VIDEO/ Gazetari: Rama po e nënvlerëson potencialin shpërthyes të situatës

VIDEO/ Gazetari: Rama po e nënvlerëson potencialin shpërthyes të situatës

20:04, 14/06/2019
A+ Aa A-

Kryeredaktori i gazetës Mapo, Enton Palushi, ishte i ftuar në A2 CNN, ku komentoi situatën më të fundit politike në vend.

Duke nisur nga rezoluta e Kuvendit, Palushi tha se gazetarët, për shkak të punës, e marrin seriozisht këtë parlament, edhe pse ai është kthyer në një institucion qesharak.

Sipas tij, këto ditë po përjetojmë live se si po nënshtrohen institucionet përpara pushtetit të kryeministrit.

“Kur doli dekreti i Presidentit për anulimin e zgjedhjeve, u tha që Shqipëria është një Republikë Parlamentare, si mundet që presidenti të bëjë të tilla gjëra. Mirëpo, pyetja që duhet të shtrojmë është: Vërtet ky parlament është institucioni më i lartë që kanë shqiptarët, në kuptimin më i rëndësishmi, është ky parlament që duhet të balancojë pushtetet ose që duhet t’i kundërvihet kryeministrit ose fuqive të tij ekzekutive, që duhet të bëjë kontrollin e tij? Për fatin tonë të keq po shohim live dita-ditës se si pushtetet po bien në kontrollin e kryministrit. Ajo që bëri parlamenti dje ishte se iu bind atyre gjërave që ka thënë kyeministri në vazhdim, diskutimet shkuan në linjën e tij. Ne po konsumojmë live atë që është ana e errët e kësaj krize, domethënë konsumuam rënien e KQZ-së me vendimin për të mos pranuar dekretin e Presidentit. Konsumuam dje historinë e Parlamentit ku mazhoranca vetëm sa fryhet, bëhet 100 vota dhe si të thuash bëhet qesharake. Kam frikë se po konsumojmë live edhe rënien e Prokurorisë ose rënien e drejtësisë me gjithë këto gjëra që po ndodhin” u shpreh kryeredaktori i Mapo-s.

Këtë të fundit, Palushi e lidhi me marrjen të pandehur të liderit të opozitës, Lulzim Basha.

“Historia e lobimeve në Amerikë nuk është histori e re për shqiptarët. Kemi pasur një histori me kryeministrin shqiptar që kishte një moment dyshimi se mund të kishte shkelur ligjet amerikane për shkak të një fotoje me Obamën. Ai u mbrojt duke thënë se kjo histori është mbyllur në Amerikë. E njëjta gjë mund të thuhet për këtë situatë. Po të shohësh atë që ndodh në Amerikë, lobimi, ndërhyrjet ruse janë kryefjala e gjithë diskutimeve atje. Por atje nuk hetohet kjo gjë. Drejtësia më e drejtë dhe më pak e paragjykuar në botë nuk merret fare me histori, sepse duhet të dimë se këto dokumente kanë dalë Departamentit të Drejtësisë në Amerikë. Tani drejtësia shqiptare tregohet më e zellshme, drejtësia më e paragjykuar në Europë tregohet më e zellshme për të treguar se është momenti për të dërguar para drejtësisë liderin e opozitës. Kjo më duket pa sens.

Ka disa të dhëna që dosja ka fjetur aty dhe është përdorur ky moment për ta nxjerrë. Thjesht kërcënimet që do të marrim me forcë liderin e opozitës mjaftojnë për të kuptuar situatën, pasi nuk thuhet se do merren forcërisht të pandehurit e tjerër, por specifikisht Basha. Po ashtu edhe fakti që janë angazhuar tre prokurorë për një dosje të tillë, që nuk kërkon shumë konsum. Në Shqipëri ka dosje më të rënda si dosja që ndezi politikën shqiptare “339” që vazhdon të flejë. Nuk hetohet. Me këtë dosje merren 2 prokurorë ndërsa me të Bashës merren 3. Kam frikë se instiktet e drejtësisë po përdoren”, shtoi Palushi.

Ai komentoi edhe situatën e pritshme, duke u nisur nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama se në vend nuk do ketë një ‘97-të të dytë’. Sipas kryeredaktorit të Mapos, kryeministri po e nënvlerëson potencialin shpërthyes në Shqipëri.

“Kryeministri e thekson faktin se nuk mund të kemi një ‘97-të të dytë. Gabon në thelb se s’po diskutojmë rrethanat që sollën atë ngjarje. Por thelbi i diskutimit është potenciali që ka për të shpërthyer një vend si Shqipëria, ose potenciali për t’i bërë gjërat të paparashikueshme. Si kryeministër, Rama ka njohur disa momente kur situatat janë bërë të paparashikueshme.

Që në nisjen e mandatit të tij ishte protesta për armët kimike që u duk se do dilte jashtë kontrollit. Më pas protesta e studentëve ku ai tha se nuk është një protestë e rëndësishme, por më pas u bë e rëndësishme dhe shumë e rrezikshme.

Pastaj ishte protesta e ndezur e banorëve të Kukësit, protestat e opozitës dhe momenti dje në Librazhd kur kishte goxha zemërim. Aftësia e një drejtuesi është që ai të lexojë sinjalet. Por ai po përpiqet të eklipsojë rrethanat. Nga një pikëpamje duket sikur i jep zemër vetes, por i kanë ndodhur disa herë situata të tilla të shpërthyeshme. Edhe një gazetar gjerman tha se Shqipëria ka treguar se ka potencialin që aty të rrjedhin gjërat ndryshe shumë shpejt”, u shpreh kryeredaktori i gazetës Mapo, Enton Palushi.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco