Lajmi i fundit

LIVE/ Drejtuesit e Partisë Demokratike takim me demokratët e Belshit

BSH: Shqiptarët u varfëruan me 130 milionë euro në 2018-ën

BSH: Shqiptarët u varfëruan me 130 milionë euro në 2018-ën

16:47, 02/05/2019
A+ Aa A-

Familjet shqiptare u varfëruan me 130 milionë euro vitin e kaluar, të paktën sa i përket aseteve që ato zotërojnë në sistemin financiar. Të dhënat janë bërë publike nga Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të stabilitetit financiar.

Sipas Bankës, në fund të vitit 2018, vlera e pasurisë që familjet shqiptare kanë investuar në sistemin financiar u ul në 1 mijë e 123 miliardë lekë nga 1 mijë e 139 miliardë që ishte në fund të vitit 2017.

Image

Statistikat e hollësishme të BSH tregojnë se një pjesë e varfërimit të familjeve ka ardhur nga zhvlerësimi i euros ndaj lekut, i cili ka ulur vlerën e depozitave në valutë. Por përtej efektit negativ nga kursi i këmbimit, familjet shqiptare duket se janë përballur më rënien e të ardhurave, pasi kanë prekur edhe kursimet në lekë, të cilat vitin e kaluar u ulën me 5 miliardë lekë.

Pasuria që familjet shqiptare ruajnë në sistemin financiare është rritur me ritme të shpejta deri në vitin 2013. Por pas kësaj periudhe, rritja është stopuar, e madje vitin e kaluar, shqiptarët u varfëruan. 

Ku e ruajnë pasurinë shqiptarët

Sipas Bankës së Shqipërisë, forma kryesore ku shqiptarët ruajnë pasurinë e tyre është ajo e depozitave bankarë. Në fund të vitit të kaluar familjet shqiptare, zotëronin 927 miliardë lekë depozita në banka, gjysma e të cilave janë në monedhën kombëtare, ndërsa gjysma tjetër në valutë. " Depozitat në lekë dhe në valutë vijojnë të zënë mbi 80% të kursimeve të përgjithshme të individëve," thuhet në raportin e BSH.

Pas depozitave forma e dytë më e preferuar është ajo e letrave me vlerë të qeverisë. Aktualisht familjet shqiptare kanë investuar 136 miliardë lekë në letra me vlerë të qeverisë, nga të cilat 59 miliardë lekë janë bono thesari, ndërsa pjesa tjetër obligacione.

Pas depozitave dhe letrave me vlerë, format e tjera ku shqiptarët ruajnë pasurinë janë fondet e investimeve me 57 miliardë lekë dhe ato të pensioneve vullnetare me 2.5 miliardë lekë.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco