Kundër përçarjes për Teatrin Kombëtar/ Diaspora: Të ruajmë vlerat artistike dhe të identitetit tonë kombëtar

Kundër përçarjes për Teatrin Kombëtar/ Diaspora: Të ruajmë vlerat artistike dhe të identitetit tonë kombëtar

20:47, 13/08/2019

Një apel nga Këshilli Koordinues i Diasporës lidhur me ballafaqimet e ashpra në Tiranë mbi godinën e Teatrit Kombëtar.

Si përfaqësues të Këshillit Koordinues te Diasporës jemi të shqetësuar që shoqëria shqiptare dhe në veçanti politika po përjeton një klimë konflikti që mund të ketë pasoja të rënda për të ardhmen e vendit. Duket sikur politika te ne gjeneron kriza të vazhdueshme që dëmtojnë rëndë jo vetëm ekonominë, por edhe imazhin e vendit. Muajin e fundit është krijuar një tensionim fare i panevojshëm lidhur me fatin e godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë. Prej 18 muajsh debatohet dhe protestohet vazhdimisht për këtë çështje dhe, sigurisht, do të ishte e udhës që Qeveria të vlerësonte këtë debat sipas praktikave demokratike me konsultime apo referendum siç ndodh në çdo vend demokratik. Kjo do të kishte evituar që situata të degradonte deri në atë pikë sa artistët dhe grupe të tjera të shoqërisë të mbrojnë Teatrin nga policia e shtetit.

Jemi dakord të ndërtohet një Teatër i ri në Tiranë sipas kërkesave të kohës, por kjo mund të realizohet në një zonë tjetër pa prishur godinën ekzistuese. Qeveria dhe Bashkia e Tiranës duhet të kuptojnë që demokracia nënkuptohet vetëm atëherë kur shumica dëgjon edhe zërin e pakicës pa lënë pas dore edhe mendimin e diasporës.

Për më tepër në këtë rast nuk bëhet thjeshtë fjalë për pakicë dhe shumicë, por për një çështje mjaft delikate që ka të bëjë me identitetin kulturor të vendit dhe në veçanti qytetit të Tiranës. Artistët, arkitektët, urbanistët, konstruktorët dhe shoqëria civile në Shqipëri dhe diasporë, kanë të drejtë të ngrenë zërin pasi kauza për teatrin është një test integriteti dhe respekt për secilin.

Nuk dyshojmë që Qeveria ka qëllime dhe ide të mira, por ato bëhen të realizueshme kur janë pjesë e një strategjie zhvillimi social-ekonomik që ka si bazë parimet demokratike të transparencës, gjithëpërfshirjes së grupeve të interesit, zhvillimit harmonik të zonave të ndryshme urbanistike dhe – më kryesorja – në forcimin e unitetit kombëtar aq shumë i munguar këto kohët e fundit.

Sot më shumë se kurrë kemi nevojë t’i kthehemi mençurisë së Sokratit, i cili thotë: «Sekreti i ndryshimit është të fokusojmë të gjithë energjinë tonë, jo për të prishur të vjetrën por për të ndërtuar të renë». Interesi i vetëm i diasporës është dhe do të jetë respekti reciprok, progresi ekonomik dhe demokracia e vendit tonë duke ruajtur trashëgiminë historike dhe kulturore që ne po e promovojmë me sukses nëpër botë. Diaspora nuk mund të qëndrojë kurrsesi indiferente dhe mospërfillese ndaj zhvillimeve negative në vend dhe është e gatshme të kontribuojë me ide dhe projekte konkrete. Ne e konsiderojmë detyrim patriotik dhe moral të ndihmojmë dhe ngremë zërin vetëm në shërbim të kombit dhe jo të partive.

Të dashur bashkadhetarë, ju bëjmë thirrje nga larg për mirëkuptim dhe jo konfrontime. Mos harroni se kemi më shumë gjëra që na bashkojnë se sa na ndajnë. Artistët e mëdhenj që na argëtuan dhe edukuan nga skena e atij teatri nuk do të dëshronin të përëahemi për godinën, por të bashkohemi për mbrojtjen e identitetit tonë dhe që Teatri i ri të sjellë art cilësor dhe dashuri duke ruajtur në gjirin e vet thesarin e Teatrit Kombëtar. Ftojmë anëtaret e tjerë te KKD, Ambasadorët e Kombit, dhe të gjithë shqiptarët në Shqipëri dhe nëpër botë që të mbështesin këtë deklaratë.

Dr. Adriana Fishta Bejko (përfaqësuese nga diaspora e Kanadasë), kryetare e Bordit të Shkollës Shqipe në Calgary, autore tekstesh dhe studiuese shkencore, Ambasadore e Kombit

Anila Hyka SmØrgrav, M.A. Sc and MBA (përfaqsuese nga diaspora e Francës). Drejtoreshë projektesh, profesioniste ne fushën e IT dhe Telekomunikacionit, Ambasadore e Kombit

Ardian Radovicka, M.A. Sc. and P. Eng. (përfaqësues nga diaspora e Kanadasë). Drejtues projektesh studimore, profesionist për modelimet hidraulike në bashkinë e Torontos, piktor dhe veprimtar

Bashkim Bekiri (përfaqësues nga diaspora e Australisë). Kryetar i shoqatës së komuniteteit shqiptaro-australian, iniciator dhe organizator aktivitetesh

Dr. Gazmend Kapllani (përfaqësues nga diaspora e Greqisë). Drejtues i Katedrës së Studimeve Shqiptare Hidai Bregu në Universitetin DePaul ne Chicago, shkrimtar, dramaturg dhe gazetar, Ambasador i Kombit

Prof. Dr. Sokrat Sinaj (përfaqësues nga diaspora e Zvicrës). Përgjegjës për kërkimin shkencor në fushën e ushqimit të bimëve bujqësore në Institutin Kombëtar të Kërkimeve Bujqësore (Agroscope) në Zvicër, Ambasador i Kombit

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco