Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Përplasja e ashpër e Ilir Metës dhe SPAK

Basha: 29 vjet pas 2 korrikut ‘90, shqiptarët janë sërish përballë regjimit që do t’i ndajë nga Perëndimi

Basha: 29 vjet pas 2 korrikut ‘90, shqiptarët janë sërish përballë regjimit që do t’i ndajë nga Perëndimi

23:36, 02/07/2019
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike ka kujtuar nëpërmjet një statusi në profilin e tij në facebook 2 korrikun e vitit 1990, duke kujtuar se shqiptarët ndodhen sërish sot përballë një regjimi që do ti ndajë nga Perëndimi.

"29 vjet më parë bota pa se shqiptarët po i thyenin hekurat e izolimit të diktaturës më të egër në Evropë. Me mijëra prej tyre u futën nëpër ambasada, me shpresën e një jete më të mirë, më të denjë për vete dhe fëmijët e tyre, por edhe duke dhënë mesazhin se diktatura komuniste i kishte ditët e numëruara. Bota pa atëhere se si diktatori komunist kishte planifikuar t’i sulmonte ushtarakisht ambasadat e huaja dhe të nxirrte prej andej ata që kishin dalë kundër regjimit të tij, por të gjithë e dimë se si përfundoi. Diktatori u thye dhe refugjatët e ambasadave ishin të parët e një valë të pafund shqiptarësh që lanë vatrat e tyre të varfra për të kërkuar realizimin e ëndrrave të tyre për liri e demokraci në Perëndim.

Fatkeqësisht, 29 vjet më vonë, ikjet e pafundme të shqiptarëve drejt Perëndimit, me rregulla e pa rregulla, me dokumente e pa dokumente nuk i përkasin historisë, por janë kronikë e ditës, janë lajmet më të shpeshta që dëgjojmë, veçanërisht nga të rinjtë. E njësoj si atëhere, edhe sot dëgjojmë kërcënime se do rindërtojmë klonin dhe do t’u ndalojmë shqitparëve pasaportat. Në 6 vitet e fundit, më shumë se gjysëm milioni shqiptarë kanë lënë vatrat e tyre për të marrë rrugën e kurbetit. Ata detyrohen të ikin, sepse në atdheun e tyre ata vidhen, ata nëpërkëmben, ata i gjejnë zyrat e shtetit të shndërruar në zyra rryshfeti, ata janë në pamundësi të paguajnë edhe faturat e energjisë elektrike, edhe ilaçet për prindërit, edhe librat e shkollës për fëmijët. Ata po ikin sepse ndjejnë përditë se shteti i tyre, shteti amë u është shndërruar në një regjim pushteti që s’i do. Bile jo vetëm që s’i do, por edhe i përndjek.

Ata po ikin sepse s’gjejnë dot asnjë mënyrë për ta ndryshuar perspektivën e jetës së tyre, sepse pushteti ua vjedh vullnetin e ndryshimit, ua tjetërson votën apo në rastin më të mirë, i përdhos duke ua blerë votën.

29 vjet më vonë, 2 korrikun e përjetoj me një shpresë të madhe, sepse është prova se shqiptarët qendrojnë, se shqiptarët s’e durojnë padrejtësinë dhe se shqiptarët dinë të përballen e t’i fitojnë të drejtat e tyre.

Sot vendi përballet me një zezonë që ngjan me diktaturën komuniste, por që nga marrëdhënia e hapur me krimin ka evoluar në një përbindësh-kancer që duhet zhbërë sa nuk është vonë. Për këtë mision kombëtar nevojiten kontributet e të gjithëve. Nevojitet përvoja e ish-refugjatëve të 2 korrikut të 1990-s, të cilët pas thuajse 30 vitesh në Perëndim mund të na flasin për guximin që duhet, nevojitet ndihma e bijve të këtyre dallëndysheve të para të Shqipërisë në Perëndim, nevojitet ndihma e diasporës tonë, e cila i është gjendur gjithmonë atdheut, kur ai është gjendur në vështirësi.

Pas 29 vitesh, shoqëria shqiptare është e zonja të përballet me këtë të keqe që e ka zënë, ajo e ka ende energjinë të bërë ndryshimin që dëshiron 85 % e shqiptarëve.

2 korriku është një thirrje që të bashkohemi ashtu si 29 vite më parë, për të larguar të keqen e kthyer në regjim kriminal e të korruptuar e për t’u kthyer shqiptarëve shpresën e humbur. 2 korriku është një shpresë se lumi i refugjatëve të rinj do të ndalet, sepse ai duhet të ndalet, dhe që 2 korrikët e tjerë t’i përmendim vetëm si histori dhe si leksione që ajo i jep përditë shoqërisë tonë."

 

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco