Basha: Faleminderit shkodranëve që refuzuan masivisht Ramën

Basha: Faleminderit shkodranëve që refuzuan masivisht Ramën

20:41, 15/07/2019
A+ Aa A-

Kreu i PD-së, Lulzim Basha falenderoi nga Shkodra të gjiithë qytetarët shkodranë për refuzimin masiv që ata i kanë bërë regjimit të Edi Ramës.

Basha theksoi se edhe socialistët shkodranë i dhanë shuplakë Ramës, duke i dhënë atij mesazhin e qartë se ata nuk bëhen pjesë e kupolës kriminale të Rilindjes.

‘Së pari, dua t’i shpreh mirënjohjen më të thellë këtij qyteti fisnik, zemrës europiane të Shqipërisë, siç ka qenë në histori, ashtu është edhe sot, me refuzimin rekord, për librat Guiness, me rreth 94 % të qytetarëve, që refuzuan, jo vetëm farsën e 30 qershorit, por regjimin e hajnave dhe kriminelëve të Edi Ramës.

Kam ardhur sot këtu në radhë të parë për të shprehur mirënjohjen dhe për t’u përkulur me respekt para çdo qytetari shkodran, demokratëve të Shkodrës, mbështetësve të Partisë Demokratike dhe të së djathtës, mbështetësve të opozitës, por, në mënyrë të veçantë, edhe socialistëve shkodranë që, me numra rekord, braktisën farsën e 30 qershorit dhe i lëshuan mesazhin më kuptimplotë kupolës kriminale që ka kapur partinë e tyre, se njësoj si vëllezërit e motrat e tyre demokratë, njësoj si qytetarët e tjerë të Shkodrës e të të gjithë Shqipërisë, ata nuk janë gati ta pranojnë më uljen e kokës para hajdutërisëdhe kriminalitetit të kupolës së organizatës së strukturuar kriminale të “Rilindjes”.

Së dyti jam këtu për t’u thënë të gjithë shkodranëve se për mua, Partinë Demokratike dhe për opozitën, refuzimi i Edi Ramës dhe regjimit të tij me 30 Qershor, shumica “Rama ik” është, mbi të gjitha, motivim dhe përgjegjësi për ta kthyer këtë votë masive për largimin e këtij regjimi antikushtetues, antipopullor, por edhe antikombëtar, në një votë shprese dhe besimi për një projekt ndryshimi, ndryshimi të vërtetë, ndryshimi të qëndrueshëm, ndryshimi për çdo shqiptare dhe çdo shqiptar.

Ky ndryshim s’mund të vijë me fjalë, por duhet të vijë me vepra dhe garanci. Duhet të vijë me ndryshime kushtetuese, me ndryshime zgjedhore, me ndryshime politike që do t’i paraprijnë një transformimi të thellë, në rradhë të parë, të ekonomisë, që është plaga më e rëndë e Shkodrës dhe e gjithë Shqipërisë dhe, po kështu, një transformimi të thellë, modernizues për vendin.

Mesazhi i fundit që dua të jap sonte është se jam shumë i vetëdijshëm për kohët e vështira ekonomike ku është zhytur Shkodra dhe mbarë Shqipëria, se nuk mjafton të themi se kjo është një pasojë e qeverisjes së dështuar, të papërgjegjëshme, të korruptuar dhe kriminale të Edi Ramës.

Tani është koha të japim zgjidhjet tona për t’i dhënë fund një ekonomie të kapur nga 5 oligarkë, nga 5 banda kriminale dhe Edi Rama me sejmenët e tij. Pra për të liruar tregun, për të çliruar konkurencën, për të ulur taksat, për të ulur dhe jo rritur, siç ka bërë në plan Edi Rama, çmimin e naftës dhe çmimin e energjisë, për t’i dhënë fund monopolizimit të ekonomisë dhe kapjes së biznesit nga të njëjtat interesa që kanë kapur parlamentin, që kanë kapur politikën, për t’i kthyer shqiptarëve, përmes lirisë dhe demokracisë, të drejtën dhe mundësitë për të jetuar dhe punuar me dinjitet’, tha Basha nga Shkodra.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco