Basha: Bashkimi ynë për votën e lirë, një precedent që e bëri Europën Europë e Amerikën Amerikë

Basha: Bashkimi ynë për votën e lirë, një precedent që e bëri Europën Europë e Amerikën Amerikë

22:28, 14/05/2019
A+ Aa A-

Gjatë bashkëbisedimit të sotëm me gazetarët, kreu i PD-së Lulzim Basha ka komentuar situatën politike në vend duke vendosur theksin te zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, çka është edhe kërkesa kryesore e opozitës së bashkuar.

Sipas liderit të opozitës, kjo nuk është një betejë për të ndërruar Ramën me Bashën por i gjithë aksioni opozitar bëhet që në vend të mos përsëriten mlë kriza të tilla që burojnë nga zgjedhjet e blera në bashkëpunim me krimin.

"Ky është standardi që ne do të vendosim. Në këtë standard, çdokush do të mendohet dy herë, para se t’i vërë shkelmin sovranit, para se t’i vjedhë votën", u shpreh ndër të tjera Basha.

Pyetje: A mendoni se aksioni juaj opozitar është një precedent i rrezikshëm për vendin pasi mund të përsëritet nesër, kur ju mund të jeni në maxhorancë dhe PS në opozitë?

Basha: Shumë e thjeshtë përgjigja. E gjitha kjo po bëhet që të mos përsëriten më kriza të tilla. Nëqoftëse prapë do të kemi një qeveri që e merr pushtetin me krimin, që asgjeson Gjykatën Kushtetuese, asgjeson Gjykatën e Lartë, emëron në mënyrë të paligjshme Prokurorin e Përgjithshëm, zhytet në aferat më korruptive, 40 milion euro për 2 kilometra me kompani fallco, dhunon qytetarët dhe liritë e të drejtat e tyre, helmon fëmijët me gaz.

Nëqoftëse do të kemi një qeveri të tillë, atëherë ky patjetër duhet të jetë precedent që një fund i tillë e pret. Patjetër që po, dhe ju duhet ta festoni një precedent të tillë, ku më në fund populli ka fuqinë për t’i thënë një grupi që ka marrë peng pushtetin, që jo, sovrani nuk je ti me Ymer Lalën. Sovrani jemi ne, ky vend është i yni. Çdo shqiptar duhet ta festojë një precedent të tillë. Kjo nuk është një betejë për të ndërruar Edi Ramën me Lulzim Bashën.

Shqipëria ka nevojë për një reformë të thellë, që kurrë më, asnjë kryeministër i ardhshëm të mos jetë në gjendje të lidhë pakt me krimin për të marrë dhe mbajtur pushtetin, t’u kthejë shpinën njerëzve, ta trajtojë gjithë Shqipërinë si çifligun e tij personal dhe qytetarët si bujkrobërit e tij.

Kjo është sfida, ky është projekti, ky është objektivi, rreth të cilit kemi thirrur gjithë shqiptarët të na bashkohen dhe që po na bashkohen çdo ditë e më shumë, duke tejkaluar ngjyrat politike. Pse? Sepse e kuptojnë dhe po e kuptojnë, që në fund të kësaj beteje do të vendosin ata me votë. Do të vendosin ata që të emërojnë dhe të shkarkojnë qeveritë. Dhe në një ushtrim të tillë demokracie, do të marrë fund frika si instrument i qeverisjes, sepse qeverisja përmes frikës nuk është demokraci, është tirani.

Liria është kur qeveria ka frikë popullin. Sepse është populli që e emëron, është populli që e shkarkon. Tirania është kur populli e ka frikë qeverinë! Ku jemi sot? Jemi në kushtet e tiranisë. Pse nuk e ka qeveria frikë popullin? Sepse e ka lidhur kontratën me krimin. Apo më mirë të themi; pse nuk e kishte? Sepse orët kur populli ulte kokën dhe Edi Rama bënte njëherë të fortin, njëherë gastorin, kanë marrë fund. E tregon dhe paniku i tij i përditshëm.

Këto janë orë shprese, këto janë ditë shprese, janë ditët kur shqiptarët janë vetëdijësuar që fatin e tyre e kanë në dorë vetë ata. Që një grusht njerëzish nuk mund t’i sjellë vërdallë, t’i vjedhë, t’i shpunësojë, t’u vendosë taksa si të dojë, t’u rrisë çmimin e energjisë, naftës. T’u premtojë vende pune dhe t’i shpunësojë pastaj. T’u premtojë shëndetësi falas e ta shkatërrojë shëndetësinë pastaj. e kanë ata, e kanë qytetarët fatin e tyre në dorë.

Ky është standardi që ne do të vendosim. Në këtë standard, çdokush do të mendohet dy herë, para se t’i vërë shkelmin sovranit, para se t’i vjedhë votën.

Prandaj, meqë e quajte precedent dhe nëse e quan precedent, duhet ta festosh këtë precedent, do ta celebrosh, do ta hapësh fjalën kudo, që në Shqipëri po vendoset, më në fund, një precedent që e bëri Europën Europë dhe Amerikën Amerikë. Që ata që vjedhin votat, ata që kapin të gjitha pushtetet, ata që lidhin paktin me krimin, ata nuk do të gëzojnë pushtet, por do të largohendhe do të vendosen para drejtësisë.

Para se të jetë precedent, ky është standard europian. Ky është standard amerikan, Dhe nëse do ta quajmë precedent, është precedent europian, është precedent perendimor. Po, një qeveri që bën gjithë këto zullume, duhet të largohet. Do të ishte larguar me dhjetra herë në çdo vend normal europian. Dhe ky do të largohet, nuk ka rrugë tjetër.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco