Tritan Shehu i prerë: Nuk ka marrëveshje Basha-Rama, janë mjegullnaja dashakeqe

Tritan Shehu i prerë: Nuk ka marrëveshje Basha-Rama, janë mjegullnaja dashakeqe

10:17, 14/09/2019
A+ Aa A-

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu, në një intervistë për gazetën “Shekulli” ka komentuar edhe diversionin e madh që ka shpërthyer ditët e fundit veçanërisht nga mediat dhe gazetarët pranë Rilindjes, për një pakt sekret mes Bashës dhe Ramës.

Sipas “burimeve” të tyre, së shpejti do të kemi një marrëveshje e cila konsiston veçanërisht në një sistem të ri zgjedhor dhe një qeveri tranzitore të përbashkët e cila do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme të pranverës së vitit 2020. Por anëtari i kryesisë së PD-së dhe një nga njerëzit më të afërt të kryetarit Basha, ka hedhur poshtë me vendosmëri gjithë këtë `mjegullnajë dashakeqe`, sipas tij.

“Për një gjë duhet të jeni të sigurt: nuk ka asnjë marrëveshja, aktualisht. Z. Basha e theksoi dhe dje qartësisht këtë. Janë te gjitha mjegullnaja dashakeqe apo nga injoranca këto. Qëllimi i Partisë Demokratike është të vendosë votën e lirë, si zgjidhjen e problemeve të mëdha që ka vendi. Pra këtu duhet të fillojë gjithçka, sepse vota e lirë në Shqipëri “ka humbur”, duke u bërë kjo shkak i të gjithë problemeve madhore të vendit, i deformimit të demokracisë, instalimit të autokracisë, varfërisë, mungesës së shpresës etj. Ky padyshim është aksioni i madh politik që PD ka ndërmarrë që nga shkurti i këtij viti, vazhdon dhe është i pa lëkundur.

Kushti dhe konditat e Partisë Demokratike për të rivendosur votën e lirë dhe për ta pranuar atë janë të qarta. Në radhë të parë, ato lidhen me krijimin e një ambienti që do pranojë votën e lirë, një qeveri që të jetë e besueshme, pa Ramën kryeministër kjo. Në Shqipëri duhet vendosur kushtetutshmëria. Unë mendoj se ky proces varet nga këto elementë.

Nuk shoh ndonjë rrugëzgjidhje tjetër. Çështja e Reformës Zgjedhore është një element, i cili mund të ecë përpara pas ndryshimeve të mëdha politike, për t’i hapur rrugë procesit të rivendosjes së votës së lirë. Reforma zgjedhore nuk mund të jetë qellim në vetvete e as një “deus ex machina” që mund të zgjidhë këtë krizë shkatërruese ku e ka futur vendin kjo Rilindje. Të semplifikosh çështjen te Reforma zgjedhore do të thotë ose të mos kuptosh asgjë ose të duash ta përdorësh këtë si “gjethe fiku”, siç kërkon të bëjë Rama. Kjo është e rëndësishme të kuptohet mirë. Dhe PD pikërisht për këtë po lufton, për të çuar të rikthimi i votës së lirë, si themeli e zanafilla e çdo gjeje pozitive”, deklaron Shehu mes të tjerave në këtë intervistë..

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Goni14/09/2019 10:44

Shum mir e ka then hallall

Shto koment

Denonco