Biznesi i dyshimtë 11 milionë euro që damkos Pallatin e Drejtësisë

Biznesi i dyshimtë 11 milionë euro që damkos Pallatin e Drejtësisë

20:54, 19/08/2019
A+ Aa A-

Në 7 gusht të vitit 2013, qeveria në ikje e Sali Berishës miratoi një vendim përmes të cilit i dha 25 mijë metër katrorë tokë publike falas Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

E pozicionuar në një nga zonat më të kërkuara të Tiranës, pranë fushës së aviacionit, toka do të përdorej për ndërtimin e Korpusit të Avokatisë dhe Shkollës së Avokatëve.

Tre vjet pas marrjes së tokës, në prill të vitit 2016, Dhoma Kombëtare e Avokatisë e drejtuar nga Maksim Haxhiaj, shpalli garën për ndërtimin e Korpusit përmes një ‘Ftese për Kuotim’.

Ky është dhe informacioni i fundit publik i një projekti të mistershëm, i cili do të rikthehej në vëmendjen e publikut tre vjet më vonë.

Godina e Korpusit të Avokatisë përfundoi në vitin 2017. Vlera, burimi dhe formula e financimit të ndërtesës nuk janë publike, pasi e gjithë procedura e prokurimit ka qenë e mbyllur. Por ky ishte vetëm fillimi i një biznesi të dyshimtë, i cili më vonë do të përfshinte qeverinë dhe madje potencialisht edhe ndërkombëtarët.

Në 17 prill të këtij viti, qeveria miratoi një vendim, përmes të cilit i dha të drejtën vetes të blejë Korpusin e Avokatisë për ta shndërruar atë në Polin e Drejtësisë, selinë ku do të vendosen institucionet e reja të reformës si KLGJ, KLP, e kështu me radhë.

Me urdhër të Kryeministrit u ngrit një grup i posaçëm pune me përfaqësues nga disa ministri për të bërë vlerësimin e godinës dhe për të përgatitur projekt-kontratën e blerjes. Sipas vendimit, kontrata duhej t'i përcillej Ministrisë së Financave dhe më pas Këshillit të Ministrave për miratim.

Deri tani qeveria nuk ka bërë publike asnjë kontratë për blerjen e pronës. Por pavarësisht kësaj, tre javë më parë nën shoqërinë e ambasadores së SHBA-së, atij të BE-së dhe shefes së ONM,  kryeministri Edi Rama e përuroi godinën si Polin e Drejtësisë. Por i gjithë ky proces i zhvilluar në mungesë të plotë transparence, ngre pikëpyetje dhe dyshime të forta ligjore.

Së pari, në vendimin e vitit 2013 ka qenë e përcaktuar shprehimisht se toka shtetërore që i falet Dhomës Kombëtare të Avokatisë do të shërbejë vetëm për ndërtimin e Korpusit të Avokatëve dhe nuk lejohet të ndryshojë destinacion. Por vendimi u shkel dhe prona u tjetërsua në Pallat Drejtësie. 

Pikëpyetja e dytë lidhet me mekanizmin ligjor te blerjes.

Dhoma Kombëtare e Avokatisë nuk është një institucion publik, por OJF e cila është më afër subjektit privat. Ky është një detaj shumë i rëndësishëm, pasi kuadri ligjor në fuqi e bën shumë të vështirë blerjen e një prone private për interesa publike.

I vetmi mekanizëm ligjor i parashikuar për blerjen e pronave private nga qeveria janë shpronësimet, por edhe këto nën disa kufizime shumë të forta. Qeveria shpronëson prona private vetëm kur i duhet të ndërtojë vepra publike të rëndësisë së veçantë si rrugët, shkollat apo spitalet me çmime të fiksuara qartë në hartën e referencës.

Por në rastin e blerjes së godinës së Polit të Drejtësisë nga Dhoma e Avokatëve nuk ka as shpronësim dhe as ankand, por një procedurë të mbyllur, tërësisht jo transparente dhe me bazë të dyshimtë ligjore.

Kjo është edhe arsyeja se pse kontrata po zvarritet, pasi zyrtari i shtetit që do të guxojë ta firmosë atë, herët ose vonë do t'i duhet të përballet me ligjin.

Por cila është pasoja e gjithë këtij operacioni ekstraligjor?

Sigurisht që djalli qëndron tek paraja. Konfidencialisht mësohet se çmimi i blerjes që qeveria do i paguajë Dhomës së Avokatisë është caktuar 11 milionë euro. Pra, qytetarët shqiptarë do t’i paguajnë 11 milionë euro Dhomës Kombëtare të Avokatisë, për një ndërtesë të ngritur mbi tokë të falur shtetërore.

Por nuk mbaron me kaq. Në media kanë rrjedhur lajme se marrëveshjen për blerjen e Korpusit të Avokatëve, qeveria ka premtuar t’i japë tjetër tokë publike falas Dhomës së Avokatisë. Kjo e shndërron institucionin e drejtuar nga Maksim Haxhia, nga një OJF që duhet t’i shërbente interesit publik në një biznes të mirëfilltë ndërtimi, i cili përfiton troje shtetërore falas, i zhvillon ato përmes procedurave jashtë ligjit të prokurimeve dhe më pas realizon fitime marramendëse duke ja shitur po shtetit. 

Pra bëhet fjalë për një biznes të majmë me pikëpyetje të forta. Dhe pikëpyetja më e madhe është; Kujt po i shkojnë 11 milionë eurot e buxhetit? Dhomës së Avokatisë apo do të ketë edhe përfitues të tjerë formale apo jo formalë? Së dyti nëse paratë i përfiton Dhoma e Avokatisë, për çfarë dhe si do të përdoren ato? 

Nëse nuk sqarohen plotësisht, të gjitha këto pikëpyetje vënë një një njollë të madhe mbi reformën në drejtësi. Atë se Drejtësia e Re do të ngrihet mbi një pallat të damkosur nga operacione ekstraligjore dhe dyshime të forta abuzimi me kosto të rëndë në kurriz të taksapaguesve. Kjo është ana e errët e historisë me të cilën u ngjiz Poli i Drejtësisë. Një projekt për të cilin Bashkimi Europian pati akorduar plot 50 milionë euro, por për shkak se qeveria nuk kreu procedurat siç duhet financimi u anullua në vitin 2017. Dhe me sa duket ky anullim mund të mos ketë qenë i rastësishëm. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

aksesi20/08/2019 08:28

Mos ndoshta kjo afere ka ndodhur ngaqe gruaja e Maksim Haxhias(Etleva Haxhia) eshte vartese e Etilda Gjonaj (drejtoreshe tek Qendra e Botimeve Zyrtare)?

krasasi tp19/08/2019 23:33

"Pallati i Avokatise" i ka ber ndere te medha sistemit te partitokracise, ndaj qoka shlyet me qoke.I shnderruar sot ne seli te institucioneve te reja te drejtesise , do ishte i paragjykuar me te drejte nese partneret do perjashtonin nga vetingu avokatet, te cilet kane perqindje te konsiderushme ne organet e reja te sistemit te drejtesise.Para liberalizimit te licensave per avokat, perceptimi qytetar ishte se 80% e avokateve ishin te korruptuar dhe se kishin pergjegjesi jo te paket ne shkaterrimin e sistemit te drejtesise.Eshte fakt qe krejt te pa aftet dhe te korruptuaret ne allishverishe me qeveritaret ,zoterojne kate pallatesh si zyra, ne zonat me te mira te kryeqytetit.Nuk ka prona shteterore ne zemer te qyteteve, as prona publike.Prona private po, por qe me te perdhune sistemi i partitokracise per interesa klienteliste e personale, ne kundershtim me kushtetuten dhe te drejtat themelore, jua zhvasin qytetareve.

Shto koment

Denonco