Pronarët peng të mungesës së Gjykatës Kushtetues, mësyjnë në zyrën e…

Pronarët peng të mungesës së Gjykatës Kushtetues, mësyjnë në zyrën e…

15:41, 23/05/2019
A+ Aa A-

Mungesa prej më shumë se 2 vite e Gjykatës Kushtetuese ka futur në kolaps, mijëra çështje të cilat i referohen asaj. Ndër kategoritë që po preken më shumë nga kjo situatë e pa precedentë në botë, janë kategoria e pronarëve në pritje të kompensimit apo kthimit të pronave të marra në vitin 1945.

Zyra e Avokatit të Popullit, njofton se janë të paktën 3 ndryshime në ligjin për trajtimin e pronës të cilat mbahen peng nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Në analizën që u bë kësaj problematike, Avokati i Popullit ka vlerësuar situatën juridike të trajtimit të së drejtës së pronës nga ligj i ri jo në përputhje me disa parime kushtetuese, qëndrim i cili është pranuar në vendimin nr.01, datë 16.01.2017 të Gjykatës Kushtetuese, ku është vendosur shfuqizimi i pikave 3 dhe 5, të nenit 6, të të Ligjit nr.133/2015.

Ndërkohë, në kushtet e mungesës së kuorumit të nevojshëm vendimmarrës, Gjykata Kushtetuese, nuk u shpreh për kushtetutshmërinë e parashikimit të kryer në shkronjën “b”, të nenit 6, si dhe në shkronjat “a” dhe “b”, të nenit 7, të Ligjit nr.133/2015. Edhe pse kërkesa për shfuqizimin e këtyre dispozitave ligjore është depozituar prej Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, pranë kësaj gjykate, Gjykata Kushtetuese prej më shumë se dy vitesh është në pamundësi objektive të shqyrtimit të kësaj kërkese, pasi nuk plotësohet numri i nevojshëm i anëtarëve të trupit gjykues.

Kjo mangësi, konkludon Avokati i Popullit, përbën një nga shkaqet ekzistuese që ndikon në efiçencën e atyre mekanizmave sistemikë, të cilët janë krijuar në nivel kushtetues si garantë të respektimit të së drejtës të pronës si një e drejtë themelore e njeriut, duke sjellë pasoja të drejtpërdrejta edhe në mbrojtjen e kësaj të drejte.

Zgjidhja e dhënë për njohjen e pronës në Ligjin nr.133/2015, duke u mbështetur tek kompensimi në të holla sipas vlerësimit financiar të dhënë në këtë ligj, jo vetëm nuk respekton të drejtën e pronësisë së subjektit pronar, por ka dëmtuar dhe dëmton interesat e taksapaguesve shqiptarë, të cilët do të duhet të vijojnë të paguajnë fatura shumë të mëdha financiare, thekson Avokati i Popullit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco