Rikthehet bojkoti i studentëve: ç'po ndodh me Bordet e Administrimit?!

Rikthehet bojkoti i studentëve: ç'po ndodh me Bordet e Administrimit?!

10:21, 15/05/2019
A+ Aa A-

Universitetet publike në vend janë duke u marrë me fushatën garuese për përzgjedhjen e anëtarëve në Bordet e Administrimit, si përfaqësues të zërit të studentëve. Ajo që vihet ré deri më tani është pjesëmarrja e ulët e studentëve dhe e gjithë kjo vjen si pasojë e mosbesimit ndaj këtij procesi.

Në Universitetin Politeknik të Tiranës, procesi i votimit ka përfunduar dhe tani pritet përzgjedhja nga Ministria e Arsimit në lidhje me kandidatët. Nga 2500 votues të mundshëm në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave, vetëm 55 prej tyre, pra 2.2% e studentëve, morën pjesë në zgjedhjet për anëtarin e Bordit të Administrimit të UPT të propozuar nga studentët. Të rinjtë thonë se kjo shifër mjaft e ulët, tregon se sa larg kërkesave të studentëve qëndron “Pakti për Universitetin” dhe se sa seriozisht e marrin studentët atë. Në këtë mënyrë, fletët e votimin në total kanë qenë 2500. Fletët e papërdorura 2440, fletët e dëmtuara vetëm 1. Votat të pavlefshme vetëm 4 dhe vota të vlefshme 55.

Farsë e MASR-së

Intervistuar nga Shekulli, Frenkli Prengaj, student në fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave, thotë se nuk ka marrë pjesë në këtë votim, duke e argumentuar se e gjithë kjo është një farsë e Ministrisë së Arsimit dhe kurrsesi nuk mund të behët pjesë e saj. “Ka pasur një mosinformim të theksuar në lidhje me këtë proces. Po ashtu, ka edhe mungesë besimi nga studentët se vërtet ky përfaqësues është i joni. Me skemën që ka ngritur Ministria është shumë qesharake të mendosh se do jetë zëri ynë”, deklaron ai. Më tej, ai shton se pesha e përzgjedhjes nuk mbetet te studentët, por është MASR ajo që do japë vendimin përfundimtar në lidhje me kandidatët. “Mes 3 emrave më të votuar vendos Ministria e Arsimit se cili do të jetë pjesë e bordit. Kjo do të thotë se ministria mund të zgjedhë dhe atë që ka dalë në vend të tretë. Ndërkohë që vullneti i studentëve është ai që ka dalë i pari”. Studenti deklaron se ashtu si pjesa më e madhe e të rinjve dhe ai nuk ka votuar për këtë proces. “Pse duhet të bëhem pjesë e kësaj farse? Po të votonim një pjesë e madhe, i bie të legjitimohet skema. Ne kuptimin që studentët e mbështesin, sepse ligjërisht është në rregull si skemë. Për mendimin tim, kjo mënyrë zgjedhjeje nuk zgjidh asgjë. Vetëm e bën të besueshme për pjesën e elektoratit që nuk e kupton si funksionon, por për kërkesën tonë nuk jep zgjidhje”, përfundoi ai.

Në fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave, kandidatë janë Eled Edmod Fagu, i cili ka marrë 0% të votave. Esmerald Enevr Filaj ka marrë vetëm 4 vota. Loreta Simon Çapeli, po ashtu ka marrë 4 vota studentore. Rikard Viktor Luka, ka marrë 22 vota dhe Zenel Gjolek Shalari, ka marrë 25 vota. Studentët e këtij fakulteti shprehen kundër edhe këtyre figurave, të cilët kanë hedhur kandidaturën për t’i përfaqësuar. Altin Hoxha, student i vitit të dytë thotë për “Shekulli”-n se lista ka qenë nga pedagogë, të cilët janë denoncuar herë pas herë për shkeljet që ata kanë bërë. “Zenel Gjolek Shalari, është i akuzuar publikisht më parë edhe nga Lëvizja Për Universitetin si një ndër pedagogët që detyrojnë studentët me lista emërore të blejnë librat e tij. Ndaj akuzës së kësaj lëvizjeje, Fakulteti i Shkencave Sociale mori masa duke e përjashtuar ‘pedagogun’ në fjalë nga mësimdhënia në këtë fakultet si pedagog i jashtëm. Ndërkohë ai sot është pjesë e listës dhe me shumë mundësi përzgjidhet si përfaqësuesi i zërit tonë nga MASR, për këtë fakultet”, përfundoi studenti.

 

Mungesa e votimeve të studentëve është vënë në dukje edhe në fakultetet e tjera të Universitetit Politeknik të Tiranës. Në fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, pjesëmarrja ka qenë relativisht e ulët në votime. Ernik Tola, student i këtij fakulteti, thotë për “Shekulli”-n se shumë prej studentëve nuk kanë marrë pjesë dhe kjo mënyrë që ka zgjedhur MASR për anëtarët e bordeve është një tjetër dështim.

“Studentët kanë kërkuar anulimin e ligjit për Arsimin e Lartë, i cili detyrimisht do të zhbëjë edhe strukturën burokratike që përcakton ky ligj, Bordin e Administrimit, i cili i mbivendoset universitetit si organi përgjegjës për të gjithë tenderët dhe veprimet financiare të universitetit. Kjo strukturë, në shumicën e universiteteve, kryesohet nga të zgjedhurit e Ministrisë së Arsimit që menaxhojnë fondet e universiteteve publike, edhe pse supozohet se ato veprojnë të pavarura nga ndikimi i qeverive. E gjitha kjo na bën që ne të mos kemi besim në këto zgjedhje, për aq kohë sa vullneti i votës sonë nuk do të respektohet. Nuk kemi besim as në kandidatët e propozuar, as në zgjedhjet e mëtejshme. Për këtë arsye kemi vendosur të bojkotojmë zgjedhjet”, përfundoi ai.

Në këtë proces, bazuar në nenin 27 të draft-rregullores mbi këto votime, është edhe e drejta për të ankimuar kundër vendimeve të KIZS për shpalljen e tabelave përfundimtare të rezultatit të zgjedhjeve. “Ankimimi bëhet nga kandidatët në KIZS, jo më vonë se 2 ditë kalendarike nga data e shpalljes së tyre. Për efekt të llogaritjes së afatit, periudha 2-ditore fillon në orën 16:00 të ditës së shpalljes së aktit për të cilin bëhet ankimimi dhe përfundon në orën 16:00, pas dy ditëve kalendarike.

KIZS administron dhe merr vendime për anikmimet, jo më vonë se 48 orë pas paraqitjes së tyre. 2. Kundër vendimeve të KlZS për ankesat e kandidatëve për rezultatin e zgjedhjeve, apelimi i vendimit bëhet nga kandidatët në Komisionin e Apelimit Studentor (KAS) jo më vonë se 2 ditë kalendarike nga data e marrjes së vendimit. Për efekt të llogaritjes së afatit, periudha 2-ditore fillon në orën 16:00 të ditës së shpalljes së aktit për të cilin bëhet ankimimi dhe përfundon në orën 16:00, pas 2 (dy) ditëve kalendarike. 3. Me përfundimin e procesit të shqyrtimit të ankimimeve të dërguara nga Komisioni i Apelimit Studentor, KIZS shpall, me vendim të veçantë, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve”.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco