Luçiano Boçi: S’ka përçarje të opozitës, zgjedhjet vetëm me qeveri tranzitore

Luçiano Boçi: S’ka përçarje të opozitës, zgjedhjet vetëm me qeveri tranzitore

12:07, 21/07/2019
A+ Aa A-

30 qershori është krejt nul dhe dekreti i Presidentit për 13 tetorin në fuqi, kështu deklaroi gjatë një bisede me gazetën Koha Jonë ish deputeti i PD Luçiano Boçi.

Ai përmend situatën në gjykatën e Durrësit, ku thekson se: “Skandali i Durrësit dëshmoi qartazi që sot sistemi i drejtësisë është nën vasalitet politik të plotë. Gjyqtarët janë nën presion të plotë dhe vendimit e tyre vazhdojnë të jenë partiake dhe jo ligjore. Në të tilla rrethana por dhe ato pararendëse që lidhem me dekretin e Presidentit, kryebashkiakët nuk mund të largohen nga ushtrimi i detyrës. 30 Qershori është krejt nul dhe dekreti i Presidentit në fuqi. Është e drejtë institucionale e kryebashkiakëve të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë dhe madje të angazhohen për situatën zgjedhore”. Boçi akuzon se PS vazhdon në harbuterinë e saj ligjore duke i vënë minat çdo ligji e institucioni në Shqipëri.

I pyetur pse PD-ja ka nisur tani të shpalosë programin e saj për ekonominë, Boçi thekson se është garancia më e prekshme për zgjidhjet që sot kërkojnë qytetarët për problemet e tyre të mprehta ekonomike e sociale. “Prezantimi i platformës ekonomike është jo thjesht pararendësja e programit të PD për zgjedhjet politike të prakohshme por dhe garancia më e prekshme për zgjidhjet që sot kërkojnë qytetarët për problemet e tyre të mprehta ekonomike e sociale”.

A është në uniformë opozita dhe e ndajnë të njëjtin qëndrim për qëndrimet politike? Ish-deputeti thotë se nuk ka çarje në qëndrimet e opozitës, ku thekson se zgjedhjet lokale dhe politike do të kalojnë përmes një qeverie tranzitore. “Opozita nuk ka çarje në qëndrimin e saj. Ne vazhdojmë të theksojmë që zgjedhje me Ramën nuk ka dhe që zgjedhjet politike e lokale do të kalojnë nëpërmjet një qeverie tranzitore”. Sipas tij, dinamika politike është në lëvizje edhe pse jemi në pikun e sezonit turistik. “Dinamika politike pavarësisht stinës është në lëvizje të vazhdueshme dhe zgjidhja e krizës është e afërt. Ne kemi ende në dispozicion mjete politike për të detyruar një zgjidhje që sot e kërkojnë 85 % e shqiptarëve”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco