekrutohen” që si potencë edhe si votues të ri janë që nuk kanë as hipoteka e as ngarkesa të gjeneratave të vjetra dhe pres nga ata që ta bëjne atë ndryshimin e dëshiruar. 

Por edhe ai ka pak besim që do të mund të arrihet kjo "kuotë" kritike për ta bërë këtë “katapultim” të nevojshëm që i nevojitet atmosferës dhe mobilitetit politik. 

"Në Kosovë thënë me thjesht, ende nuk shoh ndryshime rrënjësore, apo të paktën aso ndryshimesh çfarë po propagandohen nga shumica e partive parlamentare kosovare. Arsyet janë të shumta, por midis këtyre arsyeve unë si kryesore shoh përfundimin e dialogut me Serbinë, si dhe margjinalizimin e manipulantëve nga krahu i luftës dhe ai i paqes", shton më tej Maloku.

Derisa politologu Maloku jep vlerësim tjetër lidhur me pyetjen e lartëcekur. 

Sipas tij, thirrjen për të dalë sa ma masovikisht në zgjedhje duhet kuptuar drejt e më përgjegjësi.

"E ripërsëris, ai apo ajo që del për të votuar ka edhe të drejtën për të kritikuar por edhe për të lavdëruar, kurse në të kundërtën është çdo gjë e kotë dhe papërgjegjshmëri", nenvizon Maloku.

E derisa një përgjigje hipotetike për fituesin potencial të këtyre zgjedhjeve, sociologu Fadil Maloku e jep në këtë mënyrë:  

"Realisht dhe logjikisht ndryshimi i nevojshëm po shihet dhe po përceptohet ende më shumë si dëshirë. Nderkaq, ndryshimi i domosdoshëm, pra ai i vërteti që mund të identifikohet edhe si një lloj katarsisi, është ende larg".

E pothuaj të njëjtin mendim për aktivizimin e diasporës për të votuar në zgjedhjet e 6 tetorit e jep edhe ish-deputeti Ilir Deda.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se numri i madh i aplikimeve për zgjedhje nga diaspora e bën gati të pavlefshëm çfarëdo sondazhi parazgjedhor.

"42,000 aplikime për zgjedhje nga diaspora, që me siguri pranohen, e bëjnë gati të pavlefshëm çfarëdo sondazhi parazgjedhor", ka shkruar Deda në Facebook. /Syri.net Kosova

 

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shqiptari17/09/2019 21:52

    Merrni shembull nga Kosova! Bejini votimet si Kosova! Merrni sistemin zgjedhor dhe kodin elektoral te Kosoves! Jepuni mundesine edhe shtetasve shqiptare te diaspores qe te votojne ashtu sic votojne vellezerit tane shtetas te Republikes se Kosoves! Merrni shembull o truthare! Merrni shembull o zagare! Shqiperise nuk kane per t'iu hapur negociatat e BE as para Kosoves!!!

    Shto koment

    Denonco