Basha: Edhe Ramiz Alia i anulloi votimet e shkurtit '91, Rama po shkon drejt fundit të tij

Basha: Edhe Ramiz Alia i anulloi votimet e shkurtit '91, Rama po shkon drejt fundit të tij

21:11, 25/06/2019
A+ Aa A-

Gjatë konferencës për shtyp, kreu i PD Lulzim Basha është shprehur se Edi Rama po përpiqet të shkojë i vetëm në zgjedhje, për të mbajtur pushtetin ashtu si autokratët, por ky do të jetë fundi i tij.

Sipas kreut të opozitës, Edi Rama nuk është as sa Ramiz Alia. Ai i anulloi votimet e shkurtit 1991 për t’i hapur rrugë votimeve pluraliste

"Edi Rama po përpiqet të bëjë edhe gjënë e fundit që bën çdo autokrat për ta mbajtur pushtetin: zgjedhje farsë. Por ky do të jetë fundi i tij.

 Jo shumë kohë më pare Shqipëria jetonte nën diktaturën kriminale të Enver Hoxhës. Edhe atëhere kishte votime.

Njerëzit shkonin në qendrat e votimit, merrnin një fletë votimi, në të cilën kishte vetëm një emër dhe hidhnin fletën në kuti, pa asnjë fshehtësi. Ndërkohë,kudo buçiste propaganda shtetërore se vota ishte plumb për armikun, se armiku nuk donte që populli të votonte për partinë.

Votimet farsë, nën frikë dhe terror, ishin një nga elementët kryesorë të diktaturës.

Edhe kur diktatura po rrënohej, nën falimentimin ekonomik dhe peshën e krimeve të veta, Ramiz Alia u përpoq ta shpëtonte me zgjedhje farsë.

Kur komunzimi ra kudo në lindje, kur pluralizmi dhe liria triumfuan mbi robërinë, Ramiz Alia deshi t’u shiste shqiptarëve të etur për liri, pluralizëm fallso.

U përpoq të bënte në shkurt 1991 zgjedhje gjoja pluraliste me organizatat e rinisë dhe të grave komuniste, por dështoi, sepse njerëzit nuk u mashtruan, sepse shqiptarët donin lirinë e vërtetë.

Tre dekada më vonë. Jemi kthyer në të njëjtën situatë.

Shqipëria është sot e rrënuar ekonomikisht.

Krimet shtetërore janë bërë të padurueshme. Demokracia ka rënë.

Edi Rama po kërkon të mbajë zgjedhje farsë, gjoja demokratike për të zgjatur jetën e regjimit të tij kriminal dhe autokratik, edhe për pak.

Njësoj si më 1991, qytetarët ftohen të shkojnë në qendra votimi, të marrin një fletë votimi, në të cilën ka një emër dhe ta hedhin atë në një kuti, pa asnjë fshehtësi.

Njësoj si atëherë, vota është shpallur plumb kundër armiqve të regjimit.

Njësoj si atëherë, regjimi mundohet të shtypë pakënaqësinë e njerëzve.

Ramiz Alia nuk e shpëtoi dot regjimin kriminal enverist.

As Edi Rama nuk do ta shpëtojë dot regjimin e tij kriminal. Por fati i Edi Ramës duket se do të jetë më i keq se i Ramiz Alisë.

Ramiz Alia i anulloi zgjedhjet e shkurtit 1991 për t’i hapur rrugë zgjedhjeve pluraliste. Edi Rama ka vendosur t’i bëjë zgjedhjet e tij njëpartiake", deklaroi Basha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco