Anulimi i zgjedhjeve, vjen reagimi zyrtar nga CDU/CSU

Anulimi i zgjedhjeve, vjen reagimi zyrtar nga CDU/CSU

16:15, 09/06/2019
A+ Aa A-

Një ditë pasi presidenti i Republikës Ilir Meta çdekretoi zhvillimin e zgjedhjeve lokale më 30 qershor, vjen reagimi zyrtar nga koalicioni qeverisës në Gjermani, CDU/CSU.

Përmes një deklarate për media, nënkryetari i grupit parlamentar të Unionit Kristiandemokrat dhe Kristiansocial në parlamentin gjerman (Bundestag), CDU/CSU, Johann David Wadephul, shprehet se, të gjitha palët politike në vend duhet të gjejnë rrugën e dialogut.

Në fund të deklaratës, CDU/CSU rithekson se, “nëse Shqipëria dëshiron të përshkojë këtë rrugë drejt Evropës, sigurisht që do të marrë çdo mbështetje nga Gjermania”.

 ‘Pas këtij vendimi të presidentit, ekziston një situatë e re politike. Të gjitha palët tani duhet të kërkojnë rrugën e pajtimit. Këtu përfshihen zgjedhje lokale demokratike me disa kandidatë të mundshëm. Kjo presupozon që të gjithë ta pranojnë vendimin e presidentit dhe pastaj të marrin pjesë në garën politike. Çdo gjë tjetër do të ishte jo evropiane dhe do t'i forconte në mënyrë të panevojshme dyshimet mbi dobinë e një procesit të aderimit. Kështu do të krijohej një bazë e re për një bashkëjetesë paqësore mes konkurrentëve politikë.

Në Evropë, çdo qeveri duhet të pranojë një opozitë kritike, dhe çdo opozitë duhet të pranojë një qeveri efektive. Kjo është një bazë qenësore për një shtet të qëndrueshëm dhe demokratik. Nëse Shqipëria dëshiron të përshkojë këtë rrugë drejt Evropës, sigurisht që do të marrë çdo mbështetje nga Gjermania”, thuhet në deklaratën zyrtare të koalicionit qeverisës në Gjermani, CDU/CSU.

Pak para marrjes së vendimit për shtyrjen e zgjedhjeve, Presidenti Meta kishte qenë për një vizitë në Berlin, ku zhvilloi takime me shumë deputetë gjermanë, ndër ta edhe me nënkryetarin e partisë qeverisëse, Johann David Wadephul. /Syri.net

Deklarata në faqen zyrtare të CDU/CSU në internet:

https://www.cducsu.de/presse/pressemitteilungen/albanien-alle-seiten-sollten-jetzt-weg-der-versoehnung-suchen

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco