Tritol në banesë zëvendësit të Xhelal Mziut, PD paralajmëron me ashpërsi Ramën

Tritol në banesë zëvendësit të Xhelal Mziut, PD paralajmëron me ashpërsi Ramën

15:04, 05/08/2019
A+ Aa A-

Partia Demokratike deklaroi sot se dënon me ashpërsi rritjen e dhunës kundër kundërshtarëve politkë dhe përfaqësuesve të opozitës.

Siç njoftoi PD-ja, "mbrëmë në mesnatë është vendosur tritol në banesën e nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës, Vendim Demaj. Fatmirësisht, ai dhe familja e tij nuk ndodheshin në banesë. Policia e Shtetit po e fsheh këtë ngjarje të rëndë dhe deri tani nuk ka asnjë të dhënë për agresorët.

Bashkia e Kamzës prej kohësh është vënë nën sulmin verbal të kryeministrit Rama dhe disa strukturave të tjera të pushtetit.

Por vendosja e tritolit në banesën e nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës përbën një përshkallëzim të agresionit ndaj kundërshtarëve politikë të regjimit të Edi Ramës, - thuhet në deklaratën e selisë blu. - Fshehja e ngjarjes nga Policia nuk i kontribuon as zbardhjes së saj e as kthimit të qetësisë në Kamzës.

Ajo vetëm sa shton mosbesimin e qytetarëve ndaj forcave të policisë.

Nëse do të vijohet edhe më tej duke fshehur ngjarjen, jo vetëm familja e Vendim Demajt, por të gjithë qytetarët e Kamzës do të identifikojnë tek Policia e Shtetit bashkëpërgjegjësin kryesor, që në aleancë me krimin e organizuar, po rrezikon përditë sigurinë e tyre.

Partia Demokratike e Shqipërisë do të mbajë përgjegjës Edi Ramën për çdo akt dhune dhe agresioni ndaj përfaqësuesve të saj politikë.

Çdokënd tjetër me përgjegjësi ligjore që me veprimin apo mosveprimin e tyre mundëson akte të tilla dhe pengon ndëshkimin e autorëve, e paralajmërojmë se ne as nuk falim e as nuk harrojmë. Ora e drejtësisë do t’u trokasë shumë shpejt!"përfundon reagimi i PD-së.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco