Profil/ Besniku i Partisë, që drejton 'Reformën' historike!

Profil/ Besniku i Partisë, që drejton 'Reformën' historike!

12:00, 13/07/2019
A+ Aa A-

Kur televizioni publik nisi të transmetonte filmat e parë të Hollivudit këtu e tre dekada më parë, jo pak shqiptarëve do u ketë rënë në sy një fenomen: shumë prokurorë dhe avokatë që aspirojnë të bëhen politikanë. Nuk është një çudi, ky është një trend i rëndësishëm në SHBA. Prokurorët dhe avokatët janë njerëz me integritet, e njohin mirë ligjin, janë të artikuluar dhe mbi të gjitha kanë ambicie. Jo më kot bëhen politikanë të mirë. Por teksa jeta në SHBA e imiton jo pak artin dhe anasjelltas, në Shqipëri nuk ka skenarë të tillë. Shembulli më i mirë? Ndoshta juristi i kthyer në politikan, Ulsi Manja.

Më 30 gusht të vitit 2012, Ulsi Manja drejtonte degën lokale të Partisë Socialiste në Dibër. I lindur në këtë qytet në vitin 1973, ai kishte bërë karrierë në drejtësi kryesisht në zonat e veriut, madje kishte arritur të ishte pedagog i jashtëm në Universitetin e Shkodrës. Nga ndihmësgjyqtar në prokuror, drejtues prokurorie e më pas avokat, ai i kishte provuar të gjitha. Gradën si Doktor Shkencash në fushën e Të Drejtës Penale e kishte marrë me objekt studimi krimet mjedisore në Shqipëri.

Tani ishte koha për të bërë kapërcimin e madh: të kalonte në politikë. Për këtë arsye i duhej të publikonte ndonjë shkrim për të sulmuar qeverisjen e demokratëve, në një fushë që nisi të bëhej e ndjeshme drejt fundit të mandatit të dytë: sigurinë në vend.

Për situatën ku ndodhemi përpos shumë të tjerave, ka një shpjegim fare të thjeshtë: Nuk kemi shtet dhe pikë. Shqipëria kullon gjak nga mungesa e demokracisë, prandaj sot më shumë se kurrë ne jemi lakuriq përballë krimit sepse shteti, të cilit i kemi dhënë të drejtën për të na mbrojtur jetën, shëndetin, familjen dhe pronën, është marrë peng nga krimi dhe falangat e tij që në qershor të vitit 2009, kur u prekën zgjedhjet e lira dhe vota e lirë e shqiptarëve, shkruante Manja në atë kohë në gazetën TemA.

Interesant është të shohësh se si juristi, që mendonte se të gjithë të këqijat e një vendi burojnë nga fakti se janë prekur zgjedhjet e lira, do ishte një nga emrat kryesorë në përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane BILD, në krye të një operacioni për manipulimin e votave në zonën e Dibrës dhe më pas në të gjithë vendin.

Se si mund të kapet kaq ‘mat’ një ish-prokuror dhe avokat me eksperiencë, kjo është një pyetje që mund të ngjajë qesharake në realitetin shqiptar.

Kriza e demokracisë në Shqipëri nuk ka filluar sot. Ajo ka 22 vjet mes nesh dhe lidhet me emrin e një njeriu të vetëm: Sali Berishës, mania politike e të cilit sa herë ka hipur në pushtet, ka qenë dhe mbetet uzurpimi dhe kontrolli i të gjitha pushteteve të pavarura kushtetuese të vendit, ankohej përpara shtatë vitesh juristi Manja.

Nuk thonë kot se është mirë që të kontrollosh ato që ke deklaruar në të shkuarën. Për ironi sot Manja është kthyer në simbolin e ‘mashës’ që po përdor kryeministri për të uzurpuar pushtetet në vend. Si elefanti në dyqanin e qelqurinave, ai është i pari kudo. Fillimisht u tha se Manja ishte njeriu që sponsorizoi përzgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku. E çfarë nuk u tha nga ajo kohë e deri sot e kësaj dite për pikëtakimet Manja-Marku, por kjo nuk ka rëndësi, fakt është bilanci i trishtë që ka prodhuar PPP, Arta Marku. Mund të ishte një tjetër Artë, kjo nuk shtrohet më për diskutim, prokuroria për momentin është organi më i paragjykuar jo vetëm nga opozita.

Tani së fundmi, Manja po udhëheq një operacion për shkarkimin e kreut të shtetit, Ilir Meta, me argumentin se ka kryer shkelje të rënda kushtetuese, kur më së paku është vetë ODIHR që thotë se dekretet e presidentit duhej të shqyrtohen vetëm nga Gjykata Kushtetuese. Po kush po pyet më, thonë se në kohëra krizash, marrinat bëhen gjithmonë e më të mëdha.

Shqipëria ka kaluar shumë peripeci gjatë këtyre tri dekadave postkomunizëm. Korrupsioni, krimi dhe kapja e shtetit kanë qenë tre frazat më të dëgjuara. Por kur binte fjala te ligji, të paktën dy institucione kishin arritur të fitonin jo pak besimin e njerëzve me qasjet dhe vendimet e tyre. Së pari, ishte Gjykata Kushtetuese. Por prej vitesh edhe Komisioni i Ligjeve në parlament ishte kthyer në një trupë serioze. Sidomos drejtuesit e këtij komisioni i kishin dhënë dinjitet jetës parlamentare. Tashmë me rrënimin total të Kuvendit, në ballë të anijes që po mbytet qëndron pikërisht ajo që duhej të bënte më rezistencë, trupa e ligjeve me në krye juristin e partisë, zotin Manja. Kurrë më parë gjatë këtyre viteve nuk ishin dhunuar kaq shumë institucionet e pavarura në vend. Kurrë nuk ishte katandisur në këtë gjendje legjislativi. Dhe njeriu që po vë firmat e tij mbi këtë katrahurë është vetë Manja, që nëpër daljet televizive ankohet se problemi i madh i vendit është opozita.

Sa keq!

Në demokraci, opozita ka fjalën, ndërsa qeveria ka çelësat e shtetit. Pseudoanalistët dhe të tjerë servilë të pushtetit që përditë harxhojnë kohën nëpër televizione duke bërë tellallin e qeverisë, përpiqen të stigmatizojnë opozitën si fajtore për gjendjen e krijuar, por më kot sepse dielli nuk mbulohet me shoshë, shprehej Manja një vit përpara se të zgjidhej deputet i Dibrës në vitin 2013.

Tani të gjithë çelësat i ka Edi Rama. Manja vetëm po ia hap dyert si maxhordom për të zënë poshtë çdo liri dhe pushtet në vend. /MAPO.al

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Gramoz13/07/2019 15:05

Edver Taqi Qenefi osht p.dh some nuk bo gjo me durt e veta, per mashe ka zgjedh Ulsi katnarin, narin e librazhdit Tualet gojoren dhe tyryfylen Spirobrima!

Shto koment

Denonco