Dervishi ia përplas Lleshajt: Nuk ka frymor që më step në zbardhjen e krimeve të komunizmit!

Dervishi ia përplas Lleshajt: Nuk ka frymor që më step në zbardhjen e krimeve të komunizmit!

12:15, 23/05/2019
A+ Aa A-

Replikë e ish-Drejtorit të Arkivit të Ministrisë së Brendshme me Ministrin Sandër Lleshaj, pas akuave të këtij të fundit në parlament.

Nga Kastriot Dervishi.

I nderuar z.ministër! Ishte e papritur për mua që sot në Kuvend, ju një njeri i lexuar, ratë në nivelin e spartak brahos dhe të ngjashmëve me të, duke emetuar një terminologji mjerane, me të cilën jam mësuar prej vitesh.

Së pari, jam drejtori legjitim i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, jo “ish drejtori”. Jam shumë krenar për punën time që me asnjë ndihmë nga shteti, madje i penguar prej tij, inventarizova fondit arkivor tërësisht të çoroditur të arkivit.

Së dyti, jam studiues prej vitesh. Veprimtaria ime nuk buron nga funksionet por nga puna mbi 20 vjeçare në arkiva dhe biblioteka.

Së treti, nuk është për t’u lavdëruar që paskeni kontribuar për ligjin e krijimit e Autoritetit, i cili ka cenuar sigurinë dhe ligjin e arkivave. Deklasifikimi i dokumenteve bëhet me akte administrative në bazë të ligjit për informacionin e klasifikuar të vitit 1999 dhe jo me ligje. Me aq para sa janë harxhuar për Autoritetin ishte ndërtuar godina komplekse e Arkivit të Ministrisë së Brendshme. Mbase nuk e dini që Arkivi i MB-së nuk ka ende godinë, nuk ka laborator, nuk ka personel, etj. Lëre pastaj që policia ka dokumentet e padorëzuara nga viti 1992. Vetëm për sistemimin e këtij kolapsi duhen së paku angazhimi i 200 punonjësve.

Së katërti, meqë fole për “nxjerrje të informacionit të klasifikuar” (njësoj, me të njëjtën gjuhë si shumë të palexuar), përderisa postimet e mia i ke publike, ju ftoj të më tregoni një rast prej tyre që lidhet me Arkivin e MB. Shumica e postimeve të mia, të cilat janë të hapura, nuk lidhen me Arkivin e MB-së, por janë rezultate të punës time shumëvjeçare në arkiva.

Në kabinetin tuaj, keni njerëz që kanë punuar me mua me muaj e vite në sallën e studimit në AQSH. Sa të turpëroheshit kështu e të viheshit në radhë me Brahon, mund t’i pyesnit më parë.

Së pesti, nuk ka frymor në botë që më step në zbardhjen e krimeve të komunizmit.
Zoti ministër ju uroj punë të mbarë në detyrën tuaj dhe ju kujtoj se investimi në Arkivin e MB-së është shumë herë më i ngutshëm se ndërtimi i komisariateve të policisë apo strukturave parazite që në MB për fat të keq janë me shumicë. Arkivat nuk ndërtohen me propagandë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco