EKSKLUZIVE/ Zbulohet fabrika shtetërore serbe që ka furnizuar me armë terroristët e ISIS në Jemen

EKSKLUZIVE/ Zbulohet fabrika shtetërore serbe që ka furnizuar me armë terroristët e ISIS në Jemen

15:30, 17/09/2019
A+ Aa A-

Nga Diljana Gajtanxhjeva/

Zbulimi i disa dokumente sekrete, përfshirë pasaporta të skanuara tregtarësh armësh dhe zyrtarësh qeveritarë  amerikanë, sauditë dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ekspozuar për herë të parë një rrjet trafiku ndërkombëtar armësh për armatosjen e militantëve në Jemen, përfshirë terroristët e Shtetit Islamik atje.

Kohët e fundit mora anonimisht dokumente bombë nga Krusik, prodhuesi shtetëror serb i armëve, përfshirë e-maile, qarkore të brendshme, kontrata, fotografi, afate dorëzimi dhe lista paketimesh, me shumë numra armësh dhe blerësit e tyre. Midis dokumenteve mora edhe pasaporta të skanuara të shitësve të armëve dhe zyrtarëve qeveritarë nga SHBA, Arabia Saudite dhe EBA. Ata vizituan fabrikën serbe të armëve për të blerë armë (predhja mortjae dhe raketa) në emër të qeverisë amerikane, ministrisë saudite të mbrojtjes dhe ushtrisë së Emirateve. Por, disa nga këto armë përfunduna në duart e terroristëve në Jemen.

Gjurmimi i armëve të Shtetit Islamik në Jemen deri te furnizuesit e tyre

Predhat e mortajave të prodhuara nga Krusik mund të shihen në duart e terroristëve të IS në videot propagandistike në Jemen.

Gjurmova dy dërgesa predhash të prodhuara nga Krusik, shenjat identifikuese të të cilave ishin qartësisht të dukshme. Përdora dokumentat e dërguara nga fabrika serbe për të zbuluar se kush kishte bërë porosinë origjinale dhe blerjen e këtyre dërgesave.

Gërmat KV tregojnë që këto predha mortajash janë prodhuar nga fabrike serbe Krusik. K është për Krusik dhe V është për Valjevo, qyteti ku gjendet fabrika. Numrat pasues 04/18 tregojnë që mortajat janë dërgesa 04, prodhuar më 2018.

Sipas dokumenteve, kjo dërgesë KV 04/18 me predha mortaje M74HE, 82 mm, që duken në videon e Shtetit Islamik në Jemen, u ble nga kompania amerikane Alliant Techsystems LLC (një degë në pronësi të plotë e ATK Orbital, SHBA) në emër të qeverisë amerikane. Destinacioni i përmendur në dokument është ushtria afgane. Megjithatë, armë nga kjo dërgesë e veçantë shfaqet me terroristët e Shtetit Islamik në Jemen.

Këto predha 81 mm M72 HE KV dërgesa 01/18 u blenë nga ministria saudite e mbrojtjes, sipas dokumentave nga Krusik. Eksportuese ishte kompania private serbe GIM, e përfaqpsuar nga babai i ministrit të brendshëm serb Nebojsha Stefanoviç, Branko Stefanoviç. Përveçse është ministër i brendshëm, Nebojsha Stefanoviç është edhe zëvendës kryeministër i Serbisë.

GIM nënshkroi katër kontrata me Arabinë Saudite për dërgimin e 517,000 predhave nga Krusik, një kontratë më 2016 dhe tre në 2018. Eksportuese nga Serbia ishte GIM dhe importuyes nga Arabia Saudite ishin dy kompani private: Rinad Al Jazira, Arabi Saudite, dhe Larkmont Holdings LTD, një kompani offshore e regjistruar në Ishujt Virgin Britanikë. Destinacioni i predhave ishte ministria saudite e mbrojtjes.

Image

Branko Stefanoviç, babai i ministrit të brendshëm serb, ndërmjetësoi marrëveshjen me Arabinë Saudite.

Një letër nga GIM, datë 27 prill 2017, liston emrat e tre përfaqësuesve të GIM dhe tre punonjësve të Raniad Al Jazira që vizituan fabrikën e armëve me qëllim inspektimin dhe pranimin e armëve të porositura. Midis përfaqësueseve të GIM ishte edhe Branko Stefanoviç. Tre përfaqësuesit sauditë ishin Muhammad Abdulkareem Alhassan (shtetas saudit), Chadi Chaarani (libanez me pasaportë kanadeze) dhe Zeid Haidar Abdel Rahman Madi (shtetas jordanez). Pasaportat e tyre janë të bashkangjitura edhe në një letër me të cilën GIM kërkonte lejen e hyrjes në fabrikën e armëve.

Marrëveshja offshore

GIM i ka shitur armë të prodhuara nga Krusik ministrisë saudite të mbrojtjes edhe përmes një kompnie offshore të regjistruar në British Virgin Islands, Larkmont Holdings LTD, sipas e-maileve të dërguar nga GIM për Krusik.

Nuk ka informacion për pronarin e Larkmont Holdings LTD. Megjithatë, lidhje indirekte sugjerojnë për pronësi saudite. Sipas Regjistrit Tregtar të Qipros, kompania offshore është aksionere në një kompani lokale, Milvards Limited, bashkë me shtetasin saudit Yousef Alotaibi. Kompania ofron shërbime sigurie, mallra të përgjithshme e të tjera.

Korrupsioni

GIM bleu armë nga Krusik me çmim shumë më të ulët se klientët e tjerë të Krusik, çka ngre pyetje nëse kompania shtetërore u mashtrua nga këto marrëveshje. Jo vetëm që këto armë përfunduan në duart e IS në Jemen, por edhe u blenë nga GIM (përfaqësuar nga babai i zv/kryeministrit serb) me çmim shumë më të ulët se ai i ofruar fillmisht nga Krusik, siç tregohet nga dokumentet.

Për më tepër, çmimi që GIM paguan për predhë mortaje është shumë më i ulët se çmimi që paguan, për shembull, kompania shtetërore Jugoimport SDPR.

Sipas dokumenteve të rrjedhur, Krusik është mashtruar qëllimisht me qindra mijëra dollarë për përfitimin e kompanisë private të armëve GIM.

 

Luftë diplomatike me armë

Armët u eksportuan nga GIM direkt në Arabinë Saudite me avionë të Silk Way Airlines, ose përmes detit, nga porti i Burgasit në Bullgari në Jeddah të Arabisë Saudite.

Silk Way Airlines, të cilën ministria saudite e mbrojtjes e pajtoi për transportimin e armëve serbe me fluturime diplomatike, është kompani shtetërore azere. Shënime diplomatike, të cilat m’u dërguan më 2017, zbulojnë se Silk Way Airlines kreu 350 fluturime diplomatike me armë për terroristët në Siri, Afganistan, Jemen dhe Afrikë. Fluturimet u porositën nga Pentagoni, Arabia Saudite dhe EBA. Fluturimet diplomatike përjashtohen nga inspektimet dhe gjurmimi i dërgesave. E njëjta kompani ajrore u pajtua nga Pentagoni për transportimin e predhave serbe në Afganistan më 8 maj 2018. Armë nga të njëjtat dërgesa të nisura në Afganistan janë shfaqur në videon e kohëve të fundit të Shtetit Islamik në Jemen.

Më 10 mars 2019, GIM eksportoi sërish armë serbe nga porti i Burgasit në Jeddah, me anijen Bow Diamond, e cila lundron me flamurin e Gjibraltarit.

Më 28 qershor 2019, anija zvicerane Thorco Basilisk lundroi nga Burgas në Jeddah me 21 kontejnerë, secili me 43,000 copë predha mortajash serbe.

 

Kontraktuesit privatë

Dokumentet zbulojnë se ministria saudite e mbrojtjes licensoi kontraktorë privatë nga SHBA dhe EBA (të gjithë me shtetësi amerikane) për blerjen dhe transportimin e armëve serbe. Kontraktorë të tillë privatë shpesh përdoren nga shërbimet sekrete për mbulimin e operacioneve që përfshijnë aktivitete ilegale jashtë vendit. Sipas dokumenteve të rrjedhur, kontraktorë privatë nga SHBA dhe EBA u ngarkuan me dërgimin e 20,000 raketave Grad nga Serbia në Arabinë Saudite më 2017, 2018 e 2019. Blerësi nuk përmendet në kontratë. Për më tepër, ushtria saudite nuk përdor raketa të tilla.

Më 2016, kompania serbe Krupnik nënshkroi një marrëveshje me vlerë 69.72 milion dollarë me Krusik për 20 mijë copë raketa Grad 122 mm me destinacion Arabinë Saudite. Krupnik dhe Krusik firmosën edhe tri kontrata të tjera për 9,000 copë predha mortaje 120 mm; 7,600 copë predha mortaje M74P1 82 mm; dhe 85,000 copë predha mortaje M74 HE 82 mm për Arabinë Saudite.

Kontraktorët privatë nuk përmenden në asnjë prej dokumentave të këtyre eksporteve. Megjithatë, letra dërguar nga Krupnik në adresë të Krusik zbulojnë se këto rakete dhe predha mortajash (përfshirë fosorin e bardhë) u morën në fabrikë nga kontraktorë privatë. Pasaportat e rrjedhura zbulojnë identitetet e njerëzve të përfshirë. Megjithatë, shtetësitë e tyre, (SHBA, Bullgari, Rumani) tregojnë për operacion të përbashkët ndërkombëtar.

Më 17 prill 2017, përfaqësues të Krupnik vizituan fabrikën e armëver për inspektimin final të armëve të porositura, bashkë me një delegacion prej nëntë të huajsh: dy sauditë nga ministria e mbrojtjes; dy amerikanë nga Heptagon Global Trading, EBA; një amerikan nga Armytrans Ltd., SHBA; një amerikan nga Tradewinds Logistics Group, SHBA; një bullgar e dy rumunë, gjithashtu nga Tradewinds Logistics Group, SHBA.

Më 10 e 11 dhjetor 2018, të njëjtët të huaj bënë përsëri një vizitë në Krusik për të marrë pjesën tjetër të armëve, bashkë me katër zyrtarë sauditë nga ministria e mbrojtjes.

Amerikani Paul McKeon Miller Evans, i cili vizitoi Krusik për inspektimin e armëve të blera nga sauditët si përfaqësues i Armytrans, SHBA, më 2017, listohej si manaxher projekti në Heptagon Global Trading, EBA, gjatë vizitës së dytë, më 2018.

Një tjetër amerikan, Helmut G. Mertins, i cili vizitoi Krusik si drejtor i Heptagon Global Trading, EBA, duket se është përfshirë në marrëveshje në Ballkan për të paktën 10 vjet. Foto të publikuara në Facebook më 2009 e tregojnë pranë një aeroplani të Silk Way Airlines në aeroportin e Plovdivit në Bullgari.

Armytrans SHBA, Heptagon Global Trading EBA, dhe Tradewinds Logistics SHBA, punënjësit e të cilave vizituan Krusik për inspektimin dhe marrjen në dorëzim të armëve të blera nga sauditët, nuk janë pjesë e kontratës me fabrikën serbe. Megjithatë, këto kompani morën në dorëzim dhe transportuan armët jashtë Serbisë. Elementi i përbashkët janë punonjësit amerikanë. 

Më tej, Heptagon Global Trading dhe Tradewinds Logistics janë direkt të lidhura me Shtetet e Bashkuara. Heptagon Global Trading, EBA, ka një degë në Teksas, drejtor i së cilës është Justin Hargrove. I njëjti emër shfaqet si drejtor i degës së Tradewinds Logistics në Florida. Të dyja kompanitë, Heptagon Global Trading dhe Tradewinds Logistics, kanë të njëjtën adresë – 10687 Gaskins Way, Suite 105, Manassas  20109 VA, SHBA. Megjithatë, nuk ka rekorde publike për pronarët e tyre. Tradewinds Logistics është regjistruar si kompani offshore në Delaware, SHBA. Sipas faqes së kompanisë në internet, Tradewinds Logistics ofron transport të sigurt, eskortë të sigurt në tokë, dhe shumica e stafit të saj ka autorizim sigurie të SHBA, çka do të thotë se kryejnë punë për qeverinë amerikane.

Kompania manaxhon operacionet zinxhir të furnizimit të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes në Arabinë Saudite dhe kërkon të pajtojë një manaxher të lartë programi për instalimin në rajonin e Gjirit Persik.

Sipas dokumenteve të rrjedhur, kontraktorët amerikanë transportuan 11,000 copë raketa serbe Grad më 2017 e 2018, dhe 9,000 copë Grad më 2019. Armët u transportuan me kamionë nga Serbia në Burgas të Bullgarisë e prej andej me anije në Jeddah të Arabisë Saudite.

2,000 copë raketa serbe Grad nga Krusik u eksportuan nga Burgasi në Jeddah më 16 korrik 2019 me anijen e mallrave Jork, me flamur të Antigua Barbuda.

Anija e mallrave të përgjithshme Jork kaloi Bosforin gjatë lundrimit nga Burgas në Jeddah më 17 korrik 2019 (Burimi: Yörük I??k )

Arabia Saudite ka blerë një total 1,286,462 copë municioni nga fabrika serbe Krusik që nga 2017.

Këto eksporte janë vetëm një pjesë e vogël e dërgesave të fshehta ndërkombëtare të armëve për armatosjen e militantëve në Lindjen e Mesme. Unë kam publikuar dokumente e fakte që lidhin këto eksporte direkt me terroristët e Shtetit Islamik në Jemen. Kam publikuar edhe emrat dhe pasaportat e shitësve të armëve dhe zyrtarëve qeveritarë nga SHBA e Arabia Saudite, sepse ata duhet të merren në pyetje dhe ata që armatosin terroristët duhet të mbajnë përgjegjësi.

***

Diljana Gajtanxhjeva është një gazetare investigative bullgare, korrespondente për Lindjen e Mesme dhe themeluese e Arms Watch. Gjatë dy viteve të fundit ajo ka botuar një seri raportesh për furnizimin me armë të terroristëve në Siri dhe Irak. Aktualisht është përqendruar në dokumentimin e krimeve të luftës dhe tregtinë ilegale të armëve në zonat e luftës kudo në botë.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco