DOKUMENTI/ Deputeti i parlamentit monist të Edi Ramës rrezikon jo vetëm mandatin, por edhe deri në 4 vjet burg

DOKUMENTI/ Deputeti i parlamentit monist të Edi Ramës rrezikon jo vetëm mandatin, por edhe deri në 4 vjet burg

20:13, 19/05/2019

Selami Jenishehri, Kryetari i partisë së Pensionistëve të Shqipërisë, që mori mandatin e deputetit këtë të enjte, duke u betuar në parlament si deputeti i ri, rezulton në vitin 2001, ka qenë i dënuar me 8 muaj burg për akuzën e “Mashtrimit”.

Media zbuloi sot se Selami Jenishehri ka gënjyer në deklarimet e bëra në formularin e dekriminalizimit. Megjithëse ka një vendim të formës së prerë, në formularin e dekriminalizimit, Jenisheri thotë se nuk ka qenë në asnjë rast i dënuar si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në fakt, ai është dënuar me 8 muaj burg nga gjykata e Shkodrës në vitin 2001 për akuzën e mashtrim, vendim i cili është lënë në fuqi në gjykatat e të gjitha shkallëve.

Në një pronocim në media pas zbulimit të këtij fakti, Jenishehri u shpreh se dënimi i është hequr nga Gjykata e Lartë. Edhe në këtë rast ai ka gënjyer.

Syri.net ka siguruar vendimin e Gjykatës së Lartë që ka rrëzuar pretendimet e Jenishehrit duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkodrës për dënimin e tij me burg.

Duke falsifikuar Formularin e Dekriminalizimit, Jenishehri rrezikon humbjen e mandatit të deputetit, por edhe dënim të ri penal për falsifikimin e formularit.

Nga praktika e konsoliduar e Seksionit të Dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe vetë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, referuar vendimit nr. 17/2016 të Kuvendit, fakti që në Formular, nuk është pasqyruar asnjë e dhënë në lidhje me vendimin penal të formës së prerë dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër e bën këtë Jenishehrin, të përfshihet në kushtet e ndalimit duke passjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/zgjedhja/emërimi apo nga funksioni publik”.

Por kjo duket të jetë problemi më i vogël për Jenishehrin, për shkak se nga mashtrimi me Formularin e Dekriminalizimit, ai rrezikon burg deri në 4 vjet. Neni 5, pika 3 e ligjit nr. 138/2015, njohur si “Ligji i Dekriminalizimit”, përcakton se deklarimi i rrethanave të rreme ose të shtrembëruara në Formular përbën vepër penale, sipas nenit 190 të Kodit Penal.

Neni 190 i Kodit Penal parashikon: “Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.”.

Pas publikimeve të fakteve, organi i prokurorisë ka detyrimin që në këtë rast të nis hetimet për falsifikimin e dokumenteve, siç ka bërë edhe me ish-kryebashkiakun e Kavajës Elvis Rroshi. Mesa duket Jenishehri, duke fshehur dënimin, jo vetëm nuk do të sigurojë mandatin e deputetit, por i ka hapur vetes edhe njëherë probleme me drejtësinë. /Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco